Shërbimet e policisë kufitare të Vlorës kapën të mërkurën një gomone, e cila dyshohet se do të përdorej për trafikimin e një sasie lënde narkotike.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, mjeti lundrues u kap në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman, gjatë një operacioni që u organizua mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. “Gomonia, me gjatësi 9 metra, e pajisur me dy motorrë 225 hp secili, u konstatua në orët e mëngjesit në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman”, saktësuan burimet, sipas të cilave bashkë me të u kapën dhe u shoqëruan në Triport dy persona, A.Dhrami, 49 vjeç dhe A.Jaho, 50 vjeç, të dy banues në Vlorë, të cilët po pyeten.
Paraprakisht, policia dyshon se, mjeti lundrues, pa asnjë dokument shoqërues, do të përdorej për trafikimin drejt Italisë të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike. Për këtë arsye, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Fierit, po kontrollohet e gjithë zona ku u kap gomonia, ku mendohet se është fshehur lënda narkotike.