Në Shqipëri Gjykata e Lartë ktheu për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit konfliktin mes grupimit të ish kryeministrit Sali Berisha dhe atij të zotit Lulëzim Basha për përfaqësimin zyrtar të Partisë Demokratike.
Më 3 mars të këtij viti, gjykata e Apelit ia riktheu çështjen Gjykatës së Tiranës, e cila kishte njohur Kuvendin kombëtar të thirrur nga grupi i Rithemelimit dhe vendimet e dala prej tij, përfshirë shkarkimin e të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të Partisë Demokratike. Ndaj këtij vendimi bëri ankim grupimi i zotit Berisha.
Por sot Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj” e për këtë arsye çështja do të duhet të rigjykohet nga një tjetër trupë gjyqtarësh.
Ndërsa në Gjykatën e Lartë kishte nisur seanca, ish kryeministri dhe mbështetësit e tij organizuan një protestë pranë Gjykatës. Në fjalën e tij, zoti Berisha, sulmoi gjykatat të cilat sipas tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duan të lënë vendin pa opozitë.
Me situatën e krijuar, pavarësisht se mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës, deri në një vendim të formës së prerë, përfaqësimi zyrtar i mbetet zotit Basha, i cili reagoi duke e konsideruar vendimin e sotëm “një tjetër hap drejt vendosjes së drejtësisë së vonuar për çështjen e PD-së”./voa/m.j