Tashmë është zyrtare, Shqipëria ka bërë historinë duke u ngjitur në vendin e 22-të në botë në renditjen e FIFA-s. Organi më i lartë zyrtar i futbollit publikoi sot renditjen e ekipeve kombëtare për muajin gusht ku ka zyrtarizuar Shqipërinë në vendin e 22-të, klasifikimi më i mirë në historinë e kuqezinjve. Ngjitja me 14 pozicione ka bërë që kombëtarja jonë të lërë pas kombëtare si Franca, Danimarka, SHBA-ja, Rusia, Suedia, Greqia apo Turqia.
Trajneri Gianni De Biasi e paralajmëroi që dje renditjen e re në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar: “Vazhdon ngjitja në renditjen e FIFA-s për Shqipërinë, e cila gjatë muajit gusht kalon nga e 36 në botë, menjëherë në vendin e 22-të. Janë parakaluar kështu kombëtare si Franca, Danimarka dhe Gana”.
Në fakt është një rezultat historik, ku padyshim ka ndikuar edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS), e cila i akordoi fitoren në tavolinë Shqipërisë pas ndërprerjes së ndeshjes me Serbinë në Beograd për shkak të trazirave në fushë.










