Qeveria amerikane nuk ka tërhequr qëndrimin e saj, pavarësisht videos që tregon vrasjen e një gruaje 37-vjeçare në Minneapolis nga një agjent i ICE. Përkundrazi, JD Vance ka sulmuar viktimën dhe ka deklaruar se ngjarja ishte e nxitur nga “një rrjet ekstremist i majtë”. Ai gjithashtu ka kritikuar gazetarët që shkruan se gruaja ishte e pafajshme.
Agjenti i ICE që qëlloi tre herë ndaj Renee Nicole Good, sipas Vance, “veproi për mbrojtje të ligjshme, sepse ajo u përpoq ta përplaste me makinë”. Asnjë nga gazetarët nuk i kujtoi se pamjet e marra nga një dëshmitar tregonin se rrotat e automjetit ishin kthyer në të djathtë, si për të ikur dhe jo në të majtë ndaj agjentit.
Në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë, Vance foli për 35 minuta në një fjalim që u kthye në një thirrje politike të zjarrtë.
“Kjo ka qenë një sulm ndaj popullit amerikan. Mënyra se si mediat raportuan këtë ngjarje është një turp absolut dhe vë në rrezik forcat e rendit”, tha ai. “Presidenti është me ICE, unë jam me ICE; të gjithë jemi pranë tyre,” shtoi Vance. Më pas njoftoi: Agjenti që shtiu është i mbrojtur nga imuniteti absolut. Të mendosh se Tim Walz dhe një grup ekstremistësh nga Minneapolis mund t’i vështirësojnë jetën këtij njeriu vetëm sepse po kryente detyrën e tij, është e pamundur.
Ndërkohë, FBI ka përjashtuar policinë lokale nga hetimet, një hap që mund të çojë në arkivimin e shpejtë të rastit.
Fjala e Vance tregon qartë se Shtëpia e Bardhë vlerëson viktimat ndryshe në bazë të bindjeve të tyre politike: gruaja e vrarë në Minneapolis shihet si e fajshme, ndërsa Ashli Babbitt, aktivistja pro-Trump e vrarë në Capitol Hill më 6 janar 2021, ndërsa tentonte të depërtonte në dhomën e deputetëve, konsiderohet “martire” nga Trump. Në atë rast, qeveria publikoi menjëherë identitetin e agjentit përgjegjës, pa e mbrojtur përfaqësuesin e ligjit.
Ky standard i dyfishtë është nënvizuar edhe nga sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem, e cila ka cilësuar ngjarjen në Minneapolis si “akt të terrorizmit të brendshëm”. Ajo tha se Good “po vepronte sipas trajnimit të marrë” dhe se së bashku me disa individë të tjerë “kishin ndjekur agjentët tanë gjatë gjithë ditës, i kishin shqetësuar dhe penguar.
Po pengonte operacionet e policisë, dhe kur zyrtarët i urdhëruan disa herë të dilte nga automjeti, ajo nuk e bëri. Po përpiqej të përdorte makinën si armë duke tentuar të përplaste agjentin.”
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka deklaruar se ka biseduar me Trump dhe i ka kërkuar të tërheqë agjentët e ICE nga shteti. Pak orë më pas, qeveria ka njoftuar se në Minesota do të dërgohen agjentë të tjerë të ICE.











