Nga Lorenc Vangjeli/
Trashëgimi nga prindërit, për fëmijët ato janë parë vetëm si grumbuj gurësh dhe kështu ka ndodhur brez pas brezi. Sepse çfarë është lënë nga babai ngjan se ka vetëm vlerën e një cope buke, kurse një copë e vetme buke e fituar nga biri, ngjan se ka çmim e vlerë gjaku. Kjo është një diferencë normale. Askush nuk e kupton dhembjen dhe sakrificën në lëkurën e tjetrit deri në momentin që qoftë dhembja, qoftë sakrifica, nuk bëhet tatuazh në lëkurën e vet.
Në Shqipëri, nga parardhësit ka pikuar pakogjë. Për shumë arsye. Por ka edhe trashëgimi të një lloji tjetër që nuk i fut dot as në muze dhe as nuk i ruan në kasaforta. Folklorin, mitet e legjendat nuk i ruan dot me policë. Historinë e përbashkët, triumfet në beteja dhe dertin e humbjeve në to, këngët e dasmave apo të vajit, nuk i konverton dot në bankat moderne. Njëra nga këto trashëgimi dhe padyshim guri më i çmuar i krenarisë kombëtare, është harmonia fetare dhe toleranca ndër besimet e ndryshme. Mit apo e vërtetë, rrjedhojë e genit gjysëm pagan shqiptar apo një tabu që ka fatin e tabusë, kjo ka pak, shumë pak rëndësi. Shqiptarët që ndodh se nuk falin e vrasin edhe për një vështrim të vëngër apo një fjalë terse mes miqsh, pak pyesin dhe pak ju intereson nëse je i pagëzuar apo ke falur namazin, nëse e bën kryqin nga e majta në të djathtë, anasjelltas apo je bërë synet. Ky është fakti. Arsyet janë shumë se pse ky fakt është i tillë. Ca prej tyre, janë jo shumë të hajrit, por edhe kjo gjë nuk ka pikën e rëndësisë. E rëndësishme është që pavarësisht emrit që i venë Zotit në qiell, pavarësisht mënyrës sesi i drejtojnë lutjet Atij, shqiptarët fatmirësisht ende nuk e kanë problem emrin me të cilin e quan fqinji Zotin e tij. Fatmirësisht nëpër Shqipëri gjen shumë të krishterë që mbajnë ramazan edhe si një lloj solidariteti shëndetësor e shpirtëror dhe shumë myslimanë që ftojnë për birrë e raki dhe mbajnë kryq në qafë si aksesor mode. Dhe pikërisht në këtë lloj marrëdhënie shumë komplekse dhe të veçantë, ka disa vjet që në mozaikun e madh të krizave që ka krijuar dhe nuk po e mbyll tranzicioni, ka zënë e po shfaqet dhe një krizë tjetër. Dëshira për të hedhur gurë mbi këtë tabu të vjetër e të re po duket në ngjitje e sipër në sipërfaqe. Aty ku gjithçka, edhe njëherë si përherë duket e qetë, e lumtur dhe e përfshirë në rutinën e të përditshmes. Fatkeqësisht nuk është kështu. Lehtësia e frikshme me të cilën merren të gjithë me çështjet e besimit, një gjuhë urrejtjeje e mospranimi që ka nisur të vijë nga populli anonim i rrjeteve sociale nga njëra anë dhe kultivimi qoftë dhe padashur i kontrasteve mes besimeve nga politika kur del në rrugë për të lypur vota, është duke treguar se poshtë sipërfaqes ka diçka serioze që po lëviz. Gjuha plot helm që myslimanin e quan turk e arab dhe ortodoksin e konsideron grek, po lëviz në shumë gojë. Naiviteti, për të thënë minimumin, që heq një shenjë barazimi mes Gjergj Kastriotit dhe Sulltanëve, është vetëm një hallkë më shumë në një zinxhir paudhësish që po zgjatet dhe me të paudhë që po shtohen.
Në fakt gjithçka varet nga këndvështrimi. Sipas shqiptarëve Gjergji ynë është Hero Kombëtar, por sipas turqve të vjetër Heroi ishte tradhëtar; sipas shqiptarëve sulltanët e vjetër otomanë ishin pushtues, por sipas ca shqiptarësh të rinj që kanë zënë dhe të dëgjohen, ata kanë qenë çlirimtarë nga të pafetë.
Nuk ka nisur sot. Sot, meqë teknologjia i ka dhënë zë shumë gjuhëve dikur të heshtura, një gjë e tillë është më e dukshme dhe e prekshme për ta bërë edhe më alarmues ngutin për t’i dalë përpara një të keqeje shumë më të madhe. Deri më tani Shqipëria i është falur trashëgimisë së brezave të shkuar, që me patetizëm patriotik, real dhe jo të shtirur, e shihnin fenë jo në muret e kishës apo të xhamisë, por në drithërimën e shqiptarisë. Në një raport të fortë hierarkie mes kombit dhe fesë. Ky është raporti që, herë me mendjelehtësi dhe herë me ligësi, po cënohet nga të gjithë bashkë. Dikush nga bedenat e anonimitetit e dikush tjetër mbas kalasë së pamposhtur të marrëzisë; dikush duke mos menduar gjatë për atë që mund të quhet si provokim e dikush tjetër duke menduar gjatë pikërisht për të provokuar; dikush i shtyrë nga vaniteti e dikush tjetër për të dalë në vitrinë. Të gjithë bashkë bëhen filozofë të urrejtjes me një lehtësi të frikshmem dhe me sigurinë që jep vetëm mendjelehtësia dhe ligësia. Edhe kur bërtasin, edhe kur murmurisin. Njëlloj si ngrohja globale, kjo është çfarë mund të marrë në qafë në mënyrë të pabesueshme të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve. Të të gjithëve. E ndoshta dhe në mënyë të pakthyeshme. Dhe atëherë nuk do të ketë raso prifti ku mund të fshihen mëkatarët e marrëzisë dhe nuk do të ketë burkë për të mbuluar me falje harramsëzët që bënë gjynah pa e ditur se çfarë po bënin.
Fetë e ndryshme në Shqipëri mund të qëndrojnë bashkë njëlloj si tre lapsat me ngjyra që Edi Rama mbajti në xhep në marshimin e paqes në Paris, por harmonia dhe toleranca fetare janë shumë më shumë se një akt estetik që i demonstrohet botës; ato janë një thelb jetik për vendin. Çdo cënim i tyre do ta bënte luftën e robit shqiptar me gurët e kështjellave të trashëguara, më të egër se hakmarrja e çdo topi armik. Nëse kjo nuk kuptohet fiks tani, fiks pastaj do të jetë vonë. Shumë vonë. Kur bëhet zarari, nuk ka më rëndësi kush është fajtori. Sepse mëkatarë, të paudhë e etër të paudhësisë kriminale, do të jenë të gjithë.