Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të martë se nuk është i shqetësuar për trendin e kriminalitetit apo aksidenteve në vendin tonë. Duke marrë parasysh ngjarjet e ditëve të fundit, ku 8 qytetarë humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik dhe një përplasje me armë Rama tha se trendet janë brenda një limit.
Ngjarjet e ditëve të fundit janë tronditëse, për kryeministrin, por kjo nuk do të ndikojë në sezonin turistik sipas kryeministrit. Ai deklaroi se turistët po vijnë dhe do të vijnë.
“Pikë së pari nuk jam i shqetësuar në aspektin e trendeve të kriminalitetit apo të aksidenteve. Sepse trendet shikohen përtej 1-2-3 apo 4 ngjarjesh shumë tragjike dhe mjafton t’i shikoni dhe do të shikoni që trendet janë brenda një limiti që përcakton edhe shkallën sesi kriminaliteti apo aksidentet, ulen apo ngrihen. Natyrisht që ngjarjet e ndodhura janë tronditëse nuk diskutohet, por për turistët mos kini asnjë merak. Atmosfera e një vendi ku medemek turistët nuk duhet të vijnë se rrezikojnë të vriten rrugëve, është në ekran dhe jo në realitet. Fakti e tregon që turistët po vijnë dhe do vazhdojnë të vijnë. Turistët nuk vijnë nga hëna, vijnë nga vete ku jetohet, ku ka dhe situata të vështira, dhe ku 1-4 ngjarje nuk përcaktojnë nivelin e sigurisë apo nivelin e pasigurisë në një vend”.
Sipas kreut të qeverisë duhet të jemi më realistë dhe të mos kalohet në ekzagjerime. Ai u shpreh se Policia e Shtetit nuk mund të shmangë një aksident kur një i papërgjegjshëm i jep makinës me shpejtësi të lartë, apo kur pas mesnate ndodh një sherr mes fqinjëve.
“Të thuash që është bërë më keq sesa Covid… unë mendoj që duhet të jemi shumë realistë dhe duhet të kuptojmë mirë sesi është dinamika e çdo ngjarje dhe natyrisht çfarë duhet të bëjë secili. Ne nuk jemi në asnjë sekond të kënaqur me punën tonë, e strukturave tona, që nga puna ime, deri tek puna e cilidoqoftë… por të kalojnë në ekzagjerime të kësaj natyre. Un nuk e di sesi policia e shtetit mund të shmangë një aksident, kur një i çmendur ecën me shpejtësi, apo sesi mund të gjendet pas mesnate ku bëjnë sherr dy fqinj”, tha Rama.
Sa i përket reformimit të Policisë së Shtetit, Rama tha: “Pjesa jonë është e qartë, vazhdimi i procesit të reformimit dhe fuqizimit të Policisë së Shtetit në sensin e ristrukturimit të vazhdueshëm për të arritur të gjithë objektivat që kanë të bëjnë me moshën, integritetin, performancën e gjithsecilit dhe fuqizimin e Policisë së Shtetit me teknologji, në mënyrë që gjithçka në aspektin e monitorimit të territorit”.
/a.r