Dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën 17 të tjerë janë plagosur pas shembjes së një ndërtese trekatëshe në New York, në Shtetet e Bashkuara. Mes të plagosurve janë edhe shtatë fëmijë, ndërsa katër persona ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00 të së mërkurës, në lagjen Flatbush, në zonën e Brooklynit. Shkaqet e shembjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e katastrofës mbërritën ekipe të shumta zjarrfikësish dhe shpëtimi, të cilat nisën operacionet për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë zjarrfikësit duke nxjerrë njerëz nga grumbujt e mbeturinave, duke i vendosur në barela dhe duke përdorur shkallët për t’i transportuar drejt ambulancave.
Ende nuk dihet se sa persona mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se operacioni është veçanërisht i rrezikshëm për shkak të paqëndrueshmërisë së strukturës.
Sipas komisionerit të Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkut, operacionet e kërkim-shpëtimit janë jashtëzakonisht të vështira dhe paraqesin rrezik edhe për vetë ekipet e ndërhyrjes.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që shembja të ketë lidhje me punimet në një kantier ndërtimi ngjitur, ku raportohet se janë bllokuar persona si pasojë e incidentit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se operacionet do të vijojnë deri në verifikimin e plotë të zonës dhe identifikimin e të gjithë personave që mund të ndodhen nën rrënoja.










