Nga Blerina Hoxha, Monitor
Një proces auditi në ish-komunat dhe bashkitë e reja ka nxjerrë në pah deri më tani 35 milionë euro detyrime të panjohura në pushtetin vendor. Qeveria ka vënë në sekuestro tatimore 24 njësi vendore, nga të cilat 11 bashki dhe 14 ish-komuna, ndër to edhe Bashkia e Kavajës, Fushë-Krujës, Divjakës, Përmetit etj. Njësitë e reja vendore në krizën e gjetjes së burimeve financiare, pas heqjes së taksës së biznesit të vogël, po shumëfishojnë tarifat e shërbimeve.
Njësitë e reja vendore po kalojnë një tranzicion të thellë riorganizimi si rezultat i reformës së re territoriale, teksa janë në krizë të gjetjes së burimeve financiare për të qeverisur territoret e reja. Një proces auditi me ekspertizën e donatorëve që ka përshirë të 373 ish-njësitë vendore ka zbardhur deri më tani një detyrim të panjohur më parë që kalon vlerën e 35 milionë eurove sipas të dhënave nga ekspertët që po merren me auditin. Por shuma pritet që të jetë edhe më e lartë për shkak se procesi nuk është finalizuar. Borxhet e trashëguara nga komunat te njësitë e reja vendore (61 bashkitë) janë shndërruar në një rrezik serioz për mbijetesën e tyre. Shoqëritë përmbarimore, të cilat më parë nuk kishin asnjë mundësi të arkëtonin detyrimet që ish-komunat kishin krijuar ndaj të tretëve tani janë drejtuar te bashkitë e mëdha duke sekuestruar likuiditetet. Si rezultat i kësaj situate, Bashkisë së Shkodrës iu sekuestrua pak kohë më parë fondi mbi 150 mijë euro nga përmbaruesit si detyrim i njërës prej komunave që i është bashkangjitur asaj pak kohë më parë.
Situata alarmante e zbuluar në keqadministrimin e komunave nuk vë në rrezik vetëm qëndrueshmërinë financiare të bashkive të reja, por edhe të qeverisë qendrore. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë para pak ditësh renditi borxhet e pushtetit vendor si një ndër katër rreziqet fiskale më të mëdha që i kanosen vendit.
Borxhet
Kriza e vitit 2008 bëri që në vitet e mëvonshme, qeveria qendrore të rishikonte me ulje edhe fondet për pushtetin vendor në mes të vitit. Kështu shumë njësi vendore, sidomos komuna po edhe bashkitë, akumuluan detyrime ndaj të tretëve duke çuar në faliment disa prej tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka renditur 14 ish-komuna dhe 11 bashki në listën e zezë të tatimpaguesve. Përfshirja e tyre në këtë listë do të thotë se ndaj tyre ka nisur mbledhja me forcë e detyrimeve dhe se praktikisht njësitë e renditura kanë falimentuar. Në listën e zezë të Tatimeve ndodhet edhe Bashkia e Kavajës, Fushë-Krujës, Krujës, Përmetit etj., dhe 7 të tjera.
Por teksa bashkitë e reja ende nuk kanë shoshitur bilancet e tmerrshme të trashëguara nga komunat, janë në emergjencë për të gjetur mënyra se si do të zëvendësojnë të ardhurat që mungojnë nga heqja e taksës së biznesit të vogël. Në fund të vitit 2015, të ardhurat nga biznesi i vogël ishin mbi 2 miliardë lekë. Kjo e ardhur tashmë e munguar për këtë vit po e deformon politikën fiskale të njësive të reja. Në përpjekje për të rritur të ardhurat, bashkitë po rrisin tarifat dhe taksat për disa shërbime. Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend që administron 28% të popullsisë, shumëfishoi taksën e zënies së hapësirës publike dhe gjithashtu dyfishoi tarifat e pastrimit për kategorinë e mesme dhe VIP të biznesit. Zyrtarët e saj argumentuan se, rritja e tarifave u bë në kushtet e handikapit që krijoi heqja e tatimit mbi biznesin e vogël që, vetëm për Bashkinë e Tiranës krijon një gropë prej 600 milionë lekësh në vit.
