Memorandumi është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterije Luzi.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit Tahiri dhe Luzi deklaruan se marrëveshja është në funksion të realizmit të një procesi zgjedhor sipas standardeve ndërkombëtare.
Tahiri në fjalën e tij tha se MB ushtron përgjegjësi të caktuara lidhur me administrimin e procesit zgjedhor, përgjegjësi që sipas tij kryesisht kanë të bëjnë me procesin e hartimit dhe konsolidimit të listave zgjedhore.
“Qeveria është e angazhuar maksimalisht për të bërë ç‘është e mundur që dita e zgjedhjeve të jetë dita e celebrimit të demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të vendosur fatin e tyre me votë. Ashtu siç jemi plotësisht të angazhuar, dhe e kemi bërë të qartë më shumë se njëherë se për ne kanë rëndësi maksimale standardet e zgjedhjeve, më shumë sesa rezultati vetë”- deklaroi ministri i Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Ndërkohë, Luzi e ka konsideruar si të konsoliduar rolin e policisë në një proces zgjedhor. Sipas saj nënshkrimi i këtij memorandumi sjell një stad tjetër bashkëpunimin mes dy institucioneve.
Redaksia Online
(Javanews.al)