Pavarësisht se e ardhmja është gjithnjë e panjohur, ka shumë mënyra sesi një çift mund të sigurojë lumturinë e tij në çdo ditë të së nesërmes.
Komunikoni haptazi
Kërkimet tregojnë se stili i komunikimit është më i rëndësishëm sesa përkushtimi, tiparet e personalitetit apo niveli i stresit në parashikimin e jetëgjatësisë së një çifti.
Çiftet e lumtura nuk e shmangin debatin, por ato dinë si të komunikojnë në mënyrë të hapur. Çiftet e lumtura e dinë se bisedat më të mira ndodhin pa shpërqendrimin e telefonit, tabletit dhe laptopit.
Mos harroni detajet
Fjalët magjike si “të lutem” dhe “faleminderit” nuk duhet të jenë ekskluzivitet i ambientit të punës. Sjellja e mirë është e rëndësishme edhe me personin me të cilin keni qëndruar prej 20 vitesh. Jepini të njëjtin respekt partnerit/es tuaj, siç do t’i jepnit një të ftuari në shtëpi. Disa sjellje të mira dhe pak mirësi do të ndikojnë shumë pozitivisht në ruajtjen e një kulture respekti të përbashkët në çift.
Bëni ushtrime fizike së bashku
Studimet kanë treguar se çiftet që bëjnë ushtrime fizike së bashku, nuk janë vetëm të shëndetshëm, por edhe të kënaqur me martesën e tyre. Sipas kërkimeve, energjia që merret nga ushtrimet fizike është e ngjashme me atë të eksitimit seksual dhe romantik. Nëse stërviteni së bashku, atëherë do të ndiheni seksi dhe të dashuruar!
Qeshni
Të qeshurit qetëson të gjithë trupin, nxit sistemin imunitar dhe çliron endorfinë. Ekspertja e të qeshurit, Lesley Lyle, autore e librit “E qeshura të çon drejt lumturisë”, thotë se e buzëqeshura dhe e qeshura ju bën të ndiheni më mirë, edhe nëse kjo është pak e sforcuar.
Pra, edhe nëse ju dhe partneri juaj po kaloni një ditë të vështirë, përpiquni të buzëqeshni dhe të qeshni pa asnjë arsye. E qeshura në vetvete ju bën më të lumtur dhe më të shëndetshëm.
Hani së bashku
Familjet që ushqehen së bashku, qëndrojnë së bashku. Tavolina e të ngrënit është një vend ku çiftet dhe anëtarët e tyre të familjes lidhen dhe ushqehen së bashku fizikisht e shpirtërisht. Konsumi i ushqimeve të shëndetshme në një tavolinë jo vetëm që inkurajon të ngrënit mirë, por krijon edhe një mjedis për biseda të këndshme.
Kryeni marrëdhënie çdo ditë
Marrëdhënia seksuale e përditshme largon ankthin që disa çifte ndiejnë kur vjen koha për të “performuar”. Në librin e tij më të fundit, autori Douglas Brown pretendon se marrëdhënia seksuale e përditshme jo vetëm që e pakëson këtë tension, por bashkon çiftet më tepër, pavarësisht viteve të martesës.
Për më tepër, seksi në vetvete ul presionin e gjakut, përmirëson gjumin, pakëson stresin dhe madje parandalon kancerin e prostatës. Çiftet që bëjnë seks çdo ditë, pretendojnë se jo vetëm i forcon marrëdhënien e tyre, por përmirëson edhe shëndetin!
Shkoni për pushime
Pushimi në çift mund të sjellë një frymë të re në marrëdhënie, por të njëjtën gjë mund të bëjë edhe udhëtimi veçmas. Shumë çifte të lumtura dhe të shëndetshme bëjnë udhëtime të shkurtra vetëm ose udhëtojnë rregullisht me një grup shoqëror të tyrin.
Të qenët vetëm, takimi me miq të rinj ose shijimi i aventurave pa partnerin mund të jetë shumë pozitiv. Në fund, ktheheni te partneri juaj plot energji dhe entuziazëm dhe shumë më të dashuruar se më parë.
Ndryshoni ndonjëherë rolet
Mërzia dhe rutina mund ta bëjnë një marrëdhënie të mbetet në vend. Nëse bashkëshorti nget gjithnjë makinën, përse të mos e marrë ajo timonin javën që vjen? Ose nëse ajo gatuan gjithnjë, përse të mos përgatisë ai ndonjë vakt?
Ndryshimi i roleve jo vetëm që i bën gjërat paksa të larmishme, por mund të bëjë që t’i vlerësoni gjërat nga pikëpamja e partnerit/es. Dhe pa dyshim që ndryshimi i roleve në dhomën e gjumit e bën marrëdhënien më ngacmuese.
Kurrë mos flini të zemëruar
Ndonëse zemërimi nga brenda është një gjë e keqe, të cilën duhet ta nxirrni patjetër jashtë, koha përpara gjumit nuk është momenti i përshtatshëm për të filluar një zënkë. Përpiquni t’i zgjidhni problemet përpara gjumit ose mëngjesin e ditës tjetër, shkruan Shqip. Pak gjumë i bën problemet të duken më të largëta dhe më të parëndësishme.
Toleroni ndryshimin fizik
Teksa për partnerin tuaj dhe ju vitet kalojnë, do të pësoni ndryshime. Ndonëse ndiheni rehat me njëri-tjetrin, nuk do të duhet shumë që të filloni të vini në dukje të metat e njëri-tjetrit. Por, nëse doni të keni një marrëdhënie të lumtur, nuk duhet të përmendni kurrë rrudhat, barkun e shëndoshë apo flokët që po bien.
Nuk ka rëndësi sesa ndryshime fizike kaloni, përgjigjja e pyetjes “Si dukem?” duhet të jetë gjithnjë “dukesh bukur” dhe “të dua”. Telegrafi/