Zgjedhjet në PD mund të shpallen nul nga gjykata pasi të gjitha ndryshimet e bërë në statutin partisë nuk janë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës ashtu siç parashikohet nga Ligji. Deklaratën e bëri në Report Tv, anëtari i grupimit “Për PD-në”, Edvin Kulluri.
Kulluri thotë se kandidati i përjashtuar nga gara në Partinë Demokratike Ibsen Elezi ka paraqitur një padi në gjykatë për anulimin e këtyre zgjedhjeve. Anëtari i grupimit “Për PD” tha se Elezi ka dërguar në gjykatë padinë pasi PD-ja ka ndryshuar disa herë statutin e PD-së, por nuk e ka depozituar në Gjykatë dhe kjo sipas tij, i bën zgjedhjet të pavlefshme.
“Kandidati Elezi ka bërë një padi për të ndaluar zgjedhjet. Kjo është një parti që shkel ligjin mbi të cilin funksionon vetë. Partitë politike janë të detyruara të dorëzojnë në gjykatë çdo ndryshim statutor që bëhet nga institucionet e saj dhe kjo nuk është bërë.
Sot ka një seancë paraprake të kësaj padie. Normalisht çdo gjyqtar në Republikën e Shqipërisë duhet të ndalojnë procesin pasi i gjithë procesi në vetvete është nul”, tha Edvin Kulluri.
Me bindje, Kulluri thotë se Partia Demokratike do të dalë më e dobët nga kjo garë e brendshme, duke nënvizuar se zgjedhjet nuk janë të lira.
Ndërkaq Kulluri akuzoi edhe kreun e komisionit të zgjedhjeve në PD jemin Gjana, për të cilin thotë se ende nuk ka marrë përgjegjësi për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2017. Në fund shtoi se grupimi dhe kandidatja Edith Harxhi do t’i shkojnë zgjedhjeve deri në fund.
Kater kandidatet, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, sot do të zhvillojnë takimet e fundit elektorale, ndërsa dita e nesërme është heshtje zgjedhore dhe nuk lejohen aktivitetet. Të shtunën më 13 qershor demokratët do të thonë fjalën e fundit me vota, se kush do të drejtojë PD për 4 vitet e ardhshme.
Komisioni Zgjedhor sot hapi listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Nga rradhët e PD ka pasur akuza se zgjedhjet janë një farsë dhe se u është hequr e drejta e votës shumë anëtarëve me qëllim që të fitojë Basha./m.j