E teksa me reformën e re territoriale, bashkitë do të kenë gjithnjë e më shumë kompetenca që do të prekin në thelb koston e jetesës së qytetarëve, qeverisja vendore duket se ende nuk ka ekspertizën e nevojshme për t’iu përgjigjur nevojave të reja. Sot e kësaj dite, buxhetet dhe ndryshimet e tarifave dhe taksave nga bashkitë miratohen pa asnjë transparencë, mbahen të papublikuara dhe pa asnjë studim paraprak. Vetëm Bashkia e Tiranës, nëpërmjet vendimit numër 59 të këshillit bashkiak, me rritjen e taksës së hapësirës e ka çuar ngarkesën fiskale te një biznes i vogël sa 40% të xhiros.
25 njësi vendore në faliment
Në Shqipëri, deri tani, praktika ka njohur falimentin vetëm në sektorin privat. Edhe pse në vështirësi të mëdha financiare, kompanitë publike ia kanë dalë të mbijetojnë me taksat tona, por ajo që ka ndodhur vitet e fundit është e pazakontë. Mbi 25 njësi vendore, 14 ish-komuna kishin falimentuar kur u transferuan te bashkitë e mëdha dhe aktualisht 11 bashki në të gjithë vendin janë në prag të falimentit. 11 njësitë vendore, Bashkia e Kavajës, Fushë-Krujës, Krujës, Sukthit, Përmetit, Divjakës, Poliçanit, Rrogozhinës, Memaliajit, Libohovës dhe Tepelenës janë në sekuestro tatimore, të përfshira tashmë në listën e zezë të subjekteve debitore. Gjithashtu në këtë listë janë edhe 14 komuna, që kishin shpallur aftësinë mospaguese të detyrimeve.
Në listën e zezë të tatimeve, ku janë të përfshirë të 25 bashkitë dhe ish- komunat, listohen tatimpaguesit me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.
Publikimi i listës nga tatimet bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Sipas burimeve në tatime, një pjesë e këtij borxhi vjen nga mospagesa e kontributeve për punonjësit e stafeve të bashkive dhe të ndërmarrjeve në pronësi të tyre.
Ministri për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi, është shprehur për mediat më parë se reforma e re territoriale ka shpëtuar nga falimenti një pjesë të konsiderueshme të njësive vendore.
Borxhet e vendorëve, rrezik i ri fiskal
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi borxhet e prapambetura të qeverisjes vendore, si një nga pesë rreziqet potenciale që i kanosen stabilitetit fiskal të vendit. Në rishikimin e gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë, fondi vuri në dukje se autoritetet janë duke ndjekur një strategji të decentralizimit fiskal, e cila përfshin bartjen e funksioneve të caktuara në fushat e shëndetësisë dhe arsimit dhe transferimin e personelit që lidhet me këto funksione nga pushteti qendror tek ai lokal, bashkë me burimet e financimit. Burimet nga grupet e ekspertëve që janë duke bërë auditimin bënë të ditur se deri më tani janë zbardhur detyrime të papaguara të njësive vendore në mbi 35 milionë euro. Një pjesë e këtyre detyrimeve, në mos të gjitha, do të mund të akomodohen në buxhetin qendror, i cili e ka në kurriz një borxh sa 72% e PBB edhe pa këto detyrime.
FMN sugjeron se reforma territoriale e ka reduktuar ndjeshëm numrin e njësive vendore dhe me këtë rast ka rritur përgjegjësinë ndaj tyre. Fondi analizon se burimet financiare për pushtetin lokal do të mund të sigurohen nga transfertat e qeverisë qendrore, si dhe nga një taksë e re mbi tokën truall.
Nga ana tjetër, ekipet e Bankës Botërore dhe të FMN janë duke asistuar qeverinë shqiptare për ngritjen e kadastrës fiskale, e cila do të mundësojë një administrim më të mirë të tatimit mbi pronën në fillim të vitit 2018.
Shpenzimet, sa trefishi i të ardhurave
Shpenzimet që bëri pushteti vendor më 2015 ishin gati 200% më të larta se të ardhurat që u realizuan. Sipas të dhënave të qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të ardhurat që grumbulloi pushteti vendor vitin e kaluar ishin 12.1 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet ishin 36 miliardë lekë ose tre herë më shumë se të ardhurat. Hendeku i shpenzimeve është financuar nga transfertat e buxhetit qendror.
Decentralizimi fiskal, pavarësisht progresit të bërë në dekadën e fundit në lidhje me rritjen e autonomisë së qeverisjes lokale nëpërmjet transferimit të shumë instrumenteve ligjore dhe financiare nga pushteti qendror te njësitë e qeverisjes vendore, pati një prapambetje të dukshme në vitet 2009-2013. Në aspektin e treguesve të decentralizimit fiskal, Shqipëria është shumë poshtë në krahasim me vendet e tjera të Europës Juglindore.
