Djali i Hyqmet Nexhipit, biznesmeni i vrarë tri ditë më parë në Vlorë, ka mohuar të ketë dijeni për krimin e rëndë, shkruan sot Panorama. Olsi Nexhipi u arrestua, pasi në banesë iu gjetën armë zjarri dhe drogë, por, sipas Policisë, ai është në listën e personave që janë në hetim për vrasjen e 52-vjeçarit Hyqmet Nexhipi.
Viktima, pronar i anijes “Drita”, u gjet i vrarë në makinën e tij rreth orës 05:00 të së shtunës, në Rrugën Transballkanike. “Nuk kisha kontakte me babain dhe as konflikte. Nuk kam dijeni për autorët që mund ta kenë vrarë atë”.
Kështu ka deklaruar për grupin hetimor 24-vjeçari, i cili u arrestua një ditë pas vrasjes së babait të tij. Ai është marrë në pyetje nga hetimorët fillimisht për sendet e paligjshme që iu gjetën në banesë.
Sipas të dhënave, i riu ka pranuar se arma është e tij, por se nuk e kishte përdorur dhe se e mbante pa asnjë qëllim kriminal në banesë. Ndërsa në lidhje me drogën, ai ka pretenduar se është përdorues.
Ai nuk ka pranuar të komentojë sasinë prej 115 gramë lëndësh narkotike kanabis sativa, e cila e tejkalon limitin e një përdoruesi.
Panorama