• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, May 21, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

75 vjet, Lefter Çipa!

by A R
17/02/2017 13:02
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Pas përjetësimit të krijimtarisë së veprimtarisë së tij në Memorialin e Polifonisë “Gurë e tinguj” në Pilur, në nderim të mjeshtrit të madh, për 75-­vjetorin e tij të lindjes, mbrëmjen e pardjeshme u organizua në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës takimi “Një natë me fjalën e Leftër Çipës”. Një mbrëmje kushtuar veprimtarisë së tij, këngës dhe poezisë së poetit, në të cilën morën grupi Polifonik i Pilurit dhe i Himarës, Ansambli Kombëtar Popullor i Këngëve dhe Valleve dhe këngëtarja Mimoza Kosturi. Por, nuk munguan as studiuesit, si Vasil S.Tole, Petrit Ruka etj., të cilët me interpretimin e tyre e bën edhe më të kuptueshëm kontributin real të këtij autori, që cilësohet si Princi i Polifonisë Shqiptare.

Vasil S. Tole: Lefter Çipa,

Megjithëse aktiviteti titullohet “Një natë me fjalën e Lefter Ҫipës”, do të pohoja se fjala e Lefterit është vetëm materia e artit të Tij, ndërsa shpirti i saj gjendet te kënga. Aq e vërtetë është kjo, saqë duket se edhe poezitë e botuara nuk janë gjë tjetër veçse kombinime fjalësh të situra imët në sofrën e këngës, se muzika e padukshme qëndron diku aty mes rreshtave, aty ku ajo nuk dëgjohet e shihet, por ti e ndien se aty është. Për të kuptuar sojin e rrallë të Lefter Ҫipës, si artist i shquar, duhen risjellë në vëmendje bardët, rapsodët e antikitetit, ata që më së miri i përfaqëson Homeri. Pa dyshim, artistë kalibri, tek të cilët trupëzoheshin në një të vetëm arti i fjalës, i muzikës dhe i lëvizjes trupore. E thënë ndryshe, artistë që të kujtojnë kohën kur gjejmë fillesat e krijimtarisë së njerëzimit, ku gjuhët e mundshme të komunikimit ishin ende brenda të njëjtit njeri­artist dhe kur aftësia për të bërë krijimtari, ende nuk ishte copëzuar në parcela, pra që poeti të bënte vetëm poezi e prozë, kompozitori muzikë dhe koreografi valle. Ishte koha kur poeti ishte njëkohësisht edhe muziktar e valltar, e kur nuk e ndaje dot se çfarë nga ato bënte më mirë; kur shqisat e njeriut ende nuk i kishin ndarë rolet e tyre: pra që syri të ishte vetëm i letërsisë, e veshi të ishte i muzikës, siҫ janë sot. Jo, ende, për fat do të thosha. Ishte koha kur fjala shijohej prej veshit së bashku me tingullin, ku fjala dhe tingulli artikuloheshin nga i njëjti aparat zanor, si te Bob Dilani dhe ku përmes syrit lexohej gjuha e bukur trupore e komunikimit. Ato kohë nuk përsëriten më, por kodet kur artet ishin së bashku e të pandara, duket se trashëgohen fare rrallë e me raste, e se Lefter Ҫipa është një bartës modern i këtyre kodeve antike. Arti i Tij, duhet të kuptohet dhe të zbërthehet përmes këtij uniteti metafizik të fjalës, tingullit dhe lëvizjes. Kurrsesi jo vetëm përmes fjalës, pasi fjala është vërtet e para, por është vetëm skeleti i krijimit. Është realisht e vërtetë se ai nuk u bie veglave ose këndon e vallëzon para audiencës si rapsodët e lashtë, ashtu siҫ bënte Pani, Orfeu ose Demodoku. Po për të qartazi këndon dhe vallëzon fjala e Tij, e cila e lind dhe e përcjell këtë unitet artesh si entropi, si një dukuri ekzistenciale ku është fjala, tingulli dhe lëvizja thurin dhe shthurin pambarimisht krijimin nga rendi në kaos e anasjelltas. Arti i Ҫipës është komplementar, pasi aty ku mbaron jehona e fjalës e zë vendin heshtja e tingullit dhe brenda gjithçkaje lëviz pambarimisht limfa e krijimit, si në një valle rrethore. Prandaj Ҫipa është shumështresor, ashtu si kënga polifonike e popullit që Ai e do aq shumë. Se te shtresat dhe përbërësit strukturorë të kësaj tradite, Ai gjen larminë kulturore të njerëzve dhe të botës, se këtë larmi nuk mund ta perceptosh dot e veҫ e veҫ përmes fjalës, tingullit ose lëvizjes, as si individ i shkëputur, por vetëm si artist, pjesë e grupit e së tërës. Prandaj ne mahnitemi nga këngët e Pilurit, të Labërisë, Toskërisë e Ҫamërisë, se aty individualja polifonike e zërave të veçantë dhe kori kolektiv i isos, pleksen si dikur në tinguj, fjalë e lëvizje të pafundme. Hyjnë e dalin tek njeri­tjetri. Dhe çuditërisht dirigjenti i kësaj magjie nuk shfaqet. Ai qëndron në hije si mjeshtri ynë Ҫipa, artisti që i “gatuan” me frymë krijimi të gjitha këto, e që kryesisht përmes fjalës na thotë të vërtetat e Tij të mëdha e të thjeshta, shpeshherë me një gotë raki ose verë përpara: për Shqipërinë, botën, Himarën, Naimin, dëshmorët, dashurinë, familjen, Bejken e bardhë dhe vdekjen e zezë, valën e detit e plisin e tokës, të djeshmen, të sotmen e të ardhmen e saj. Faleminderit Lefter për artin tënd, që ashtu e njëlloj si kënga e arti i popullit do të rrojë jetë e mot. Se si ke thënë zotërote, kur një gjëje nuk i dihet dita e lindjes, si mund t’i dihet dita e vdekjes? Gëzuar!