Ajo është e fundit në rajon për sa u përket të ardhurave të qeverisjes vendore (2.2% e PBB ose 0.8% e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore) dhe të ardhurave për frymë të njësive vendore (670 euro); taksa lokale e pasurisë në kuadër të të ardhurave të qeverisjes vendore në Shqipëri përbën 0.18% të PBB, duke lënë pas vetëm Kroacinë me 0.13% të PBB. Shqipëria është e fundit edhe për sa u përket investimeve të qeverisë vendore (0.9% PBB), sipas një raporti të projektit të USAID për qeverisjen vendore.
Që nga viti 2000, të ardhurat dhe shpenzimet e pushtetit vendor janë rritur në terma nominalë çdo vit, pasi ato pothuajse janë trefishuar që nga viti 2002. Të ardhurat e pushtetit vendor, në raport me PBB dhe me shpenzimet publike kanë treguar tendenca rritëse modeste, duke u rritur shumë ndjeshëm mes 2002 dhe 2007, me variacione në 2007-2009, duke rënë më pas në vitet 2010-2013, nën nivelin e pjesës të vitit 2002, e cila konsiderohet si vit bazë për decentralizimin fiskal. Në vitin 2014 dhe 2015 është kthyer tendenca rritëse e buxhetit vendor, respektivisht me 2.4% të PBB në 2014 dhe 2.7% të PBB-së në 2015, si pasojë e rritjes së transfertave qeveritare nga buxheti i shtetit i politikës së re të decentralizimit fiskal.
Huamarrja vendore, në rritje
Procesi i vërtetë i huamarrjes nga pushteti vendor ka filluar në vitin 2009 me miratimin e ligjit nr. 9896, datë 4.2.2008 “Për huamarrjen e qeverisjes vendore”, por që atëherë, të dhënat për kreditë e marra nga njësitë e qeverisjes vendore tregojnë se ato janë shumë të pakta dhe vlerësohen në 0.02% të stokut të borxhit kombëtar në vitin 2010,0.04% në vitin 2013 dhe në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve vendore arriti në 0.07% e PBB-së ose në rreth 940 milionë lekë.
Huat më të mëdha i kanë marrë Bashkia e Korçës dhe Elbasanit, me nga 248 dhe 492 milionë lekë secila.
Ka disa kufizime për qeverisjen vendore të vendosura me udhëzime të Ministrisë së Financave në kuadrin e huamarrjes vendore, për shkak të niveleve shumë të larta të borxhit publik në vend. Modele të huamarrjes vendore, nëpërmjet formave të tjera si PPP apo instrumenteve të tilla si Fondet e Kreditimit Bashkiak, mund të jenë disa nga zgjidhjet për investimet kapitale në nivel vendor.
Taksa në biznesin e vogël, “molla e sherrit”
Struktura e të ardhurave të veta të qeverisë vendore ka ndryshuar rrënjësisht gjatë dekadës së fundit. Deri në vitin 2005, taksa e biznesit të vogël (TBV) ishte i vetmi burim më i rëndësishëm i të ardhurave të veta të qeverisjes vendore, por statusi i taksës ka qenë një nga çështjet kryesore më të debatueshme mes qeverisë qendrore dhe vendore. Ndryshimet ligjore për sa i përket bazës dhe normës së tatimit, kufijtë e TVSH për bizneset e vogla dhe detyrimin e bizneseve të vogla për të derdhur tatimfitimin, kanë qenë mjaft të vështira. Këta faktorë dhe ndikimi i krizës ekonomike kanë kontribuar në rënien e normës së mbledhjes të TBV, duke arritur nivelin prej 21% në vitin 2010, por duke rënë më tej në vitin 2013 në 13.9%, referohet në Strategjinë e Decentralizimit fiskal hartuar me asitencën e USAID. Në fund të vitit 2015, të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël arritën në mbi 2 miliardë lekë në vlera neto, duke zënë 16% të totalit të të ardhurave të pushtetit vendor vitin që shkoi, të cilat nuk ishin më shumë se 12 miliardë lekë. Por situata në këtë tatim paraqitet dramatike këtë vit, kur qeveria qendrore zeroi taksën për biznesin e vogël, duke e përdorur atë si një mjet qetësimi pas acarimit që krijoi lufta antiinformalitet e përqendruar në këto biznese. Tani që territoret e njësive të reja vendore janë zgjeruar, bashkitë janë vënë në përpjekje për të gjetur mënyra të reja taksimi nëpërmjet rritjes së tarifave me qëllim mbulimin e gropës së krijuar nga heqja e taksës së biznesit të vogël.
