Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ne bashkepunim me inkubatorin e biznesit Oficina organizoi takimin e parë, i cili shënoi nisjen e projektit për “Zhvillimin e Kapaciteteve për Startup-et Shqiptare”. Ky projekt është pjesë e Programit të BERZH për Ballkanin Perëndimor “Star Venture” i cili është konceptuar për të ndihmuar me shërbime konsulence dhe mentorim kompanitë startup me potencial të lartë zhvillimi, me qëllim mbështetjen në përshpejtimin e fazave të rritjes së tyre. Programi Star Venture për rajonin e Ballkanit Perëndimor financohet nga Luksemburgu nëpërmjet Fondit të BERZH “Small Business Impact Fund” (SBIF) (donatorë të tjerë janë Italia, Japonia, Korea, Norvegjia, Suedia, Zvicra, TaiwanBusiness – EBRD Technical Cooperation Fund dhe SHBA).
Oficina është një nga bashkëpunëtorët e rëndësishëm të rrjetit të partnerëve të Këshilla për Bizneset e Vogla, BERZH, për zbatimin e Programit Star Venture në Shqipëri. Programi ka si qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore të asistencës teknike dhe mentorimin e kompanive inovative startup në fazat e para të zhvillimit të biznesit, me synim inkurajimin e inovacionit në sektorë të ndryshëm me potencial zhvillimi në Shqipëri. Aktivitetet e projektit do t’i mundësojnë startup-ve të zgjerohen në tregjet ndërkombëtare dhe të aksesojnë mënyra alternative financimi për rritje të mëtejshme.
Për një periudhë 6-mujore, projekti për “Zhvillimin e Kapaciteteve të Startup-eve Shqiptare”, do të mbështesë 12 biznese startup, të cilat do të përfitojnë nga asistenca teknike dhe ekspertiza e konsulentëve lokalë dhe ndërkombëtarë.
Aktivitetet e projektit do të përqendrohen në:
- Mbështetjen e startup-eve për të identifikuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe për të ndërtuar një strategji të suksesshme komercializimi;
- Përgatitjen e planeve konkrete të zhvillimit strategjik për startup-et duke përfshirë krijimin e prototipeve dhe modeleve të biznesit për të aksesuar tregje lokale dhe ndërkombëtare;
- Analizimin e tregut, vlerësimin e potencialit të produkteve/shërbimeve në treg, krijimin e një roadmap për kapjen e tregut, dhe si të realizojnë qasjen ndaj investitorëve, partnerëve dhe klientëve;
- Zhvillimin e sesioneve trajnuese me qëllim rritjen e aftësive të startup-eve dhe përgatitjen për fazat e mëtejshme të zhvillimit;
- Rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe rritjen e kapaciteteve në menaxhimin e tyre.
Për më shumë informacion, vizitoni faqet në internet dhe rrjetet sociale të EBRD Star Venture Programme dhe Oficina:
www.oficina.al, www.ebrd.com/starventure/overview, www.ebrd.com/knowhow/albania, www.facebook.com/al.oficina; www.instagram.com/oficina_innovation_hub/, www.facebook.com/ebrd.asbalbania