Pasi Prokuroria ka një version të qartë mbi ngjarjen e ndodhur në burgun e Shënkollit, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor për të gjithë personat që kishin për detyrë të parandalonin këtë ngjarje.
Ministri Manjani thekson se është përgjegjësi e administratës së burgjeve ruajtja e jetës dhe shëndetit të çdo të paraburgosuri apo të dënuari, prandaj kërkon dhe përgjegjësi maksimale për këtë ngjarje.
Gjithashtu, Ministri Manjani ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshem të Burgjeve të rishikojë edhe rregulloret që sanksionojnë elementë të sigurisë në burgje dhe njëkohësisht ka urdhëruar Drejtorinë e Policisë së Burgjeve të forcojë masat dhe kontrollet për sigurinë në institucionet penitenciare.