Me një ndryshim në sistemin e taksave kombëtare, taksa vendore e biznesit të vogël disa vite më parë u shndërrua në tatim të thjeshtuar për biznesin e vogël.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore qendrore nga kjo taksë shkonin 100% në buxhetet lokale. Që nga viti 2010, taksa e ndikimit në infrastrukturë kishte pësuar rënie të madhe si pasojë e tkurrjes së ndërtimeve të reja, ndërsa taksa e pasurisë është kthyer së fundmi në burimin më të fuqishëm dhe të besueshëm i të ardhurave të pushtetit vendor.
Tarifat, burim kryesor i buxheteve vendore
Tarifat vendore janë një tjetër element i rëndësishëm i strukturës së të ardhurave vendore. Të ardhurat nga këto tarifa janë rritur jashtëzakonisht shpejt dhe pothuajse janë dyfishuar që prej vitit 2005, duke përbërë më shumë se 45% të të gjithë të ardhurave të veta në vitin 2013, argumenton dokumenti i strategjisë së Decentralizimit. Ndërsa pritet që kjo peshë të kalojë me 70% peshën e të ardhurave të bashkive me heqjen e taksës së biznesit të vogël. Pothuajse të gjitha bashkinë kanë aplikuar rritje të tarifave të këtë vit. Bashkia e Tiranës më e madhe në vend e ka rritur me 100% tarifën për pastrimin dhe ka rritur më shumë se kaq tarifat për zënien e hapësirës publike.
Dokumenti vë në dukje se, qeveritë vendore po përdorin ndërmarrjet e ujësjellësit të transferuara në pronësi të tyre si agjentë të mbledhjes së tatimeve dhe taksave vendore, sidomos për mbledhjen e tyre nga familjet. Ministria e Çështjeve Vendore, në strategjinë për decentralizimin e pushtetit lokal, e ka cilësuar si zhvillimin të suksesshëm mbledhjen e taksave nga faturat e ujit, element ky që ka përmirësuar mbledhjen e taksës së pronës dhe taksave të tjera vendore. Megjithatë, pushteti lokal po përballet me vështirësi në mbledhjen e tyre nga subjektet, për shkak të mungesës së mekanizmave efikase për mbledhjen e tyre.
Ndarja e TAP, një mundësi
Aktualisht, njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri kanë burim kryesor të të ardhurave të tyre transfertat ndërqeveritare nga qeveria qendrore dhe të ardhurat nga burimet e veta. Këto burime janë të pazakonta po të krahasohen me shumicën e vendeve europiane që përdorin gjerësisht një burim të tretë: ndarjen e taksave të përbashkëta.
Strategjia e decentralizimit referon se, Njësitë e Qeverisjes Vendore marrin një pjesë të taksës së regjistrimit të mjeteve motorike, por ulja e taksës kombëtare të automjeteve të përdorura që hyri në fuqi në fillim të vitit 2013 ndikoi tek të ardhurat e qeverive vendore, pasi këto të fundit merrnin 18% të kësaj takse. Edhe pse ka dispozita ligjore për ndarjen e taksës mbi të ardhurat personale (TAP) sipas kuadrit ligjor ekzistues (ligji 8652), kjo nuk është materializuar asnjëherë në kuadër të ligjit të buxhetit apo ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale. Sipas ekspertizës së USAID Shqipëria, së bashku me Kosovën dhe Bullgarinë, janë të vetmet vende në rajonin e Europës Juglindore që nuk përdorin ndarjen e TAP. Aplikimi i taksave të ndara do të përmirësojë dukshëm situatën e decentralizimit fiskal, por aplikimi i kësaj praktike mbetet ende larg.
Transfertat qeveritare
Transfertat qeveritarë vijojnë të zënë më shumë se gjysmën e në mos 100% të shpenzimeve për disa njësi të qeverisjes vendore.
