Zelensky viziton Turqinë, takim me Erdoganin për luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Detin e Zi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojë të shtunën një vizitë pune në Turqi, ku do të takohet me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për të diskutuar zhvillimet e luftës në Ukrainë dhe situatën e sigurisë në Detin e Zi.
Sipas Presidencës turke, gjatë takimit në Stamboll, dy liderët do të shqyrtojnë hapat që mund të ndërmerren për forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes Turqisë dhe Ukrainës, si dhe çështje rajonale dhe ndërkombëtare me fokus të veçantë konfliktin Rusi-Ukrainë dhe sigurinë në rajonin e Detit të Zi.
Turqia, e cila ka ruajtur marrëdhënie si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. Presidenti Erdogan i ka cilësuar më herët këto sulme si të papranueshme dhe ka kërkuar garantimin e lirisë së lundrimit në zonë.
Ankaraja ka propozuar më herët një plan për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve civile, por deri më tani Moska dhe Kievi nuk kanë arritur të dakordësohen për zbatimin e tij.
Turqia ka luajtur gjithashtu rolin e ndërmjetësit në disa raunde bisedimesh mes Rusisë dhe Ukrainës, me synimin për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një marrëveshjeje paqeje.
Në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, Erdogan ka riafirmuar gatishmërinë e Turqisë për të mbështetur përpjekjet diplomatike që synojnë rikthimin e dialogut mes Ukrainës dhe Rusisë dhe përfundimin e luftës përmes negociatave.










