Skënder Hita është emëruar në krye të Policisë së Shtetit. Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga 14 kandidaturat që ishin në total.
Lajmi është bërë me dije nga Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari i cili deklaron se zgjedhja e Skënder Hitës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.
Sipas Lamallarit, Hita u ka dëshmuar vizion strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.
Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike“, shkruan Lamallari.
Ky i fundit shprehu bindjen se nën drejtimin e Skënder Hitës, Policia e Shtetit do të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe do të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.
Karriera e kryepolicit të ri
Hita, ka qenë drejtorisë i policisë Fier dhe është një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e Policisë së Shtetit, me një karrierë të ndërtuar në disa nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe në struktura që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik.
Gjatë karrierës së tij në polici, ai ka mbajtur pozicione drejtuese në qarqe me sfida të veçanta për sigurinë, përfshirë edhe Shkodrën. Në këtë qark, ku ka shërbyer edhe si zv/drejtor i hetimit të krimit, ka luajtur një rol kyç në formimin e profilit të tij profesional, duke e përballur me situata të ndërlikuara kriminale dhe duke kërkuar një koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operative dhe hetimore.
Një tjetër fazë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në qarkun e Durrësit, një zonë strategjike për shkak të portit kryesor të vendit, aktivitetit ekonomik të lartë dhe lëvizjes intensive të njerëzve dhe mallrave.
Emri i tij nuk është përfshirë asnjëherë në lidhje me aktivitete kriminale apo të paligjshme, duke ruajtur një reputacion të pastër dhe profesional brenda Policisë së Shtetit.