Nëpërmjet akordimit të transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara gjatë viteve 2000-2002, pushteti vendor realizonte pothuajse 45% të të ardhurave të tyre nga grantet e kushtëzuara, por kjo përqindje ndryshoi rrënjësisht në vitin 2002, kur shuma e granteve të kushtëzuara u zvogëlua, ndërsa madhësia dhe pjesa e transfertës së pakushtëzuar u rrit ndjeshëm, sipas të dhënave nga Ministria e Cështjeve vendore. Ky ka qenë një moment i rëndësishëm në historinë e decentralizimit. Transferimi në vitin 2003 i taksës së biznesit të vogël te vendorët dhe rritja e peshës së granteve të pakushtëzuara në totalin e të ardhurave janë një nga reformat që synonin të ulin varësinë e qeverive vendore nga qeveria qendrore duke zgjeruar kështu kompetencat e veta tatimore të qeverive vendore. Në vitin 2002, të ardhurat e veta përfaqësonin vetëm 26% të buxhetit të vendorëve, ndërsa në vitin 2012 (një dekadë më pas) ata pothuajse u dyfishuan duke përfaqësuar 49.5% të buxhetit të tyre, ndërsa transfertat e pakushtëzuara arritën në nivelin 42% të të ardhurave vendore. Një ndryshim i tillë strukturor të jep përshtypjen se njësive vendore u është dhënë më shumë pavarësi, duke qenë se pjesa e të ardhurave të veta është dukshëm më e lartë krahasuar me vitin 2002, sipas të dhënave të cituara në strategjinë e decentralizimit. Por, kur krahasojmë nivelin e të ardhurave të veta si përqindje e buxhetit të shtetit dhe të PBB, situata është pothuajse e njëjtë. Reformat e ndërmarra kanë ndihmuar vendorët të përdorin kompetencat e të ardhurave të veta, por burimet që jepeshin për zbatimin e funksioneve të transferuara kanë qenë të pakta. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur disa ndryshime me formulën e shpërndarjes së grantit të pakushtëzuar, me qëllim rritjen e transparencës dhe barazisë.
Fondi për Rajonet, risia në investimet vendore
Grantet konkurruese u prezantuan në vitin 2006 si një mekanizëm për të rritur performancën dhe objektivitetin në financimin e investimeve të qeverisjes vendore, ndërsa në vitin 2010 u krijua Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me detyrë menaxhimin e granteve të kushtëzuara.
Sipas Ministrisë së Financave, fillimisht, grantet konkurruese u përdorën për financimin e projekteve të infrastrukturës vendore të tilla si rrugë e ujësjellës-kanalizime, por në vitin 2010, në to u përfshinë edhe projekte që kanë të bëjnë me funksione si arsimi, shëndetësia, kultura etj.
Grantet konkurruese kanë qenë një burim debatesh dhe diskutimesh të mëdha gjatë viteve të fundit, mes tyre edhe çështja e favorizimit politik në procesin e dhënies së granteve.
Ministria e Çështjeve Vendore, në strategjinë për decentralizimin, synon që mekanizmi financiar i transfertave të kushtëzuara përfshirë Fondin e Zhvillimit të Rajoneve duhet të rishikohet me qëllim aplikimin e modeleve të reja në kuadrin e politikave të zhvillimit rajonal.
Taksa mbi pasurinë, e ardhmja
Taksa e pasurisë ka kontribuar në të ardhurat e qeverisjes vendore mesatarisht në nivelin e 0.18% të PBB-së. Zbatimi i taksës së pronës si një burim kryesor i të ardhurave të qeverisjes vendore ofron alternativën më të mirë të mundshme për përmirësimin e të ardhurave të veta të njësive vendore, por ecuria në regjistrimin e pronës mbetet sfida më e madhe, sipas dokumentit për zhvillimin strategjik të pushtetit lokal.
Ekspertët vlerësojnë se, mbledhja siç duhet e taksës së pronës po përballet me dy çështje të rëndësishme. E para, përfundimin e regjistrimit të parë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe e dyta dhënia e informacioneve për regjistrimin e pasurive nga ZRPP për qeveritë vendore. Aktualisht nuk ka një njësi vendore që të ketë akses për të hyrë në bazën e të dhënave të hipotekës për regjistrimet e pronës. Një proces për rishikimin e modelit të taksës së pronës ka filluar në vitin 2014 me ndihmën e FMN-së dhe partnerëve të tjerë dhe kjo taksë synohet të kthehet në burimin më të rëndësishëm të të ardhurave nga taksat vendore për pushtetin vendor.
