Nga Jakin Marena
Sali Berisha nuk lëviz as nga PD dhe as nga grupi parlamentar i kësaj partie deri sa të ketë frymë.
Këtë e ka bërë të qartë publikisht, teksa i ka dërguar mesazh kryetarit zyrtar të PD Lulzim Basha dhe lidershipit të kësaj partie se nëse duan të marrin vendim kundër tij, atëherë kanë barrën e provës për të vertetuar me dokumente, prova dhe fakte se pse është shpallur familjarisht “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ndryshe…!
Një qëndrim të tillë Berisha e ka shprehur qartë dhe pa asnjë ekuivok, teksa nënvizon mes të tjerave se PD ka mbajtur qëndrimin që duhej të mbahej, ka kërkuar transparencë, që PD të konsolidojë apo të marrë qëndrim ndaj një personi, apo Sali Berishës, duhet të ketë fakte, dokumente dhe prova, duke kërcënuar se jashtë tyre PD qëndrim tjetër nuk mund të mbajë.
“Nëse PD do të gjendej para provave, fakteve, dokumenteve për çka Sali Berisha është akuzuar, PD do të bënte gabim historik nëse nuk merrte vendim për përjashtimin e tij nga partia”, paralajmëron Berisha.
Janë pikërisht këto prova, fakte dhe dokumente që Berisha kërkon dhe nga DASH e sekretari Antony Blinken për të argumentuar sipas tij, vendimin e marrë për të ndaluar hyrjen në SHBA.
Për më tepër ish kreu i PD i kërkon Bashës, dhe përmes tij dhe njëherë SHBA-së që të sjellin prova për korrupsionin e lartë shtetëror gjatë qeverisjes së tij, shkatërrimin e drejtësisë dhe minimin e demokracisë në vend.
Ndonëse DASH nuk merr asnjë vendim pa prova, aq më tepër ndaj një individi politik si Sali Berisha, lideri i një vendi të vogël, pavarësisht se ai ka qeverisur me dorë të hekurt këtë vend për 30 vite me radhë, në pushtet apo në opozitë.
Berisha e kërkon të shkruar argumentimin e akuzave të bëra nga DASH, nëse “larg qoftë” Basha ndërmerr vendimin për të larguar atë nga grupi parlamentar, distancimin e PD prej tij apo dhe ngrirjen e marrëdhënieve mes tij dhe PD e grupit të deputetëve.
Përndryshe lideri historik kërcënon se do të bëjë çmos që ta kthejë PD-në në bazën e vlerave mbi të cilat është themeluar, një paralajmërim se do të marrë në dorë drejtimin e kësaj partie dhe zyrtarisht për ta orientuar siç di dhe vetë Berisha, “drejt vlerave demokratike”.
“Raportet e mia me Bashën dhe me PD-në ndërtohen mbi bazën e qëndrimit ndaj disa parimeve të caktuara. Në respekt të atyre parimeve unë qëndroj plotësisht e s’mundem nga asgjë, por nesër nëse PD do merrte një qëndrim aparimor, Berisha do bënte gjithçka që PD të rikthehet në ato vlera.
Do bëj gjithçka në kuadrin kushtetues për rikthimin e PD në vlerat që ajo është themeluar. deja se PD është parti e Sali Berishës , ata që mendojnë se unë me akte konkrete me propozime konkrete kam drejtuar PD gjatë kohës që ishte në opozitë, ata mashtrojnë vetën e tyre”, paralajmëroi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Berisha.
Kërcënimi i tij nuk është ndaj SHBA apo ndaj ambasadores në Tiranë Yuri Kim. Aspak. Atyre nuk ka çfarë u bën pasi nuk ia “vërshëllejnë” fare. Thjeshtë e duan jo vetëm “non grata” në SHBA, gjë që e kanë realizuar por dhe “non grata” në Parlament, PD dhe politikën shqiptare.
