Në emisionin “Trialog” në RTSH, analisti Preç Zogaj deklaroi se Bordi i Transparencës është pa funksion dhe se sipas tij nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret.
Ndërsa nënvizoi faktin që rritja e çmimeve është ndikuar nga kriza globale dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, për Zogajn, Shqipëria mbetet një rast shqetësues.
“Të gjithë e dimë që kriza i ka rritur çmimet kudo për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe kjo do të reflektohet te të gjitha vendet që janë të varura nga importet. Problemi për ne është që askush nuk e thotë pse u rrit çmimi. Në Shqipëri është rritur më shumë se në çdo vend tjetër”, u shpreh ai.
Për Zogajn, çmimi i karburanteve në Shqipëri është më i lartë se në vendet e Perëndimit, ndërsa kritikoi qeverinë për retorikë të përsëritur pa masa konkrete.
“Pra, çmimi i karburantit në Shqipëri është më i lartë se në vendet e Perëndimit. Në Maqedoninë e Veriut është rritur në sasi shumë të madhe, sepse ndoshta kanë shkuar edhe nga vendet e tjera, kryesisht nga Shqipëria. Pse është rritur kaq shumë çmimi i karburanteve dhe pse retorika e qeverisë konsumon çdo ditë sikur po merr masa, por këtu asgjë nuk ndalet? Vetëm rriten çmimet. Bordi i Transparencës për mua është kot. Ka qenë dhe është kot, s’ka bërë asgjë. Paradoksi është që qeveria shqiptare po mbledh më shumë lekë nga rritja e çmimeve dhe këto janë lekë që u merren qytetarëve. Konsumatori është viktima”, tha Zogaj.











