20 familjet mafioze më të mëdha në botë
Nuk kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrën, por mes tyre ekziston një lidhje e fortë besimi, lidhja e mafias. Janë familje të mëdha mafioze që drejtohen nga bosë të pushtetshëm, por që të gjithë kanë mbështetjen e “Cosa Nostra”-s, disa në Itali dhe disa në Amerikë. Gazeta “Tirana Observer” boton sot historitë, emrat dhe fotot e bosëve të familjeve më të mëdha mafioze në të gjithë botën. Nga familja “Mazara Del Vallo”, “Guadagna”, “Altofonte” në Itali e “Gambino” e “Bonano” në Amerikë. Vrasjet që kanë organizuar dhe dënimet që kanë marrë bosët më të mëdhenj të “Cosa Nostra”-s,
1. Familja “MAZARA DEL VALLO”
Familja më e madhe mafioze në Itali, në vitin 1970 ishte “Mazara Del Vallo”. Ajo drejtohej nga bosi Mariano Agata, 65 vjeç, i cili në atë kohë kishte marrë emrin “Zoti i ligësisë”. Ai zëvendësoi bosin e vjetër Mariano Licari, i cili gjithashtu mbahej mend si urdhëruesi më i madh i vrasjeve në atë kohë. Në vitin 1985 Agata u mbështet me shumë forcë nga faktori “Korleone” dhe kthehet në personin më të rëndësishëm për Toto Riina-n.
2. Familja “ÇINISI”
Është cilësuar si familja më e madhe mafioze e “Cosa Nostra”-s amerikane. “Çinisi” drejtohej nga Badalamenti Gaetano ose siç quhej ndryshe “Don Tano”. Ai filloi të drejtojë këtë familje menjëherë pas vrasjes së ish-bosit Cesare Manzella, në vitin 1963. Në vitet ’70 dhe ’80, së bashku me Stefano Bontadën dhe Mikele Grekon kishin krijuar të ashtuquajturën “Triumvirat” të “Cosa Nostra”-s. “Don Tano” u arrestua në nëntor të vitit 1984 dhe vuajti dënimin në SHBA derisa vdiq, në vitin 2002, në moshën 79-vjeçare.
3. Familja “GUADAGNA”
Masakra e “Capacit” ka si autorë anëtarët e familjes mafioze “Guadagna”, me në krye bosin e saj, Pietro Aglieri, i njohur si “Gentleman-i i vogël”. Ai u kthye në drejtues të kësaj familjeje në vitin 1988, menjëherë pas vrasjes së Giovanni Bontade-s, falë edhe një miqësie me Toto Riina-n. Në fillim të vitit 1990 ai komandoi disa vrasje të bujshme. Është arrestuar më 6 qershor të vitit 1997 dhe është dënuar disa herë me burgim të përjetshëm.
4. Familja “MANDAMENTO”
Një ndër bosët më të fuqishëm të “Cosa Nostra”-s italiane në vitin 1999 ishte Agostino Badalamenti. Ai ishte në krye të familjes “Mandamento” në varësi direkte të bosit të bosëve Bernadro Provenzano. Në vitin 1979, kur ishte vetëm 18 vjeç, ai u dënua me 20 vjet burg, pasi u deklarua fajtor për disa vrasje në provincën e Mesinas. Por menjëherë pasi doli nga qelia, ai u kthye në krye të familjes “Mandamento”, duke u bërë një nga mafiozët më të fuqishëm të asaj kohe në Itali.
5. Familja “GAMBINO”
Një prej gangsterëve më të mëdhenj që kanë sunduar në Nju Jork, John Gotti, dëshironte gjithnjë që të bëhej një njeri i mençur. Në moshën 16-vjeçare ai ishte pjesë e një bande rruge të njohur “Fulton-Rockaëay Boys” që vidhte makina. Në vitet ’70 ai u bë kapo i trupës “Bergin”, një pjesë e familjes “Gambino”. Jashtë mase ambicioz, Gotti u përzje me drogë, gjë e ndaluar kjo nga familjet. Pas shumë tentativash, autoritetet arritën ta dënonin atë në vitin 1992 për vrasje.
6. Familja “Bonano”
Joseph Bonano u largua nga Italia për shkak të regjimit të Musolinit në vitin 1920. Fillimisht u ndalua në Kubë për të kaluar më pas në SHBA. Atje iu bashkëngjit mafies në mënyrë që të parandalonte Musolinin që të merrte Sicilinë. Ai u bë i fuqishëm në Nju Jork. Planet e tij për të eliminuar gjithë familjet rivale u kthyen kundër tij, kur Bonano-n e rrëmbyen për 19 ditë deri sa ai pranoi të hiqte dorë. Përpara se ai të vritej nga Luciano, krijoi familjen “Bonano”, organin sundues mbi familjet mafioze në gjithë vendin.