Petrit Ruka: Jam një dashnor i këngëve të Lefter Çipës prej 40 e ca më shumë vjetësh

Ka disa emra në jetë, në art, në shkencë, që bëhen ekuivalenca dhe simboli i një fenomeni dhe që të shpëtojnë nga sqarimet e gjata dhe të nevojshme. Ja për shembull; thua gjuha shqipe dhe të vjen ndërmend Naim Frashëri apo Çabej, thua poezia lirike shqiptare dhe të vetëtin në mëndje Lasgush Poradeci. Por, nëse thua polifonia shqiptare, kënga labe apo ajo e Bregut e ke të pamundur të të mos vetëtijë në mendje emri i Lefter Çipës. Sepse emri i këtij bardi, më të madhit  që krijoi poezia popullore në këto 50 vjetët e fundit, është i lidhur me të, si mishi me kockën. Lefter Çipa është pa asnjë dyshim pena më e ndritur që mbajti gjallë dhe ngriti në majat më të larta shpirtin e këngës labe, e kësaj fosforine, siç i teket ta quaj ai në bisedat e tij. Janë të shumtë poetët, që e mbajtën gjallë këngën labe, por Lefter Çipa është pranuar tashmë që në të gjallë, se është Princi i Madh i saj. Me një talent të lindur dhe marramendës, i paparashikueshëm dhe mahnitës, krijimtaria e tij ka qenë për gjysmë shekulli një Akademi e Artit Popullor një institut folklori me qendër në Pilur e Himarë. Ne nuk mund të presim sa të na iki pa ia thënë që në të gjallë, se ai, i vetëm ka mbajtur gati tërë barrën e ajkës së krijimeve të atyre qindra këngëve legjendare që janë thesari i polifonisë sonë. Ne nuk mund të presim pa ia thënë se ai i vetëm peshon sa Neço Muka dhe Selim Brati së bashku, sa dhjetëra e dhjetëra bard të tjerë të mëdhenj që i dhanë dritën e tyre këngës popullore. Nuk mund të presim që t’ia themi këtë pas vdekjes. Unë për vete dua t’ia them që në të gjallë, jo vetëm si përkëdhelje të merituar shpirti, por si një mirënjohje të thellë nderimi. Sepse përveç kësaj përkëdhelje nderuese, as unë e as ju në këtë sallë teatri nuk i japim dot gjë tjetër. Dhe të jeni të bindur, se as ai sqimatari i jashtëzakonshëm i fjalës, nuk pranon e nuk do gjë tjetër. Kurrsesi! I dashur Lefter, jam një dashnor i këngëve të tua prej 40 e ca më shumë vjetësh. E kam ditur prej kohësh që do të vinte kjo ditë. Edhe ti e ke ditur, sepse ndryshe nuk do të shkruaje vargjet e një kënge kaq të mahnitshme dhe me gjetjen më të çmendur që ka krijuar ndonjëherë poezia shqipe që ka brenda këto dy vargje; “Të shikoj që mbrapa malit, Të shikoj që më shikon. Tani bëj ç’të duash, vdis po deshe, sepse ti Mjeshtër je sipër malit dhe e di që na shikon tek të shikojmë plot nderim”!

