Opinioni i Komisionit të Venecias me sa duket do të jepet në vjeshtë, duke e shtyrë në pafundësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por dhe për fatin e Presidentit!
Jordan Daci avokat i Shoqatës së Bashkive, e cila i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019, thotë për Top Channel, se opinioni Venecias në Tetor 2019, për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve nga presidenti Meta, dhe mospjesëmarrjen e partive opozitare në zgjedhje, nuk është i mjaftueshëm për këtë çështje në gjykim.
“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë relativisht të rinj, çka do të thotë e kanë të nevojshme edhe një mendim profesional dhe kjo nuk e zhbën të drejtën atyre por e bën të matur trajtimin e çështjes. Kjo edhe për të patur një unitet me të madh midis anëtarëve pasi kjo është një çështje që edhe mes juristëve ka shumë përçarje. Është çështja që përfshin më shumë çështje kushtetuese për tu analizuar dhe trajtuar më e madhja që ka patur kjo gjykatë që nga krijimi madje edhe në nivel botëror rrallë herë një gjykate i duhet të shprehet të themi për gjysmën e kushtetutës”.
Por a do të jetë vendimi Gjykatës Kushtetuese i bazuar tërësisht në opinionin e Venecias?
“Jo. Kjo është tërësisht e pamundur teorikisht. Venecia nuk do ti japë përgjigje çdo çështje që ka kjo çështje në Gjykatën Kushtetuese. Madje as vetë Gjykata Kushtetuese nuk do ti kërkojë përgjigje për çdo gjë se nuk do të ishte e pranueshme. Venecia është kujdesur që në çdo opinion edhe me vendet e tjera të mos i vërë institucionet kombëtare përpara faktit të kryer. Do ti lërë Gjykatës Kushtetuese diskrecion shumë thelbësor në vlerësimin e çështjes”.
Avokati Jordan Daci thotë se me të gjitha gjasat në Tetor, Gjykata Kushtetuese do ta ketë në dispozicion opinionin e Venecias./m.j