Sot, mendohet se janë 1.8 miliardë të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç në botë, që përbëjnë përafërsisht 25% për qind të gjithë popullsisë globale, ku rreth 235 milionë e tyre janë në Indi dhe 225 milionë numërohen në Kinë.
Prindërit, mësuesit dhe punëdhënësit po kanë një nevojë gjithnjë e më urgjente për të kuptuar brezin e sotëm në rritje të adoleshentëve dhe të rinjve. I lindur pas vitit 1995, Z Gen është brezi i parë që kaloi gjithë adoleshencën e tij në epokën e smartfonëve. Me mediat sociale dhe mesazhet që zëvendësojnë aktivitete të tjera, Z Gen shpenzon më pak kohë me miqtë e tij personalisht – ndoshta dhe arsyeja pse ata po përjetojnë nivele të paprecedentë ankthi, depresioni dhe vetmie.
Por teknologjia nuk është e vetmja gjë që e bën iGen të dallueshëm nga çdo brez para tyre; ata janë gjithashtu të ndryshëm në mënyrën se si e kalojnë kohën e tyre, si sillen dhe në qëndrimet e tyre ndaj fesë, seksualitetit dhe politikës. Ata shoqërohen në mënyra krejtësisht të reja, e më shumë se gjeneratat e mëparshme, ata janë të fiksuar pas sigurisë. Duket sikur po rriten gjithashtu më ngadalë se gjeneratat e mëparshme: tetëmbëdhjetë vjeçarët duken dhe sillen si pesëmbëdhjetëvjeçarët e dikurshëm.- shprehet psikologia Jean M Twenge, e cila preferon termin gjenerata e internetit- iGEN
Të njohur me emrat GEN Z, iGEN apo Zoom-ers, kjo gjeneratë pason Milenianët (’81-96) dhe paraprin brezin Alfa. Shumica e anëtarëve të Gjeneratës Z janë fëmijë të Gjeneratës X (1965-1980).
Si brezi i parë shoqëror që është rritur me akses në internet dhe teknologji digjitale portative që në moshë të re, anëtarët e Gjeneratës Z, edhe pse jo domosdoshmërisht të shkolluar perms formave digjiitale, janë quajtur “të lindurit digjitalë”. Krahasuar me gjeneratat e mëparshme, anëtarët e Gjeneratës Z kanë tendencë të jenë më pak aktiv socialisht, më të shqetësuar emocionalisht se gjeneratat e mëparshme lidhur me performancat akademike dhe perspektivat e punës, dhe janë më të mirë në vonimin e kënaqësisë sesa homologët e tyre nga vitet 1960, pavarësisht shqetësimeve për të kundërtën.
Në nivel global, studimet tregojnë një ulje të moshës mesatare të fillimit të pubertetit tek vajzat e iGEN në krahasim me shekullin e 20-të, duke parashikuar implikime për mirëqenien dhe të ardhmen e tyre. Për më tepër, prevalenca e alergjive në mesin e adoleshentëve dhe të rinjve në gjeneratën Z është më e madhe se popullata e përgjithshme, arsyet e së cilës mbeten ende për tu hetuar nga studjuesit.
Te kjo gjeneratë, ndonëse shihet se ka më shumë ndërgjegjësim lidhur me kushtet e shëndetit mendor, ato raportojnë më shumë problematika psikologjike që lidhen me depresionin, ankthin e probleme të gjumit .
Të rinjtë i-GEN kanë më shumë gjasa të diagnostikohen me aftësi të kufizuara intelektuale dhe çrregullime psikiatrike sesa gjeneratat e vjetra, shpenzojnë më shumë kohë në pajisjet elektronike dhe më pak kohë duke lexuar libra se më parë, gjë që ka ndikuar në çrregullime të vëmendjes së tyre, në një fjalor më të kufizuar fjalësh e probleme në performancat akademike.
The Economist e ka përshkruar këtë gjeneratë si një brez më të arsimuar, më të sjellshëm, më të stresuar por më depresiv në krahasim me gjeneratat e mëparshme.
Duke u mbështetur në gjetjet e studimeve mbi këto grupe, iGen është brezi i parë që dokumenton ndikimin e ndryshimeve kulturore mbi një brez, duke dokumentuar se si ndryshimet dhe zhvillimet teknologjike kanë ndikuar në qëndrimet, botëkuptimet dhe shëndetin mendor të tyre.