7. Familja “TOMMASO NATALE”
Salvatore lo Pi çolo, i njohur si “Dhelpra e Bardhë” në vitin 1980 u shndërrua në bosin më të fuqishëm të “Cosa Nostra”-s dhe i dytë në Sicili pas Bernardo Provenzano-s. Ai ishte bosi i familjes “Tommaso Natale” pas vitit 1970. Djali i tij, Sandro, 30 vjeç, u kthye në bosin e dytë të kësaj familjeje në vitin 1999. Pas 25 vitesh në kërkim nga drejtësia italiane, ai arrestohet së bashku me të birin, më 5 nëntor 2007.
8. Familja “BAGHERIA”
Bosi i përjetshëm i familjes mafioze “Bagheria” ishte 68-vjeçari Leonardo Greco. Ai zëvendësoi kreun e kësaj familjeje, Antonio Mineo, menjëherë pasi ai u vra në vitin 1989. Në vitin 1970 ai bashkëpunoi me Berdanrdo Provenzanon, këshillat e të cilit e ndihmuan edhe për drejtimin e kësaj familjeje të madhe mafioze. Si bos i kësaj familjeje në Sicili ai drejtoi trafiqet më të mëdha të drogës, duke përfshirë këtu “Pizza Connection dhe “Iron Toëer”.
9. Familja “RESUTTANA”
Gjatë viteve 1981-1983 “Resuttana” u kthye në familjen më të madhe mafioze, duke u mbështetur fort nga “Korleone”-t. Kjo familje u drejtua nga Francesco Madonia ose siç quhej ndryshe “Don Ci çio”, 80 vjeç. Ai u dënua me vdekje për dhjetëra vrajeve të kryera në vitin 1986, por familja “Resuttana” filloi të udhëhiqej nga trashëgimtari i tij, Diego. Në fakt ai ishte vëllai i tij, i cili trashëgoi pushtetin dhe idetë e “Don Ci ço”-s.
10. Familja “CALTANISSETTA”
Familja “Caltanissetta” në vitin 1975 ishte familja më e madhe mafioze në provincën me të njëjtën emër. Ajo drejtohej nga Francesco di Cridtina, i cili vdiq në vitin 1963 dhe trashëgimtari i tij, i biri Giuseppe di Cridtina, u shndërrua në bos të saj duke u shndërruar në njeriun më të fuqishëm. Aq sa mori nofkën “Tigri” dhe u bë bosi i bosëve. Ai u urrye shumë shpejt nga “Korleone”, pasi kishte mbështetur armikun e tyre Bontade, të “Cosa Nostra”-s amerikane.
11. Familja “VALLELUNGA”
Vrasja e bosit të familjes “Vallelunga”, Francesco Madonia, në vitin 1978, vuri në krye të mafies të birin e tij, Giuseppe-n, i njohur me nofkën “Piddu”. Ai pati gjithmonë mbështetjen faktorin “Korleone”, i cili i dha fuqi edhe më të madhe, duke e shndërruar në njeriun më të pushtetshëm në botën e mafies në atë periudhë. “Piddu” u arrestua më 6 shtator të vitit 1992 në Veneto, ku kishte krijuar lidhje mjaft të forta me familjet e tjera mafioze.
12. Familja “Trapani”
Një nga familjet më të mëdha mafioze të vitit 1982 ishte familja “Trapani”, e cila drejtohej nga bosi Salvatore Minore. Menjëherë pas vrasjes së tij, kjo familje u fuqizua akoma më shumë me ardhjen në krye të saj të 67-vjeçarit Vincenzo Virga. Gjithçka i eci më së miri deri në vitin 1990, kur bosi i saj u fut në telashe të mëdha me familje të tjera mafioze. Virga u arrestua më 21 shkurt të vitit 2001, pas shumë vitesh që ishte i shpallur në kërkim. Bosi i familjes u bë djali i tij, Pietro, 39 vjeç.
13. Familja “CORSO CALATAFIMI-ROÇELLA”
Familja mafioze “Corso Calatafimi-Roçella” pati kohën e lulëzimit të saj dhe u fuqizua së tepërmi kur drejtohej nga “Doktori”, siç quhej ndryshe Giuseooe Guttadauro. 56-vjeçari nga provinca e Trapanit, ishte bosi më i fuqishëm i saj. “Corso Calatafimi-Roçella” pati një mbështetje të madhe edhe nga Provenzzano dhe dy familje të tjera mafioze të kësaj province. Guttadauro u arrestua në vitin 2002 dhe vendin e tij tashmë e ka zënë 74-vjeçari Lorenzo di Fede.
