Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një vizitë të papublikuar në Abu Dhabi më 27 shtator, në një kohë kur në media qarkullonin pretendime se Emiratet e Bashkuara Arabe e kishin paralajmëruar Izraelin për përgatitjet e Hamasit për sulmin e 7 tetorit.
Sipas një investigimi të publikuar nga Haaretz, Mohammed bin Zayed Al Nahyan (MBZ), presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, e kishte telefonuar Netanyahun rreth 10 ditë para sulmit.
Sipas raportit, ai e kishte paralajmëruar se lideri i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, po planifikonte atë që e kishte përshkruar si një “tërmet”.
Raporti pretendon se Netanyahu ishte përgjigjur se Izraeli ishte i përgatitur, por se paralajmërimi nuk iu përcoll më pas drejtuesve të institucioneve të sigurisë izraelite.
Netanyahu i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si “një gënjeshtër absolute”. Ai gjithashtu ka deklaruar se synon të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Haaretz.
Nga ana tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kundërshtuar versionin se paralajmërime të tilla do të ishin dhënë drejtpërdrejt në nivelin e liderëve politikë. Abu Dhabi ka deklaruar se informacionet e inteligjencës shkëmbehen përmes “strukturave profesionale, jo në nivelin e liderëve kombëtarë”.
Sipas raportimeve, Netanyahu udhëtoi me një avion privat nga aeroporti Ben Gurion drejt Abu Dhabit, ku qëndroi për rreth katër orë, përpara se të kthehej në Izrael po atë mbrëmje.
Pretendimet rreth paralajmërimit të supozuar dhe mënyrës se si u trajtua ai mbeten të kundërshtuara nga palët, ndërsa vizita e Netanyahut në Abu Dhabi u zhvillua në fshehtësi.











