Nga Alfred Peza
Në një portret i paautorizuar për Sali Berishën, botuar në mediat e reja pluraliste të viteve ’90, autori e përshkruante atë si njeriun që bënte 48 takime në 24 orë nëpër Shqipëri dhe që i ngjiste shkallët vërtik drejt zyrës, dy e nga tre njëherësh. Ishte energjia e pashtershme që prodhonte afrodiziaku më i madh i një lideri, në kohën kur pushteti po i afrohej me shpejtësi, por edhe kulmi i energjive të një mjeku 45 vjeçar i sapokonvertuar në politikan.
Kjo konsiderohej si një nga pikat më të forta të liderit demokrat për vite me radhë, në raport me kundërshtarët e tij politikë brenda llojit apo përballë, duke bërë gjithmonë diferecën në çdo betejë politike që përfundonte me fitoren e tij. Aq shumë e kishte përzemër këtë, sa deri tani vonë, Sali Berisha kishte dëshirë të na tregonte se kishte zbuluar eliksirin e jetës ndaj edhe thyente çdo vit rekorde herë duke ecur në mal e herë duke notuar në det.
Tridhjetë vjet më pas, tani që Lulzim Basha e nxorri nga Grupi Parlamentar i PD për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, Sali Berishës i është dashur që të rikthehet sërisht në terren. Duke nisur një tur takimesh nëpër Shqipëri, për të marë mbështetjen e bazës së partisë, me synimin për tu rikthyer edhe njëherë në majën e partisë. Por siç e keni ndjekur besoj, ritmi i këtyre takimeve, është vetëm një here në javë. Duke na treguar se, atë që e bënte dikur brenda një ditë, tashmë i duhet një vit për ta realizuar.
Limitet e moshës biologjike dhe pamundësia e sotme fizike, nuk janë të vetmit armiq të mëdhenj të Sali Berishës, në këtë luftë finale për të. Historia që ai shkruajti ndërmjet dy ekstremeve të karrierës së tij politike, është kryearmiku i tij, ndaj koha është e pamjaftueshme. Ajo nuk punon më për Sali Berishën, si dikur, përkundrazi. Sa më shumë që ajo rrjedh dhe kalon, aq më të pamundur e ka në çdo drejtim që të ringrihet, të rikuperojë, të triumfojë dhe tia fillojë edhe njëherë nga e para.
Sali Berisha nuk ka kundër vetëm vitet, moshën, energjitë, historinë dhe kohën, por edhe të drejtën, moralin, të vëretëtën, precedentët dhe rregullat e lojës në demokraci. Ndaj sa më shumë ditë, javë dhe muaj që po kalojnë nga ai momenti që e nxorri atë jashtë grupit të të zgjedhurve të popullit opozitar me vote, për ti përfaqësuar në Parlament, aq më të pamundur e ka që të rikthejë përmbys orën prej rëre të historisë e për tia filluar numërimin edhe njëherë nga e para.
E ashtu si në ligjin e ruajtjes dhe shndërrrimit të energjisë në fizikë, ku asgjë nuk humbet por gjithçka shndërrohet, edhe në metafizikë ajo që po humbet Sali Berisha po shndërrohet dalëngadalë në fitore të Lulzim Bashës. Ajo që është në disfavor të Sali Berishës, shkon në favor të Lulzim Bashës. Ajo që në këtë proces punon kundër Sali Berishës, shndërrohet automatikisht pro Lulzim Bashës. Ndaj duke qenë sot armikja kryesore e Sali Berishës, koha është shndërruar natyrshëm në aleaten kryesore të Lulzim Bashës për tu bërë më në fund edhe Kryetari “de facto” i PD, edhe lideri “de facto” i opozitës shqiptare.
Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë demokratë, opozitarë e shqiptarë do ta kuptojnë se vendimi për nxjerrjen e Sali Berishës jashtë PD është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Ai nuk do të rikthehet dot më kurrë, për të hyrë sërisht në atë derë që sapo u mbyll për të, sa të jetë gjallë. Sa më shumë kuptohet kjo, aq më shumë po e braktisin atë. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më tepër do distancohen prej tij.
Ata do të udhëhiqen instiktivisht ose në mënyrë koshiente pas kësaj, nga e ardhmja, duke braktisur njeriun që sot përfaqëson të shkuarën. Duke i bërë sa më shumë që kalon koha, gjithmonë e më koshientë se qenia e tyre demokratë dhe opozitarë, nuk lidhet me një emër të përveçëm. Por me vlerat dhe filozofinë e të djathtës. Me programin e saj. Me bindjen e tyre. Me trashëgimën e saj përmes PD dhe partive të tjera të “Opozitës së Bashkuar” në Shqipëri, me historinë familjare e shoqërore, arsimin dhe kulturën e tyre politike.
Sali Berisha mund të ketë arritur shumëçka në jetën e tij politike dhe atë personale, por as ai e askush tjetër në këtë botë, nuk mund ta ndalin dot kohën dhe rrotën e historisë që të ecin vetëm përpara pa u ndalur. Ai sot nuk i ngjit dot më shkallët si dikur, nga dy e nga tre njeherësh dhe nuk ka më as sharm e as lëndë që ti elektrizojë turmat me karizmën e tij si dikur.
E kjo nuk ka të bëjë vetëm me moshën biologjike dhe pamundësinë e tij fizike. Ai thjeshtë sot nuk është më ai që ka qenë dikur: Njeriu i duhur, në kohën e duhur! Ai është shndërruar në dikë tjetër, krejt pa kuptuar përgjatë këtyre 30 vjetëve, duke qenë sot thjeshtë: Njeriu i gabuar, në kohën e gabuar!