Sejmen Gjokoli:  Një jetë me këngë, në këngë e më këmbë

Dje Lefter Çipa mbushi plot 75 vite jetë. Një jetë me këngë, në këngë e më këmbë. Kockat për vete, mishin e gjakun për këngën e poezinë, për lirikat joniane. Me fjalën e penës së tij të florinjtë përcollëm, në teatrin në Tiranë, një mbrëmje poetike­magjike, tre çerek shekujt që i shkuan. Për t’i hapur udhën çerek shekullit të katërt të jetës që sot i nis. Krenar që të pata e të kam mik të zemrës Lefter Çipa! Bardi qoshelli i Bregut e Labërisë! Të paçim sa më gjatë, Mjeshtër!

Kush është Lefter Çipa?

Lefter Çipa (14.02.1942) ka lindur në Pilur (Himarë). Është një ndër poetët dhe autorët më origjinal të folklorit shqiptar në zonën e Bregdetit të Himarës dhe krahinën e Labërisë. Autor i rreth 20 librave me poezi. Ndër librat më të qarkulluar me poezi të këtij autori janë: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, “Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit” etj. Konsiderohet, si “Princi i sotëm” i Polifonisë Shqiptare duke qenë autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë gojore popullore në trevat jugore të vendit. Autor i mbi 1250 tekste këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike, si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet), grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Prej vitit 1964 është bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit e më pas (1979) i Institutit të Kulturës Popullore. Në arkivin e shkruar të IKP ndodhen qindra faqe me materiale të mbledhura nga ky autor. Veç kësaj, ai ka marrë pjesë edhe në disa ekspedita etno­folklorike të zhvilluara në krahinën e Labërisë dhe sidomos në fshatrat e Bregut të Himarës. Është autor i një filmi dokumentar me përmbajtje etno­folklorike. Lefter Çipa konsiderohet, si autor i shquar i një numri këngësh me përmbajtje dhe nivel të lartë artistik e muzikor, si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “Në sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”,etj. Ky autor ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në 7 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qenë i lauruar në çdo Festival Kombëtar. Lefter Çipa ka botuar një numër të shumtë artikujsh për autorë dhe përfaqësues të shquar të letërsisë kombëtare shqiptare. Ka një arkiv të pasur me dokumente që flasin për fondin autentik të vlerave polifonike shqiptare në Bregdetin e Himarës dhe zonat ku ajo shtrihet. Shumica e personaliteteve më të shquara të kulturës, mendimit dhe kërkimit shkencor kulturologjik kanë përcjellë vlerësime dhe publikime të rralla vlerësuese për veprën, kontributin dhe vlerat shumëplanëshe të këtij autori dhe organizatori të shquar të veprimtarive polifonike dhe folklorike shqiptare në gjithë hapësirën. Lefter Çipa mbahet mend si bashkorganizatori nismëtar i Trios së famshme vlonjate. Ai është burimi ku ushqehen një pjesë e mirë e këngëtarëve dhe kompozitorëve shqiptarë. Disa prej këngëtarëve tanë të mirënjohur, kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të përveç të tjerash edhe disa nga poezitë dhe lirikat e këtij autori.

