Situata e zjarreve është përkeqësuar në zonën e Shkopetit, pasi flakët që kanë përfshirë fshatrat Trodhen, Lundrën e Madhe në Mat janë përhapur me shpejtësi dhe kanë kaluar në drejtim të territorit të Kurbinit.
Zjarri po avancon drejt vargmalit të Skënderbeut, duke rritur rrezikun për banesat, tokat bujqësore dhe aktivitetet në këtë zonë.
Problematike paraqitet situata për një fermë blegtorale me rreth 250 krerë lopë, e cila raportohet se është rrethuar nga flakët. Sipas burimeve në terren, situata është rënduar ndjeshëm dhe nxjerrja e kafshëve nga ferma është bere e pamundur. Fatkeqësisht, dyshohet se një pjese e tyre mund të jenë djegur.
Forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa situata mbetet dinamike dhe rreziku për përhapjen e zjarrit në territorin e Kurbinit vijon të jetë i lartë.










