Greqia ka nënshkruar me Izraelin marrëveshjen më të madhe të mbrojtjes mes dy vendeve, me vlerë rreth 3.5 miliardë dollarë. Marrëveshja parashikon furnizimin e Athinës me një sistem shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore, të njohur në Greqi si “Mburoja e Akilit”.
Marrëveshja vjen në një moment kur marrëdhëniet e Greqisë me rivalin e saj rajonal, Turqinë, janë bërë më të tensionuara. Në të njëjtën kohë, Greqia po forcon bashkëpunimin ushtarak me Izraelin, pavarësisht kritikave të forta në Evropë ndaj Izraelit për luftën në Gaza dhe politikën e tij në Bregun Perëndimor. Greqia dhe Izraeli kanë prej kohësh lidhje ekonomike, diplomatike dhe ushtarake dhe kanë zhvilluar rregullisht stërvitje të përbashkëta.
“Mburoja e Akilit” përfshin tre sisteme kryesore: David’s Sling, një sistem i avancuar kundër raketave dhe objektivave ajrore; Spyder, një sistem tokë-ajër i projektuar për të goditur avionë, helikopterë, dronë dhe municione të drejtuara; si dhe Barak MX, një sistem më i gjerë mbrojtjeje kundër raketave, avionëve, helikopterëve dhe dronëve.
Marrëveshja përfshin gjithashtu radarë shumë-misionësh dhe një qendër komanduese të mbështetur nga inteligjenca artificiale, e cila do të bashkojë sistemet e ndryshme në një rrjet të vetëm mbrojtës. Izraeli do t’i shesë gjithashtu Greqisë sisteme “Drone Dome” në një marrëveshje shtesë me vlerë rreth 26 milionë euro.
Një nga arsyet kryesore të marrëveshjes është rritja e shqetësimeve greke për kërcënimet që mund të vijnë nga Irani, veçanërisht në kontekstin e luftës SHBA–Izrael me Iranin. Greqia pret baza dhe objekte ushtarake amerikane në territorin e saj dhe analistët paralajmërojnë se këto mund të bëhen objektiva të mundshme të sulmeve iraniane nëse konflikti përshkallëzohet.
Një tjetër faktor është mungesa e sistemeve amerikane Patriot. Ndërsa Patriotët janë shumë të kërkuar, disa vende evropiane po shikojnë drejt sistemeve izraelite si David’s Sling, të cilat konsiderohen një alternativë më e lirë dhe efektive.
Marrëveshja ka rëndësi të madhe edhe për shkak të rivalitetit Greqi–Turqi. Dy vendet kanë mosmarrëveshje të vjetra për kufijtë detarë dhe kontrollin e zonave të diskutueshme në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor. Greqia është gjithashtu e shqetësuar për rritjen e aftësive të Turqisë në përdorimin e dronëve.
Për këtë arsye, analistët presin që elementët e parë të “Mburojës së Akilit” të vendosen në zonat e Egjeut. Kjo do t’i japë Greqisë një shtresë të re mbrojtjeje kundër raketave, avionëve dhe dronëve.
Megjithatë, marrëveshja është politikisht e ndjeshme brenda Greqisë. Një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik grek kundërshton veprimet e Izraelit në Gaza dhe forcimin e lidhjeve ushtarake me Tel Avivin. Sipas një sondazhi të Peu Research Center të publikuar në qershor, rreth 76 për qind e grekëve nuk besojnë se Benjamin Netanyahu do të bëjë gjënë e duhur në çështjet botërore.
Në thelb, Greqia po blen këtë sistem për tri arsye kryesore: për të modernizuar ushtrinë, për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve të mundshme nga Irani dhe për të forcuar pozicionin e saj ndaj Turqisë.
Marrëveshja është pjesë e një programi shumë më të madh modernizimi ushtarak. Deri në vitin 2036, Athina planifikon të shpenzojë rreth 28 miliardë euro për mbrojtjen, duke përfshirë edhe blerjen e deri në 40 avionëve luftarakë F-35 nga SHBA-të dhe fregatave nga Franca dhe Italia.
Pra, për Greqinë, kjo nuk është thjesht një blerje raketash nga Izraeli. Është pjesë e një riarmatimi të madh strategjik, i cili synon ta bëjë vendin më të aftë për t’u mbrojtur në një rajon ku tensionet me Turqinë e pasiguria në Lindjen e Mesme po rriten.