Pjesa tjetër është thjeshtë retorikë, për të cilën amerikanët nuk shpenzojnë asnjë sekondë. Gjithë barra e zgjidhjes së këtij ngërçi vetëm tre ditë para mbledhjes dhe konstituimit të parlamentit të ri, me shumë gjasa në lozhë nuk do të jetë asnjë nga ambasadorët e vendeve mike të akredituara në Shqipëri, i bie ta zgjidhë Lulzim Basha. Ai është kryetar zyrtar i PD.
Për një mijë arsye kemi thënë se Lulzim Basha nuk e dëbon dot Sali Berishën nga PD. E ka deklaruar dhe vetë një fakt të tillë, por dhe nëse e ka në mendje, as nuk guxon ta bëjë.
“Hija” e rëndë e Berishës shkon përtej marrëdhënieve të një “babai” politik me “birin” e tij politik, pasi ish kryeministri ka treguar se kur i preken interesat personale të tij dhe të familjes, nuk ka asnjë skrupull, por përmes “ruajtjes së vlerave në PD” mund të flakë dhe njeriun më të afërt politik nga kjo parti.
Praktikisht Berisha e zotëron PD, qoftë me burime njerëzore, anëtarët e forumeve e sekretariatit me një telefonatë të tij mblidhen dhe e largojnë Bashën nga drejtimi, qoftë dhe me anëtarësinë që beson se vetëm Sali Berisha mund të mundë Ramën dhe të kthejë PD në pushtet.
Rasti i largimit të ish kreut të PD Eduart Selami nga kryetar i PD shumë vite më parë, madje dhunshëm e ndaluan të marrë pjesë në Këshillin Kombëtar që e shkarkoi atë ditë, por dhe ndikimi i fortë vit pas viti në drejtimin e PD dhe mbi të gjitha në zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie pas dorëheqjes së tij në vitin 2013, tregon qartë se kush e ka në dorë këtë parti realisht.
Kësaj situate i ka “kontribuar” dhe vetë Lulzim Basha, i cili jo vetëm që është emëruar në të gjitha pozicionet nga Berisha, qoftë si ministër në disa dikasteret më të rëndësishme në vend në kohën e qeverisjes së PD, dhe kryetar i bashkisë së Tiranës kur i rrëmbeu mandatin në tavolinë kryeministrit aktual Edi Rama, por dhe e ka “qelbur” në të gjitha këto pozicione.
Eshtë me vend të kujtojmë se sa ishte ministër Transportesh u zhdukën 230 milionë euro nga Rruga e Kombit, sa ishte ministër i Jashtëm u fal një pjesë e territorit shqiptar Greqisë, sa ishte ministër i Brendshëm u vranë 4 demonstrues të opozitës para kryeministrisë. Ndërsa si kryetar bashkie i Tiranës, për 4 vite nuk bëri asnjë punë por vetëm legalizoi një shtesë pallati për vete.
Ndërkohë që dhe kryetar PD në të gjitha herët është zgjedhur nga Sali Berisha. Por dhe në këtë pozicion nuk arriti të shënojë asnjë fitore përballë rivalit politik Edi Rama.
Ndaj për të ‘amortizuar’ sadopak Berishën, për ta larguar nga PD as që mendohet, Bashës i duhet të paktën një fitore, përmes të cilës të ngrejë një kauzë për të bindur demokratët dhe elektoratin se ka shanse për të ardhur një ditë në krye të qeverisë.
Një fitore në tavolinë apo terren, kudo qoftë i nevojitet Lulzim Bashës për të “mbytur” zërat se sa të jetë ai në krye të PD opozita nuk vjen në pushtet apo se Sali Berisha është fajtori kryesor që solli dhe mban në krye të PD një lider të tillë të pafuqishëm për të sjellë opozitën në qeverisje, pasi ka humbur të gjitha betejat përballë kundërshtarit politik dhe PD tashmë është në mandatin e tretë në opozitë.
Ftesa e Ramës për një tryezë politike, është një shans për Bashën që të luajë fort në tavolinë për të marrë një fitore të mundshme që të ngjallë shpresat e demokratëve për ndryshim kursi të PD drejt ardhjes në pushtet.
