Nga Shpëtim Nazarko
Nëse do të ishim një vend normal, natyrisht, zgjedhjet për kryetarin në PD, do të zhvilloheshin pa kandidaturën e Bashës. Çdo statut normal i partive të sotme në Evropë, a më gjerë, do të theksonte thjesht, se në rast humbjeje, kryetari largohej nga posti dhe kaq. Po a e kanë partitë tona, këtë pikë, në statutin e tyre? Pyetjes për këtë u përgjigjen se një pikë e tillë ka qenë, po e kanë hequr.
Kaq do të mjaftonte, për të kuptuar se kryetari i partisë mund të qëndrojë deri sa ta shohë ai, të arsyeshme. Kaq e thjeshtë është. Pse ndodh kjo?
Pavarësisht çfarë shkruajmë e flasim, duhet të kuptojmë njëherë e mirë, se edhe partitë, si dhe pjesët e tjera të shoqërisë janë brenda ciklit të përgjithshëm ku ecën e gjithë kjo shoqëri.
Ne jemi ende një shoqëri gjysmëfeudale dhe prandaj, zbatojmë rregullat e saj ose më ndryshe, jemi të detyruar të jemi brenda ciklit të zhvillimit të këtij tipi shoqërie. Kush nuk e kupton këtë, më duket një viktimë e mjerë dispensash ose që e kupton historinë dhe datat, a vitet, si etiketa të vendosura në shishe mallrash.
Nisur nga sa më sipër, Basha do të fitonte normalisht, në këtë betejë për rizgjedhje. Thjesht, është respektuar procesi i zhvillimit të shoqërisë në këtë fazë gjysmëfeudale ku ajo është.
Po mbi këtë analizë të karakterit të përgjithshëm, duke parë ngjarjet e kupton se, rizgjedhja e Bashës nga elektorati i partisë së tij është normalitet, referuar edhe situatës specifike.
Mëtonjësit e tij u kujdesën që t’i thoshin elektoratit, që Basha, nuk i çon në fitore, se ai ka prishur partinë, etj. Mund të jetë e drejtë, por një tezë e tillë hidhet brenda partisë, apo familjes tënde politike, por jo në publik. Kjo, sepse pranimi i një teze të tillë, do të shtonte kaosin brenda partisë dhe demoralizimin e plotë të saj.
Ajo që Basha theksoi, se zgjedhjet ishin vjedhur, natyrisht, nuk besohet nga një pjesë e mirë e antarësisë. Por, a ishte një alibi më e mirë për t’u përtypur, se ajo që Basha nuk mund t’i shpjerë gjëkundi dhe se vetë ai, vjedh zgjedhjet brenda partisë, etj., etj. Natyrisht, do të ishte më mirë të theksohej nga kandidatët sesi do të bënin ata, që të mundnin Ramën, sesa të qaheshin e të nxirrnin në publik ankesa të mëdha për Bashën, që sa turpërojnë atë, turpërojnë edhe vetë Partinë Demokratike.
Në kontekstin aktual të ngjarjeve që po zhvillohen, zgjedhja e Bashës është normalitet edhe për një arsye tjetër. Perëndimi ndoshta e di mirë, se nuk mund ta çojë opozitën në zgrip duke favorizuar figura të tjera në këtë fazë, që përkohësisht shpien në një dobësim më të madh të saj, referuar edhe eksperiencës personale politike të tyre, apo ngjarjet që karakterizojnë vendin në këtë periudhë të afërt. Basha, me votat që mblodhi në zgjedhjet e fundit riparoi një defekt të madh të partisë së tij, e cila prej 2011-ës, ka pasur një rrjedhje votash drejt LSI-së. Kemi prapë, dy parti të mëdha, me premisë për të siguruar një stabilitet më të madh.
Me rizgjedhjen e Bashës, pengohet përfundimisht edhe Berisha, që në një rast tjetër do ta kishte akoma më të lehtë, të rivinte në krye të PD-së. Natyrisht, Basha në këtë rast, ka marrë borxh me kamatë të lartë, pasi përsëri, mbi të do të rëndojë më shumë se më përpara përcaktimi i një linje të qartë dhe jo qarjeje për ndikimin a rolin e Berishës mbi të atëherë, por veçanërisht tani e tutje, kur mbi ish-kryetarin e vjetër ekzistojnë probleme veçanërisht me amerikanët.
Pa hyrë në teorira konspirative, Basha mund ta ketë dhënë këtë garanci, si dhe ecjen përpara të gjërave në një normalitet të pranueshëm.
A kemi të bëjmë me një sy qorr dhe një vesh shurdhër të perëndimit, mbi ngjarjet në PD? Një pjesë e analistëve përdorin termin “Stabilokraci”, jo vetëm për gjykimet dhe veprimet e të huajve ndaj qeverisë, por edhe për ato të opozitës.
Mendoj që fjala “Stabilokraci”, vlen më shumë për vende të botës së tretë dhe jo për Shqipërinë. Besoj se në rastin tonë, apo për ngjarje që zhvillohen në Europë, perëndimi kujdeset për një ekuilibër dinamik. Ai nuk favorizon asnjëherë, qeveritë që mund të bëhen problem për ata vetë, kur ato rrëzohen me zhurmë, duke lënë nga prapa mjerim ekonomik dhe paqëndrueshmëri sociale. Kjo nuk lejohet, sepse është vetë perëndimi, që duhet të paguajë në një masë të madhe, kostot e rindërtimit.
Nisur nga sa më sipër, besoj që Perëndimi, mbas goditjes së Berishës dhe shkarkimit të Metës, e sheh ekuilibrin e opozitës si më të rëndësishmin që u siguron qetësinë. Folur me terma të ashpër, Perëndimi e shikon ftohtë, por dhe me arsye ndoshta, veprimin e Bashës, i cili, në një farë mënyre, me dashje apo pa dashje, largoi jo vetëm Berishën nga ndikimi i nesërm i ngjarjeve, por edhe LSI-në e Metës./Konica.al