Sipas propozimit të ri, pronat e sekuestruara fillimisht do të nxirren në ankand me 80% të vlerës së përcaktuar nga banka. Nëse nuk shitet, atëherë ankandi i dytë zbret me 20 % të vlerës së ankandit të parë.
Po ashtu, është përcaktuar dhe faza e tretë e ankandit për të cilin do të zbritet deri në 46% të vlerës totale të pronës së konfiskuar nga bankat. Por kalvari i debitorëve nuk përfundon me kaq. Edhe pse banka do t’ua shesë pronën me gjysmën e vlerës, ata do të mbeten sërish debitorë për pjesën e mbetur.
Qytetari apo biznesi do të mbetet borxhi sërish ndaj bankës në diferencën e mbetur prej 54%, në rast se vlera e shlyer deri në atë kohë, së bashku me pronën e shitur, nuk e plotëson borxhin ndaj bankës. Këto parashikime ligjore janë pranuar nga vetë deputetët e maxhorancës dhe opozitës dhe nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, se nuk i japin zgjidhje problemit të kredive të këqija.
Por për ministrin Manjani, kjo duhet t’u shërbejë si ndëshkim debitorëve që të mos e çojnë çështjen deri në sekuestron e pronës.
“A do të zgjidhet çështja e kredive të këqija? Sigurisht që ky është një nga elementet e pazëllit të madh… Të shesësh një objekt me 30% të vlerës së tij nuk është normale. Por është dhe çështje ndëshkimi, që mos të të çojë dreqi që pasurinë tënde ta administrojnë ca të tjerë dhe ta shesin për një copë bukë. Është një mënyrë ndëshkimi që të marrësh masa”, tha dje Manjani.
Këto nisma ligjore nuk u miratuan dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për shkak të mungesës së kuorumit, duke u shtyrë për ditën e sotme.
Akuzat ndaj bankave
Gjatë shqyrtimit të projektligjeve që do të ndryshojnë “Kodin e Procedurës Civile” dhe “Barrës Siguruese”, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ka akuzuar bankat se kanë krijuar një skemë korruptive me dhënien e kontratave të shërbimit vetëm te 4 kompani të shërbimit përmbarimor privat.
Xhafaj lexoi disa statistika dje, duke thënë se nga 18 mijë kontrata, 11 mijë prej tyre u janë dhënë 4 kompanive të shërbimit përmbarimor, të cilat kapin në total një faturë prej 2.8 miliardë eurosh detyrim vlerë për ekzekutim. Sipas disa statistikave, janë 18 mijë kontrata shërbimi në 6 vjet. S’ka marrë asnjë prej tyre shërbimi publik shtetëror, është e drejtë e tyre ta zgjidhin, prandaj u krijua shërbimi përmbarimor privat. 11 mijë kanë vetëm 4 zyra përmbarimore, 2.5 miliardë euro detyrim vlere për ekzekutim. Bankat i paguajnë vetëm 4 zyrave rreth 20 milionë euro.
Dhe tani banka thotë e ka fajin përmbarimi. Bankat vetë kanë zgjedhur 4 kompani, e kanë futur vetë monopol për arsye të pastra korruptive brenda sistemit bankar dhe tani thonë e kanë fajin këta të përmbarimit”, u shpreh dje Xhafaj.
Ndërsa ministri Manjani tha se bankat janë përgjegjëse për kreditë e këqija, sepse i kanë dhënë ato jashtë çdo rregulli. “Edhe bankat ia fusin kot se në fund të historisë, pse janë krijuar kreditë e këqija, për këtë janë bankat përgjegjëse. Ne na kanë lënë faturën, dhe hajde ma zgjidh thotë. Kanë dhënë kredi sa janë shqep, sa u ka dash qejfi, jashtë rregullave dhe ne na lënë faturën”, tha dje Manjani.
Debati pwr kreditw e kwqija
Ylli Manjani: Edhe bankat ia fusin kot se në fund të historisë, pse janë krijuar kreditë e këqija, për këtë janë bankat përgjegjëse. Ne na kanë lënë faturën, dhe hajde ma zgjidh thotë. Kanë dhënë kredi sa janë shqep, sa u ka dash qejfi, jashtë rregullave dhe ne na lënë faturën…
Fatmir Xhafaj: Sipas disa statistikave, janë 18 mijë kontrata shërbimi në 6 vjet. S’ka marrë asnjë prej tyre shërbimi public shtetëror, është e drejtë e tyre ta zgjidhin, prandaj u krijua shërbimi përmbarimor privat. 11 mijë kanë vetëm 4 zyra përmbarimore, 2.5 miliardë euro detyrim vlere për ekzekutim. Bankat u paguajnë vetëm 4 zyrave rreth 20 milionë euro.