Next Post
Ky është hoteli rrotullues në Dubai, ku klientët e kanë vetë në dorë pamjen

Ky është hoteli rrotullues në Dubai, ku klientët e kanë vetë në dorë pamjen

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Nuk paraqitej në punë, Hita shkarkon nga detyra të besuarin e Prodës, Ulian Shpataraku

Nuk paraqitej në punë, Hita shkarkon nga detyra të besuarin e Prodës, Ulian Shpataraku

May 20, 2026
VIDEO/ Aktivistët e Flotiljas lidhen të gjunjëzuar nga forcat izraelite, ministri izraelit tallet me protestuesit, indinjatë në Perëndim

VIDEO/ Aktivistët e Flotiljas lidhen të gjunjëzuar nga forcat izraelite, ministri izraelit tallet me protestuesit, indinjatë në Perëndim

May 20, 2026
“Rama-Berisha, dakordësi për ndryshimin e Kushtetutës, duan të mbrojnë interesat e tyre”

Alibeaj: Fundi i Berishës do të jetë fundi i PD! Me Salianji nuk bashkohem, pasi tradhtoi qëndrimin tonë

May 20, 2026
“Aktivisti shqiptar ndodhet në Izrael”, reagon MEPJ: Po punohet për kthimin e Baki Goxhajt në atdhe

“Aktivisti shqiptar ndodhet në Izrael”, reagon MEPJ: Po punohet për kthimin e Baki Goxhajt në atdhe

May 20, 2026
Nominimi i Eric Wendt , ish-ambasadori Çejku: Kur SPAK përmendet në Senat do të thotë se SHBA kanë vëmendje të madhe

Nominimi i Eric Wendt , ish-ambasadori Çejku: Kur SPAK përmendet në Senat do të thotë se SHBA kanë vëmendje të madhe

May 20, 2026
Përplasjet mes kompanive, Behgjet Pacolli tërhiqet nga Aeroporti i Vlorës: Le ta marrin, nuk dua të luftoj me shtetin

Përplasjet mes kompanive, Behgjet Pacolli tërhiqet nga Aeroporti i Vlorës: Le ta marrin, nuk dua të luftoj me shtetin

May 20, 2026
Zogaj për ambasadorin e ri të SHBA: Gjenerali Wendt do lërë gjurmë më shumë se kushdo, mbështetje e fortë për SPAK

Zogaj për ambasadorin e ri të SHBA: Gjenerali Wendt do lërë gjurmë më shumë se kushdo, mbështetje e fortë për SPAK

May 20, 2026
Ambasadori i ri i SHBA, Vangjeli: Wendt, si një kostum i prerë dhe i qepur me porosi për nevojat që ka Shqipëria

Ambasadori i ri i SHBA, Vangjeli: Wendt, si një kostum i prerë dhe i qepur me porosi për nevojat që ka Shqipëria

May 20, 2026
Ilir Meta flet për letrën që trazoi politikën: Ja çfarë i kërkova kreut të SPAK-ut Klodian Braho

Ilir Meta flet për letrën që trazoi politikën: Ja çfarë i kërkova kreut të SPAK-ut Klodian Braho

May 20, 2026
KLGJ njofton vakanca për gjyqtarët e vettingut, Alma Faskaj emërohet komisionere e Avokatit të Popullit

KLGJ njofton vakanca për gjyqtarët e vettingut, Alma Faskaj emërohet komisionere e Avokatit të Popullit

May 20, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In