Projekti, bashkitë më shumë kompetenca për taksat
Qeveria ka vënë piketat se si do të arrihet decentralizimi fiskal i pushtetit vendor. Reforma për këtë qëllim parashikon rritjen e autonomisë vendore fiskale dhe financiare nëpërmjet rishikimit dhe miratimit të legjislacionit përkatës qysh këtë vit të projektligjit për “Për financat vendore” dhe projektligjit për “Menaxhimin e sistemit buxhetor”.
Projekti për decentralizimin fiskal të njësive vendore parasheh që normat treguese të taksave të përcaktuara me ligj do të rishikohen dhe pushtetit vendor do t’i jepet më shumë liri veprimi për përcaktimin e nivelit dhe bazës së taksës (në varësi të llojit të taksës).
Projekti për decentralizimin synon vendosjen e sistemit të taksave të ndara kombëtare.
Autoriteteve vendore nuk do t’ju vendosen kufizime në përdorimin e të ardhurave të veta, si dhe do të kenë lirinë të bëjnë shpenzime edhe për funksione apo projekte jashtë kompetencës së tyre por brenda interesit publik vendor.
Përveç rishikimit dhe miratimit të legjislacionit, do të ndërmerren masa të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve për mbledhjen e taksave të njësive të qeverisjes vendore. Përmirësimi i funksioneve të shpenzimeve do të bëhet në bazë të numrit të popullsisë, duke marrë parasysh këtu edhe ristrukturimin e ri administrativ-territorial dhe qartësimin e funksioneve e përbashkëta, do të jenë reforma të rëndësishme që do të duhet të ndërmerren.
Gjithashtu do të ndërmerren nisma të rëndësishme ligjore, përfshirë këtu edhe hartimin e një ligji të ri integral për financimin e qeverisjes vendore, hartimin e një pakete të re fiskale të decentralizimit që do të aplikojë konceptin e ndarjes së taksave kombëtare. Do të studiohen mundësitë e taksave të reja të përbashkëta (taksa e automjeteve është tashmë një
taksë të përbashkët), duke marrë në konsideratë barazinë në shpërndarje. Do të vendosen kushte të caktuara për të siguruar që qeveritë vendore të shfrytëzojnë sa më shumë autoritetin e tyre tatimor në mënyrë që të marrin një pjesë të tatimeve të përbashkëta (Të ardhurat personale dhe tatim fitimin).
Gjithashtu, decentralizimi parashikon rishikimin e kuadrit ligjor për të përmirësuar kriteret për ndarjen e transfertave të granteve për pushtetin vendor. Rregullat për barazimin vertikal dhe horizontal dhe rregullat fiskale që synojnë të sigurojnë disiplinën fiskale në nivel vendor do të përfshihen në legjislacion. Të dhënat e Censusit 2011 dhe regjistrit të gjendjes civile do të harmonizohen për qëllime të transfertës së pakushtëzuar të granteve.
Do të bëhen përpjekje për të përcaktuar nivelin e transferimit si përqindje e të ardhurave të përgjithshme publike.
Gjithashtu taksa e pasurisë do t’i nënshtrohet një reformimi rrënjësor duke ndryshuar parimin kryesor të kësaj takse nga një taksë mbi bazë sipërfaqen në një taksë mbi bazë vlerën e pasurisë së paluajtshme. Reforma do të prekë të gjithë komponentët e taksës, përfshirë krijimin e një kadastre fiskale të posaçme për këtë taksë. Si rezultat i reformës në taksën e pasurisë parashikohet që në një periudhë afatmesme, ajo të jetë burimi kryesor i të ardhurave të veta të qeverisjes vendore.
Gjithashtu kuadri ligjor i huamarrjes vendore, përfshirë kuadrin ligjor për paaftësinë paguese financiare, do të rishikohet për të përmirësuar situatën në lidhje me kapacitetin e qeverive vendore për të marrë hua me qëllim financimin e projekteve të infrastrukturës. Kjo do të shoqërohet me vlerësimin e kapacitetit të përgjithshëm të qeverive vendore për të marrë hua dhe për të përdorur kreditë.
Qeveria qendrore do të rishikojë të gjitha rregullat financiare për të shmangur akumulimin e borxheve të deklaruara apo të fshehura.
