Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia nuk do ta ndalë luftën vetëm me Ukrainën, gjatë një fjalimi të mbajtur këtë të mërkurë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Siç shkruan BBC, Zelensky paralajmëroi se, pa veprime më të forta nga aleatët, “Putini do të vazhdojë ta çojë luftën përpara, më gjerë dhe më thellë“, dhe se “Ukraina është vetëm e para“.
Ai kritikoi dobësinë e institucioneve ndërkombëtare për dështimin në frenimin e Rusisë. Sipas tij, “ndalimi i Putinit tani kushton më pak” sesa vendet të përpiqen të mbrohen nga Rusia më vonë.
“Është më e lehtë sesa një garë globale armësh”, shtoi ai.
Për Inteligjencën Artificiale dhe armë të tilla si dronët, ai tha: “Po jetojmë në garën më shkatërruese të armëve në historinë e njerëzimit”, duke shtuar se duhen vendosur rregulla globale për AI-në. Zelensky shtoi se Ukraina nuk ka “raketat e mëdha që diktatorët i pëlqejnë t’i shfaqin në parada”.
Zelensky tha gjithashtu se kishte pasur një “takim të mirë” me presidentin amerikan Donald Trump-in të martën, por megjithëse vlerëson mbështetjen e SHBA-ve, “në fund, paqja varet nga të gjithë ne”.











