Rasti i rëndë i vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj filipinas në Itali u trajtua në emisionin “Në kohë reale” nga Flori Gjini.
Avokatja Margarita Kola u shpreh se që në fillim kishte dyshuar se autori i krimit mund të ishte i dashuri i saj. Sipas saj, rrethana të caktuara ngritën pikëpyetje, veçanërisht mënyra se si u komunikua zhdukja e vajzës.
“Rasti i Ilarias është një rast i rëndë. Në rastet kur nuk gjendet trupi, edhe nëse ke prova të mjaftueshme, është e vështirë ta përballësh çështjen në gjykatë. Kam menduar që në fillim që vrasësi mund të jetë i dashuri i saj. Më lindën dyshime sepse, nëse vajza do të njoftonte familjen për largimin, nuk kishte pse ta bënte përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu, nëse ajo do të largohej për një arsye, do të përpiqej ta mbante sa më diskrete. Ndërkohë, shoqet e dinin që ajo do të takonte të dashurin, sipas kontaktit të fundit që kishin”, u shpreh Kola.
Ndryshe nga ajo, avokatja italiane Ilenia Mehilli tha se fillimisht nuk kishte dyshuar te i dashuri. Sipas saj, ai u përpoq të shmangte dyshimet duke u treguar aktiv dhe i interesuar për fatin e 22-vjeçares. Për Mehillin, gabimi që nxorri zbuluar të dashurin e saj ishte fakti që ai mori në menaxhim rrjetin social të 22-vjeçares së ndjerë.
“Në fillim nuk dyshoja te i dashuri, pasi dukej i angazhuar në kërkimin e saj. Ai bëri çmos që policia të mos dyshonte, duke dërguar mesazhe familjarëve dhe duke u interesuar vazhdimisht. Përdori të gjitha mënyrat për t’iu shmangur drejtësisë. Gabimi i tij ishte se mbajti në përdorim telefonin e saj”, tha Mehilli.
Ilaria Sula studionte në Fakultetin e Statistikave në Universitetin “Sapienza” në Romë dhe ishte zhdukur më 25 mars nga zona Furio Camillo, ku jetonte në një apartament me shoqe.
Studentja 22-vjeçare u gjet më pas e vrarë në një zonë të pyllëzuar në periferi të Romës. Trupi i saj u zbulua në fund të një shkëmbi, pranë komunës Poli, brenda një valixheje të madhe.











