Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi sot se arritja e “ribashkimit të plotë” të Tajvanit me Kinën mbetet “detyrë historike e palëkundur” e Partisë Komuniste, duke u bërë thirrje kinezëve në mbarë botën që të kundërshtojnë pavarësinë e Tajvanit.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, Xi i bëri këto komente gjatë një ceremonie në Pekin, me rastin e 160-vjetorit të lindjes së Sun Yat-sen-it, udhëheqësit revolucionar që ndihmoi në rrëzimin e monarkisë perandorake të Kinës në vitin 1911.
“Zgjidhja e çështjes së Tajvanit dhe arritja e ribashkimit të plotë të atdheut është mision historik i palëkundur i Partisë Komuniste të Kinës”, tha Xi. Ai e përshkroi ribashkimin si aspiratë të përbashkët të popullit kinez dhe si një hap të domosdoshëm drejt rimëkëmbjes kombëtare.
Xi u bëri thirrje njerëzve në të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit si dhe komunitetit kinez jashtë vendit që të kundërshtojnë forcat që avokojnë për pavarësinë e Tajvanit dhe të punojnë për marrëdhënie paqësore mes dy anëve të ngushticës.
Ai theksoi se Sun Yat-sen-i e ka mbrojtur me vendosmëri unitetin kombëtar dhe ishte kundërshtuar ndaj përpjekjeve për të përçarë vendin.
Sun Yat-sen-i, i lindur në vitin 1866 themeloi Kuomintangun (KMT) – sot parti opozitare në Tajvan dhe ndihmoi në udhëheqjen e Revolucionit të vitit 1911, i cili i dha fund mijëra viteve të sundimit perandorak në Kinë. Ai ndërroi jetë në vitin 1925.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj ndërsa Taipei i hedh poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet. Pekini ka bërë thirrje vazhdimisht për ribashkim paqësor, nën kuadrin e tij “një shtet, dy sisteme”, një propozim që ka gjetur pak mbështetje midis partive kryesore politike të Tajvanit.