Dispozitat ligjore për financat vendore do të rishikohen për të përmirësuar procesin e formulimit, zbatimit dhe mbikëqyrjes së buxheteve vendore. Qeveria vendore do të përfshihet si një aktor i rëndësishëm në Ligjin për Menaxhimin e Financave. Sistemi i Automatizuar i Informacionit Financiar të Thesarit do të zbatohet edhe në nivelin vendor për të integruar të dhënat mbi të ardhurat dhe shpenzimet vendore në sistemin kombëtar, duke rritur shpejtësinë e informacionit. Krijimi i lidhjes së sistemeve vendore të menaxhimit të informacionit në NJQV me sistemin e Thesarit për të lehtësuar kalimin e të dhënave përkatëse të thesarit, të nevojshme për një parashikim të saktë për të ardhurat në nivel vendor dhe kombëtar, do të jetë prioritet në planin afatgjatë.
Bashkitë, rrugët si mund të zhvillojnë ekonominë
Qeveria qendrore e ka bërë gati një plan me asistencën e USAID për rolin që do të kenë bashkitë e reja në zhvillimin ekonomik të vendit. Plani parashikon se çdo njësi vendore do të hartojë Planet Strategjike të Zhvillimit, të cilat do jenë instrumenti kryesor planifikues për zhvillimin ekonomik vendor. Planet Strategjike të Zhvillimit do të jenë të harmonizuara me planet kombëtare dhe rajonale të zhvillimit dhe do të jenë baza e planifikimit të investimeve publike nëpërmjet planeve të investimeve kapitale (PIK) dhe do të shërbejnë për orientimin e investimeve të buxhetit të shtetit për njësitë e qeverisjes vendore.
Planifikimi urban
Planifikimi i territorit do të vazhdojë të jetë një funksion i qeverisjes vendore. Në përputhje me planet strategjike të zhvillimit, çdo bashki do të hartojë dhe miratojë planet territoriale që do të jenë në harmoni me planet rajonale dhe me Planin Kombëtar të Zhvillimit..
Ligji i ri për planifikimin e territorit i jep kompetencë bashkive dhe qarqeve për hartimin dhe miratimin e planeve të zhvillimit të territorit dhe lejeve të zhvillimit. Në zbatim të reformës territoriale do të rishikohen planet ekzistuese të zhvillimit të territorit. Do të sigurohet mbështetje financiare për autoritetet vendore për rishikimin e të gjitha planeve të tyre territoriale dhe bazën e të dhënave të krijuara për territorin e tyre (popullimi i platformës GIS).
Financat
Në Ligjin për Financat Vendore do të rishikohet taksa mbi tokën urbane dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, si edhe disa instrumente të tjera financiare (taksa, tarifa, kontribute, etj.), me qëllim që të sigurohen burimet e duhura financiare për qeverisjen vendore. Ndryshimet në ligj do të plotësohen me metodologjinë e zbatimit për instrumentet financiare, të cilat do të hartohen sipas praktikave më të mira të zhvilluara në Evropë.
Riorganizimi
Ndryshimet e reformës administrative-territoriale do të shoqërohen me ndryshimin e organizimit të brendshëm të NJQV, në mënyrë që ato të përshtaten me kërkesat e administrimit të një territori edhe më të madh. Menjëherë pas ndryshimit dhe konsolidimit të kufijve territorialë, ngritjes së strukturave të reja dhe metodologjive për riorganizimin e punës, do të bëhet përgatitja e planeve të punës.
Ngritja e kapaciteteve të stafit përkatës të NJQV, si dhe të zgjedhurit e rinj pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, do të luajnë një rol kyç në zbatimin e legjislacionit, një rol që do të varet shumë në profesionalizmin dhe aftësitë e tyre.
Partneriteti Publik-Privat, në nivel vendor
Qeverisja vendore do të ketë kompetencë në drejtim të vendosjes/lidhjes së Partneritetit Publik-Privat në mbështetje të planeve strategjike për zhvillimin ekonomik në infrastrukturën dhe shërbimet publike në kompetencë të saj. Ky instrument do të nxisë thithjen e investimeve private dhe do të përmirësojë shërbimet publike vendore. Përdorimi i PPP-ve në nivel vendor do të lehtësohet nëpërmjet ndryshimeve në legjislacion. Mbrojtja dhe zhvillimi i pyjeve, kullotave dhe burimeve natyrore për pushtetin vendor do të decentralizohet në masën 100%. Funksioni i pyjeve dhe kullotave vendore dhe bashkitë do të jenë aktori kryesor për menaxhimin e tyre si aset ekonomik por edhe mjedisor.