Dhe tani banka thotë e ka fajin përmbarimi. Bankat vetë kanë zgjedhur 4 kompani, e kanë futur vetë monopol për arsye të pastra korruptive brenda sistemit bankar dhe tani thonë e kanë fajin këta të përmbarimit.
Eduard Halimi: Në kohën kur ne humbëm zgjedhjet, kemi pasur një kontratë me të tre këta personat e shoqatës së bankave. Ka qenë një marrëveshje mes ministrisë dhe shoqatës së bankave, të cilën ata nuk e kanë zbatuar, jo se e ka fajin qeveria që nuk e ka zbatuar për hir të së vërtetës.
Bankat nuk e kanë zbatuar që të kishte një regjistër elektronik të përmbaruesve që ata të kishin akses, në mënyrë që të shikonin performancën e çdo përmbaruesi e të shihnin dhe shpërndarjen. Por normalisht nuk u ka interesuar bankave që ta shpërndanin te 100% të përmbaruesve, kanë referuar 4 zyra, problemi është i tyre… Me këtë propozim që na kanë sjellë bankat, unë jam skeptik se nuk do të zgjidhen kreditë e këqija, sepse ato do të jenë përsëri aty…
Vasilika Hysi: Propozimet që keni sjellë nuk e zgjidhin problemin e kredive të këqija, madje situata e debitorëve do të rëndohet më shumë, e vetmja gjë janë bankat dhe përmbaruesit do të vënë disa sekuestro e disa ankande, por pjesën tjetër që debitori ka ndaj bankës, nuk zgjidhet.
Ylli Manjani: A do zgjidhet çështja e kredive të këqija? Sigurisht që ky është një nga elementet e pazëllit të madh… Ne do të krijojmë një qendër ankandi publik për të gjitha sendet e sekuestruara. Do të krijojmë një tip “eBay” që të rrisim sasinë e ofertës në treg.
Të shesësh një objekt me 30% të vlerës së saj nuk është normale. Por është dhe çështje ndëshkimi që të mos të të çojë dreqi që pasurinë tënde ta administrojnë ca të tjerë dhe ta shesin për një copë bukë. Është një mënyrë ndëshkimi që të marrësh masa.
Vasilika Hysi: Ju e dini që shpesh me çmimet mund të abuzohet nga banka dhe përmbaruesit, duke përcaktuar çmime qesharake, që në fund fare njëri prej tyre ta blejë pronën. Unë nuk pajtohem me çmimin e ri në masën 30 për qind të çmimit, ta shesësh objektin, një biznes, një shtëpi të blerë vetëm 30 për qind për arsye se në një moment është bllokuar, se një objekt mund të bllokohet jo se nuk ka fuqi likuiduese, mund të jenë edhe arsye të tjera. Prandaj nuk mund të detyrojmë t’ia marrin për hiç gjë pasurinë.
Fatmir Xhafaj: Nga ankandi i dytë tek i treti një ulje me 10 për qind dhe mbaroi.
Blerdar DervishajKëshilltar i Ministrit: Ulja që bëhet midis ankandit të dytë dhe të tretë realisht është 26 për qind ulje tjetër, sepse ankandi i dytë fillon me 56 për qind të çmimit të parë. Kështu është llogaritur. Kur bëhet vlerësimi i sendit, 100 lekë.
Ankandi i pare shpallet me 80 lekë. Kësaj mase, nëse nuk shitet, kalon në 30 për qind ulje, pra zbret 24 për qind dhe kalon automatikisht me 56 për qind të vlerës fillestare. Pra, diferenca mes ankandit të dytë dhe të tretë është realisht 26 për qind ulje tjetër ka.
Fatmir Xhafaj: Ne thamë të bëjnë një ulje në masën 10 për qind. Ulje 10 për qind nga çmimi i ankandit të dytë.
Blerdar Dervishaj Këshilltar i Ministrit: I bie 46 për qind të vlerës fillestare.
Vasilika Hysi: 46% është hiç gjë…
Fatmir Xhafaj: Ke kërkuar kredi, je pajtuar me atë që të ka dhënë ai, ke pranuar që nëse nuk realizon kredinë, ke lënë kolateral, do të ekzekutohet.
Vasilika Hysi: Pjesa e papaguar që debitori do t’i paguajë vazhdon të qëndrojë dhe kjo nuk e zgjidh shqetësimin e kredive të këqija…
Fatmir Xhafaj: Po normal, se në rast se unë të jap ty 100 lekë dhe nëpërmjet kësaj marr 40 lekë, 60 lekëshin normal që nuk do ta fal. Do ta kërkoj kur të vijë momenti ose do kalojë në sekuestro mbi pasuritë e tjera.
ma.me