14. Familja “MISTRETTA”
Familja më e madhe mafioze e provincës së Messina-s në Itali, ishte familja “Mistretta”. Ajo u fuqizua së tepërmi duke u kthyer në ortaken më të rëndësishme për shumë familje të mëdha mafioze në kohën kur drejtohej nga 58-vjeçari Sebastiano Rampulla, i njohur si “Xhaxha Bastiano”. Gjithashtu kjo familje u kthye ndër më të rëndësishmet e komisionit të “Cosa Nostra”-s. Vëllai i bosit të kësaj familjeje, Pietro, u përfshi në vrasjen e Falcone-s dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
15. Familja “SAN MAURO CASTELVERDE”
“Babai i madh” është quajtur ndryshe bosi i familjes së madhe mafioze “San Mauro Castelverde”, 82-vjeçari Giuseppe Farinella. Ai mori drejtimin e kësaj pjesë shumë të rëndësishme të “Cosa Nostra”-s italiane në vitin 1975, menjëherë pas vrasjes së babait të tij, Mario Farinella, “babai i mirë i madh”. Kjo familje nën drejtimin e Farinella-s kryente shërbimet më të rëndësishme të “Cosa Nostra”-s. Toto Riina e kishte renditur këtë familje ndër të parat për të për nga rëndësia.
16. Familja “BARRAFRANCA”
Në provincën e Enna-s në Itali, në vitin 1970 u fuqizua së tepërmi familja mafioze “Barrafranca”. Kjo familje u bë edhe më e rëndësishme për rrjetin e “Cosa Nostra”-s kur bos i saj ishte 55-vjeçari Raffaele Bevilacqua, ose siç quhej ndryshe “Gënjeshtari”. Bosi i kësaj familje u shndërrua në njeriun kyç të mafias, në kohën kur bashkë me Provenzano-n filluan të thurnin plane për të hequr qafe Falkone-n dhe Borsellino-n.
17. Familja “SANTAPAOLA”
Familja më e fuqishme mafioze e Catania-s në Itali u shndërrua familja “Santapaola” në vitin 1994, kur drejtohej nga 45-vjeçari Umberto Di Fazio. Ai u kthye në bos të kësaj familje menjëherë pas arrestimit të Benedetto Santapaola-s, në vitin 1993. Di Fazio krijoi lidhje të forta me politikanë të mëdhenjtë të Italisë, duke e fuqizuar edhe më shumë familjen që ai drejtonte. Madje kjo familje nën drejtimin e tij e shtriu rrjetin e saj edhe jashtë Italisë.
18. Familja “PORTO EMPEDOCLE”
Familja mafioze më e madhe në Sicili, në vitin 1986 ishte familja “Porto Empedocle”, e cila drejtohej nga bosi i saj Luigi Putrone. 44-vjeçari kishte urdhëruar disa vrasje të rëndësishme në atë kohë, si ato të gjyqtarëve Seatta dhe Livatino dhe në këtë mënyrë ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Madje ai u arrestua dhe në vitin 1990 u dënua me burgim të përjetshëm. Ai ishte një nga bosët më të fuqishëm të provincës së Agrigento-s.
19. Familja “Pagliarelli”
Një nga familjet më të vjetra mafioze të Italisë, e cila daton që në vitin 1800, ishte familja “Pagliarelli”. Kjo familje drejtohej nga 46-vjeçari Giovani Motisi në vitin 1993, i cili ishte nipi i Matteo Motisi-t që u vra në vitin 1998. Ky i fundit ishte personi më i rëndësishëm që ka drejtuar këtë familje dhe madje edhe për “Cosa Nostra”-n. Ishte personi më i besuar i Riina-s dhe konsiderohej si bosi i dytë më i fuqishëm i Palermos pas Lo Piçolo-s.
20. Familja “Altofonte”
Domenico Raçuglia, 39-vjeç, është konsideruar bosi më i ri i familjeve mafioze. Ai ka qenë dhe është në krye të familjes “Altofonte” që nga viti 1995. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e San Giuseppe Jato-s, i cili ishte njeriu më i pushtetshëm i provincës së Palermos në atë kohë. Në vitin 1990 ai zëvendësoi Brusca-n në krye të “Mandamento”-s. Ai është cilësuar si bosi më i dhunshëm i të gjitha kohërave.