Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka reaguar për vrasjen e ndodhur në Gjirokastër, duke akuzuar direkt policinë si fajtore në ngjarje.
“Vrasja dy ditë më parë në Gjirokastër ishte një ngjarje e rëndë, e paralajmëruar, madje e lejuar nga policia atje, pasi autori i kishte të gjitha lehtësitë, para e pas aktit”, tha Alibeaj.
“Endri Lluka, person me precedentë penalë, bridhte lirshëm në zonë, i armatosur, e kërcënonte fshatarët në fshatrat ku kishte parceat me kanabis. Ndaj tij kishte edhe denoncime, por policia nuk mori asnjë masë.
Pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti një njeri i vrarë dhe u plagos vëllai i tij, policia nuk ngriti asnjë postbllok. Sipas specialistëve, vendi është i tillë që do të mjaftonin dy postblloqe për ta kapur brenda orës.
I pyetur nga përfaqësues të opozitës, shefi i policisë së Gjirokastrës dha një përgjigje tipike si shërbyes i Tahirit, se ai nuk i jepte llogari askujt.
PD i kërkon prokurorisë të hetojë menjëherë për të gjitha veprimet që i lehtësuan krimin vrasësit, si dhe mosveprimet që i lehtësuan atij largimin pas vrasjes”.