30 vite burg për Xhuliano Hoxhën dhe 12 vite për Euglen Halilin kërkoi SPAK ditën e sotme për dy të pandehurit për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj, ngjarje të ndodhur në vitin 2020. Dy viktimat ishin shokë me njëri-tjetrin, ndërsa fillimisht u ekzekutua me armë Ramazani dhe më pas me thikë Runaj.
Gjatë relatimit të pretencës SPAK sqaroi se emri i Euglen Halilit u zbulua si i përfshirë në dy krimet pasi një person e kishte parë atë në tavolinë me Regis Runajn. Pasi u shoqërua në polici, Euglen Halili ka rrëfyer se porosinë për të kryer të dy krimet i ka marrë nga Erjon Alibej.
Ai sqaroi se në atë periudhë Xhuliano Hoxha ishte në kushte të vështira ekonomike dhe se u duheshin para për të jetuar. Erjon Alibej e ka kontaktuar Hoxhën për të vëzhguar Emiljano Ramazanin dhe më pas do ta ekzekutonin.
Bashkëpuntori tregon se fillimisht Alibej i ka dhënë Xhuliano Hoxhës 5 mijë Euro dhe një celular të kriptuar që të komunikonin. Gjatë kohës së vëzhgimit të lëvizjeve të Ramazanit ai u kishte dhënë edhe shuma të tjera parash.
Sipas prokurorisë Euglen Halili dhe Xhuliano Hoxha nuk kishin dijeni që për të kryer ekzekutimin ishte kontaktuar Nuredin Dumani. Sipas Halilit, Xhuliano Hoxha ka marrë nga Erjon Alibej një listë me emra personash që do të vriteshin.
Ai kërkonte të vriste Emiljano Ramazanin pasi kishte qenë në rolin e vëzhguesit në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit” në Dhjetor 2018. Në atë ngjarje u vranë vëllai, xhaxhai dhe një mik i familjes Alibej. Halili ka shpjeguar se ai s’e ka takuar asnjëherë Erjon Alibejn dhe as nuk ka folur pasi ai komunikonte vetëm me Xhulianon.
Në 19 Korrik të 2020 është tentuar të vritej Emiljano Ramazani, por nuk u realizua pasi në moment të fundit erdhën njerëz të tjerë dhe u ulën në tavolinë me Ramazanin. Ata ishin në një lokal në Bradashesh.
Emiljano Ramazani u ekzekutua një ditë më pas poshtë shtëpisë së tij me 6 plumba të dala nga një pistoletë TT. Arma e krimit sipas deklarimeve të Nuredin Dumanit është dërguar nga Klevis Kapllani në servisin e Seit Manhasës, me porosi të Erjon Alibejt në mënyrë që të zhdukej çdo dyshim në drejtim të tij.
Sipas prokurorisë, Erjon Alibej një ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit i ka dërguar një mesazh vëllait të viktimës ku i shprehte atij ngushëllimet duke i thënë se e kuptonte dhimbjen e tij, pasi edhe atij i kishin vrarë vëllain.
Po ashtu mes të tjerash Alibej është shfajësuar, duke i thënë se ai s’ka lidhje me ngjarjen siç flitej në media dhe se një ditë e vërteta do të zbulohej. Një tjetër detaj interesant ishte fakti që telefoni i Emiljano Ramazanit, iPhone 7 i është bërë ‘restart’, kthim në gjendjen fillestare, në orën 17:17 minuta dhe nuk është përftuar asgjë nga ekspertiza.
Pas vrasjes se Ramazanit, Erjon Alibej u kishte lënë Halilit dhe Xhulianos ultimatum që brenda një jave të vritej edhe Regis Runaj, por këtë të fundit, duhet ta vrisnin me thikë.
Dy të dyshuarit kishin dijeni për vendet ku lëvizte Runaj dhe e dinin që ai ishte përdorues i lëndëve narkotike. Ditën e ngjarjes pasdite ata janë takuar në një lokal në Elbasan dhe më pas janë nisur drejt varrezave të qytetit për të pirë hashash.
Ata kanë pirë 3 cigare. Halili është kthyer me motor me Runajn ndërsa Hoxha ka lëvizur me makinë. Sipas SPAK, Halili e ka goditur 27 herë me thikë të riun duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas është larguar nga ngjarja me ndihmën e Xhuliano Hoxhës.
/a.r