Nga Alfred Peza
Po mbushen rreth 100 orë nga momenti kur Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, bëri në oborrin e SHQUP, deklaratën më të fortë qëshkurse ka mbërritur me mision në Tiranë. Ajo i kërkoi Lulzim Bashës që ta largojë Sali Berishën, për të mos qenë më pjesë e Grupit Parlamentar të PD, në nisje të sezonit të ri politik në shtator. Por i vetmi që nuk ka folur për këtë çështje, është Lulzim Basha, të cilit duket sikur ia ka ngrenë macja gjuhën!
Nga ai moment e deri më sot, Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë status në rrjetet sociale. Nuk ka dhënë asnjë prononcim në media. Nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare. E nuk ka lëshuar as sinjale e mesazhe publike për të kuptuar se në cilën anë të historisë do të jetë. Çështja e largimit të Sali Berishës, është një problem i shtruar për zgjidhje dhe jo një nga ato plagë që mund ti shërojë koha. Përderisa koha nuk të ndihmon dot, atëherë edhe heshtja, nga engjëll mbrojtës shndërrohet në ferr.
Megjithatë numërimi mbrapsht ka nisur dhe SHBA po pret me durim, ding-dongun e “orës zero”. Nëse Lulzim Basha do futet në sallën e Parlamentit përkrah Sali Berishës, atëherë ajo që pritet të ndodhë, është shumë e qartë. PD tragjikisht do të nisë “të hajë bar”, pasi për të, fillon izolimi total nga perëndimi. Për SHBA dhe BE pas kësaj, si bunkeri politik që opozita po krijon për “liderin e saj historik” ashtu edhe ai vetë që do të strehohet brenda saj, do të jenë e njëjta gjë.
Ndërkohë që Lulzim Basha do vijojë të na flasë me heshtjen e tij, ai që nuk ndalet kurrë, është protagonisti kryesor i kësaj historie. Sali Berisha i është përgjigjur flakë për flakë kryediplomates amerikane në Shqipëri, për të nisur bashkë me propogandën e tij, luftën totale kundër saj dhe SHBA. Kjo është lufta finale për të, ndaj ai po bën gjithçka që ti ndajë palët në pro dhe kundër. Sipas parimit: O me mua, o kundra meje, rrugë të mesme nuk ka!
Ata që po mundohen ta mbrojnë publikisht, sëfundi kanë përqafuar tezën se Sali Berishën nga politika mund ta largojnë veç dy gjëra; ose vota e popullit, ose vetja! Është e qartë tashmë, se me vullnetin e tij Sali Berisha nuk ikën, përderisa nuk e ka bërë që nga 2013. Sa për atë se mund të largohet me votë, në Ballkan ajo asnjëherë nuk ka qenë problem për liderët autokratë, të korruptuar e të kriminalizuar. Problem mbetet pastërtia e figurës së tyre përballë ligjit, kushtetutës dhe sistemit demokratik.
Po të ishte thjeshtë çështje votash, Ivo Sanader në Kroaci e Nikola Gruevski në Maqedoni, ndoshta do vijonin të ishin ende në politikë. Nëse do ishte për vota, edhe liderët e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës që janë në Gjykatën e Hagës për krimet e luftrave në ish Jugosllavi, do ishin ende në jetën aktive politike në Beograd e Sarajevë. Nëse do të ishte vetëm punë votash, shumë nga ish deputetët që u larguan nga politika për shkak të ligjit për dekriminalizimin në Shqipëri, do të ishin sërisht në shtator në Parlament.
Sali Berisha për shkak të veprave të korrupsionit, është shndërruar në minuesin e sistemit demokratik në Shqipëri. Ka qenë ky motivacioni i sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, që futën atë e familjen e tij, në listën e zezë të SHBA. Edhe kaq do të mjaftonte për ta larguar atë nga politika, përderisa për të njëjtën arsye, ka qenë vetë PD e Lulzim Basha që detyruan kundërshtarët e tyre politikë ta bënin këtë më parë.
Por kur vjen puna tek praktika, Sali Berisha i ka qëndruar gjithnjë besnik parimit të tij 30 vjeçar: Bëni si them unë, por mos bëni siç bëj unë! Këtë radhë, duke e ndjerë fundin e pashmangshëm, ka shkuar akoma më larg. Ka kërcënuar sot publikisht Lulzim Bashën, se do të dalë vetë nga PD, nëse i shkon qoftë edhe në mendje ta zbatojë ultimatumin e SHBA. E ka bërë këtë, përmes vargjeve të Viktor Hygo, shkëputur nga fjalimi në një nga aktivitetet e dikurshme të PD:
“Njëmijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,/ Po dhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;/ I dhjeti do të jem, po qe se mbetën dhjetë;/ E në mbettë veç një,- unë do të jem ai!
E thënë ndryshe, nëse asnjë nuk do ta mbrojnë në shtator, janë të gjithë të lirë që të largohen nga SHQUP përveç Sali Berishës! E kur e thotë ai e mban fjalën dhe këtë e di më mirë se kushdo tjetër Lulzim Basha, ndaj veç po hesht jo se ia ka ngrënë macja gjuhën. Por sepse Sali Berisha, ia ka prerë kokën maces së martetës së tyre politike, që natën e parë kur e bëri Kryetar të PD.