Me revolucionin e internetit 1990, ata kanë patur akses në një sasi të madhe informacioni – mjet pa të cilin ata nuk kanë qënë kurrë. Po ti shtojmë këtij fakti dhe qindra mijëra aplikacionet e disponueshme vetëm me pak klikime në paisjet e tyre celulare, shohim se “lidhjet e tyre digitale me internetin”, duket se nuk po i ndihmojnë në betejat e tyre emocionale dhe mendore me të cilat përballen jashtë linje.
Sot, pothuajse çdo adoleshent ka një smart phone në dorë e kjo prevalence në rritje e varësisë nga teknologjia duket se ndikon drejtpërdrejt në mungesën e aftësisë së vetrregullimit emocional, i cili pengon zhvillimin dhe pjekurinë e kërkuar nga prindërit për fëmijët e tyre.
Çfarë e bën brezin iGen të ndryshëm?
Dr. Twenge rendit disa karakteristika të kësaj gjenerate që i dallon ata nga prindërit dhe vëllezërit e motrat më të mëdhenj:
– shumë më tolerante ndaj të tjerëve, racave kulturave të ndryshme, orientimeve seksuale,
– më të kujdesshëm, duke mos marrë rreziqe,
– duke u rritur më ngadalë, duke mos dashur të qëndrojnë vetëm në shtëpi,
– më pak gjasa për të pirë alkool ose drogë në shkollë të mesme,
– më pak gjasa për të shkuar në kishë apo institucione të tjera fetare,
– kanë më shumë gjasa t’i besojnë mendimit të tyre dhe të mos u besojnë figurave të autoritetit të kishave apo atyre qeveritare,
– vonesa në lidhjet serioze romantike,
– përjetimi i më pak shtatzënive adoleshente,
– kalojnë më pak kohë në qendrat tregtare,
– më pak gjasa për të parë një film,
– më pak të interesuar për kontaktin ballë për ballë me të tjerët, duke preferuar të lidhen nëpërmjet telefonave inteligjentë,
– më pak të interesuar për të lexuar libra, revista ose gazeta,
– më shumë kohë duke luajtur lojëra kompjuterike,
– më pak përvojë për të pasur një punë pas shkollës ose verë dhe për të fituar para gjatë shkollës së mesme,
– ndjehen më të dëshpëruar se ato të gjeneratave të mëparshme,
– ndjehen të vetmuar dhe të pa nevojshëm,
– të ndjeshëm ndaj niveleve më të larta të vetëvrasjeve,
– më të mbikëqyrur dhe të mbrojtur gjatë rritjes,
– shpenzimi i sasive të mëdha të kohës duke përdorur mediat sociale dhe telefonat inteligjentë; ndonjëherë deri në orët e para të mëngjesit, dhe,
– politikisht më konservatore dhe më pak të interesuar për t’u identifikuar me një parti politike. (Votuesit e moshës 18 deri në 29 vjeç janë tani një përqindje më e madhe e të gjithë votuesve sesa ata mbi 65 vjeç.)
Në fund të librit të saj iGEN, Dr. Twenge shkruan ” fëmijët e kësaj gjenerate janë të frikësuar, ndoshta edhe të tmerruar. të rritur vonë, me nevojën për siguri dhe të frikësuar nga pasojat e pabarazisë së të ardhurave, ata kanë ardhur në adoleshencë në një kohë kur aktiviteti i tyre kryesor shoqëror është i ngulur në një ekran të vogël drejtkëndor që mund t’i pëlqejë ose t’i refuzojë. Pajisjet që ata mbajnë në duar kanë zgjatur fëmijërinë e tyre dhe i kanë izoluar nga ndërveprimi i vërtetë njerëzor. Si rezultat, ata janë edhe brezi fizikisht më i sigurt por njëkohësisht dhe më i brishtë mendërisht…Nëse mund të çlirohen nga tufa e vazhdueshme e telefonave të tyre dhe të heqin dorë nga petku i rëndë i frikës së tyre, ata ende mund të fluturojnë. Dhe ne të tjerët do të jemi atje, duke i brohoritur ata.”
Përgatiti: Rudina Koromani- Psikologe Klinike