Një fitore që mund të jetë ajo e ndryshimeve Kushtetuese, ku të preken të gjitha nenet që kanë lidhje me zgjedhjet, me mocionet e mosbesimit dhe të besimit të kryeministrit dhe elementë të tjerë bazikë që mendon se favorizojnë në zgjedhje mazhorancën në pushtet, për t’i vënë të gjitha partitë në një start gare të barabartë në ballafaqimet zgjedhore.
Një ‘fitore’ tjetër e mundshme mund të ishte dhe arritja e një konsensusi me Ramën për të patur mundësinë e propozimit të një emri për President konsensual. Sali Berisha fitoi shumë në vitin 2002 me arritjen e imponimit të Alfred Moisiut si president konsensual. Ndonëse Alfred Moisiu menjëherë u barazlargua nga të gjitha palët politike duke qënë ndoshta presidenti i vetëm që luajti rolin e kreut të shtetit dhe të simbolit të unitetit të kombit.
Të gjithë e mbajnë mend atë kohë kur Berishën e quajtën të fituar në këtë tryezë me kreun e mazhorancës së atëhershme Fatos Nano, pasi presidenti jo vetëm që ka në dorë SHISH dhe është komandant i përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura, por asokohe opozita propozoi dhe numrin dy të shërbimit sekret.
Nëse Basha arrin që të imponojë zgjedhjen e një presidenti konsensual por të propozuar prej tij, gjë të cilën Rama me sa duket është gati ta pranojë, arrin një fitore të vogël por shpresëdhënëse për të “mbytur” sadopak hijen e rëndë të Berishës në PD. Që, pa pasur votat e mjaftueshme qeverisi plot 13 vite, mori thuajse të gjithë presidentët, me përjashtim të Rexhep Meidanit, dhe krijoi bindjen tek shqiptarët se është një lider që e merr atë që i takon, e ndoshta më tepër.
Ndërkohë që Lulzim Bashës do t’i duhet që të përfitojë dhe nga ndarja e re territoriale, e cila të arrihet përmes një konsensusi me mazhorancën. Nga ana tjetër, ndonëse është e pamundur të imponojë zgjedhje të parakohëshme në pushtetin vendor, sëpaku në ato bashki ku nuk ka kryetar, si në Shkodër, Durrës, Vorë etj., PD duhet të përgatitet të marrë maksimumin e vet, për të pasur një përfaqësim në qeverisjen vendore por dhe për të treguar trendin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sërish do ishte një “amortizator” i Berishës dhe i zërave kundër në PD!
Basha duhet ta shënojë një fitore në këto elementë për të zbutur sadopak ndikimin e Berishës në PD, pasi për të larguar është një mision i pamundur prej tij. Thjeshtë të fitojë pak e nga pak mbështetjen e demokratëve dhe të elektoratit shqiptar, për ta pasur më pas mbështetje për të pretenduar ardhjen në pushtet.
Ndaj Basha nuk duhet të humbë asnjë minutë kohë me “pirueta” për të treguar se po përpiqet që me dorën e tjerëve të kërkojë nga Berisha largimin nga grupi parlamentar dhe PD. Janë të bindur dhe demokratët, dhe shqiptarët dhe ndërkombëtarët se Basha nuk ka fuqi të dëbojë Berishën nga PD. Nuk i duhet kërkuar Bashës e pamundura, ndërkohë që i vetmi në PD është po Basha që nuk ka thënë asnjë fjalë publike për Berishën.
Rruga tjetër është më e shkurtër, por dhe më çliruese për të: Lulzim Basha të japë dorëheqjen dhe t’ia lërë dhe zyrtarisht Berishës në dorë PD, për të parë se si do të veprojë me të. E sigurtë është se Basha dhe nëse kandidon pa mbështetjen e Berishës s’fiton. Por më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund.
Megjithëse këto sygjerime nuk janë për Bashën, i mësuar të “vegjetojë” dhe të bëjë punët me duart e të tjerëve. Këtë radhë “mentori” i tij politik është i zënë me hallet e veta, të cilat nëse dhe Basha nuk i bën të vetat dhe të PD, s’ka vend në kupolën e partisë. Të shohim. Dhe tre ditë kohë kanë mbetur deri në konstituimin e Parlamentit të ri.