Në Gjykatën e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, ku sot në orën 11:30 ishte parashikuar të zhvillohej seanca për shqyrtimin e kërkesës së Gjon Shkambit për ndryshim të masës së sigurisë, seanca nuk u mbajt pasi i pandehuri u tërhoq në momentin e fundit nga kërkesa e tij.
Më herët, Gjykata e Tiranës kishte pranuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e afateve hetimore me tre muaj, me qëllim verifikimin e disa akteve të ekspertimit telefonik të dërguara në laboratorin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Gjon Shkambi është xhaxhai i Elvis Shkambit, autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025, ngjarje e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë.
Në atë atentat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurti, palë kundërshtare në procesin gjyqësor për një konflikt pronësie.
Shkambi ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij, i cili qëlloi gjyqtarin menjëherë pasi ky i fundit lexoi vendimin kundër kërkesës së familjes Shkambi për një pronë të përfituar si ish-pronar në vitet ’90.
Konflikti për këtë pronë ka përfshirë 31 familje dhe ka zgjatur për më shumë se tre dekada në gjykata.
Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në tetor 2025, një ngjarje që nxori në pah tensionet e thella të proceseve gjyqësore për çështjet e pronësisë.











