Instituti Norvegjez i Filmit (NFI) ka vendosur të organizojë një tribut dedikuar regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Për tre ditë, në 30 e 31 tetor dhe 2 nëntor 2025, në Cinematekën e Oslos do të shfaqen tre filma të saj, “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë” dhe “Kur xhirohej një film”. Të tre filmat e përzgjedhur me këtë rast, krijojnë një përshtypje të mirë të prodhimit total të Kekos dhe prezantimi i tyre është një mundësi unike për të parë imazhe të gjalla nga Shqipëria gjatë një periudhe kur vendi ishte i mbyllur për botën e jashtme.
Keko i realizoi filmat e saj në vitet 1972 – 1984, dhe është një nga regjisorët e gjeneratës së artistëve të ekranit të cilët punuan me përkushtim e pasion të madh në një fushë që deri disa vite më parë nuk ekzistonte dhe në një kohë jo komode për të krijuar siç dinin dhe donin. Megjithatë, duhet thënë se, regjisorja Xhanfise Keko e shfrytëzoi më së miri mungesën e vëmëndjes së sistemit komunist që kontrollonte të gjitha fushat e jetës shoqërore shqiptare dhe indiferencën e zyrtarëve të kohës ndaj “film për fëmijë” për të eksperimentuar stilistikisht me filmat e saj dhe gjetur mënyra për t’i bërë fëmijët, aktorët e saj, të vepronin natyrshëm para kamerës. Siç dihet, regjisorja Xhanfise Keko të gjithë krijimtarinë e saj ja dedikoi botës së fëmijëve dhe problemeve të fëmijëve e jo vetëm të tyre.
Për shumë shqiptarë që u rritën nën regjimin e Hoxhës, filmat e Xhanfise Kekos, e vetmja grua në historinë e filmit shqiptar, ende shkaktojnë kujtime nostalgjike përkundër përmbajtjes ideologjike të filmave dhe përkundër faktit se ato janë prodhuar në një periudhë që shumë preferojnë ta harrojnë.
Ndërkohë, jashtë Shqipërisë, afër dhe larg saj, filmat e regjisores shqiptare janë shfaqur dhe parë me interes nga audienca ndërkombëtare në Itali, Spanjë, Israel, Amerikë, Kanada, Britani e Madhe, Gjermani, Zvicër, Hollandë, Danimarkë, Austri, Francë, e tjerë. Po ashtu, veçanërisht këtë dhjetëvjeçarin e fundit, regjisorja shqiptare Xhanfise Keko ka zgjuar edhe interesin e studiuesve të kinemasë nga vende të ndryshme të botës dhe po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e tyre.
Duke u rikthyer tek tributi më i fundit, ai i Institutit Norvegjez të Filmit, po sjellim më poshtë tekstin e shkruar prej kuratorit dhe programuesit të Cinematekës së Oslos, z. Jan Langren, ku hidhet dritë për shikuesit norvegjezë mbi regjisoren Xhanfise Keko, kohën dhe kontekstin politik kur ajo i ka realizuar këto filma.
“Historia e kinemasë shqiptare është ende një kapitull i panjohur për shumë njerëz. Në tetor dhe nëntor ne do të shfaqim tre filma nga Xhanfise Keko, regjisorja kryesore e këtij vendi.
Xhanfise Keko është një regjisore që arriti të krijonte filma shoqërisht inteligjentë edhe poetikisht të sofistikuar në një periudhë censure të rreptë dhe përkundër kufizimeve të sistemit të rreptë komunist. Vitet e fundit, Xhanfise Keko ka marrë një njohje ndërkombëtare të vonuar, por të merituar, përmes pjesëmarrjes në festivale, prezantimit në kinoteka si dhe në filmat e regjisorit britanik të dokumentarëve dhe historianit të filmit Mark Cousins.
Ajo është një nga themelueset e Kinostudio “Shqipëria e Re” (sot “Albafilm”) dhe ka realizuar mbi 25 filma dokumentarë dhe artistikë midis viteve 1952 dhe 1984. Keko është veçanërisht e njohur për filmat e saj ku personazhet kryesore janë fëmijët dhe ku ka krijuar portretizime realiste të përsosura, filma të cilët ndërthurin përmbajtje edukative me cilësi artistike. Të gjitha këto kanë bërë që ajo të fitojë njohje ndërkombëtare, veçanërisht vitet e fundit.
Filmi më i njohur i Kekos është “Tomka dhe shokët e tij” (1977), një film i shkëlqyer dhe i paparashikueshëm për një grup djemsh që planifikojnë dhe kryejnë një aksion sabotazhi kundër nazistëve gjermanë që kanë ngritur një kamp ushtarak në fushën e tyre të lojës. Filmi është i jashtëzakonshëm për realizmin e tij, por njëkohësisht të stilizuar, si dhe për interpretimet plot jetë të aktorëve të vegjël. Keko përdor arkitekturën e qytetit dhe lojën e fëmijëve si metafora për lirinë dhe bashkësinë, dhe filmi është përcaktuar si një kritikë e nënkuptuar ndaj klimës politike të kohës.
Në filmin “Beni ecën vetë” (1975) takojmë Benin, një djalë tepër i mbrojtur nga prindërit, i cili gjatë pushimeve tek xhaxhai i tij mëson të qëndrojë në këmbët e veta. Filmi është një histori prekëse e rritjes, që trajton temat e pavarësisë dhe zhvillimit personal. Me ngrohtësi dhe thellësi, Keko përshkruan zhvillimin e fëmijës nga varësia drejt pjekurisë, dhe filmi është kthyer në një klasik në Shqipëri.
Filmi “Kur xhirohej një film” (1981), ndjek një qasje më narrative dhe përcjell historinë e një djali të vogël që luan në një film ndërkohë që përpiqet të ribashkojë prindërit e tij të divorcuar. Këtu Keko ndërthur një rrëfim të përshtatshëm për fëmijë me një temë serioze – divorcin – i cili ishte temë tabu në Shqipërinë socialiste. Filmi tregon aftësinë e saj për të balancuar ndjeshmërinë me kritikën sociale.
Filmat e Kekos dallohen për zgjidhjet teknike, thellësinë emocionale dhe aftësinë për t’u dhënë zë fëmijëve në një kohë të dominuar nga kontrolli ideologjik. Sot ajo konsiderohet një pioniere e kinematografisë shqiptare dhe një figurë e rëndësishme në historinë ndërkombëtare të filmit për fëmijë.
Kjo është hera e parë që filmat e saj po shfaqen në Norvegji”.












