Publikohet dokumentin sekret i SHISH i vitit 1998 për vrasjen e Azem Hajdarit. Në këtë raport theksohet se Vëllezërit Haklaj dhe Haxhiaj bënin trafik armësh me Kosovën, aferë në të cilën ishte përfshirë edhe Azem Hajdari.
SHISH thekson se arrestimi në rrugën e tretë të trafikut të Isamedin Haxhiajt dhe Halil Haklajt dhe një telefonatë e dyshimtë mes një prej trafikantëve me Azemin apo Shaban Meminë acaroi marrëdhëniet mes tyre. Në dokumentin sekret flitet edhe për vrasjet e bujshme në Tropojë të cilat nisin në janar 1998.
Në seancën e parë te Gjykata e Tiranës, Izet Haxhia ka kërkuar të ballafaqohet me Sali Berishën, për vrasjen e Azem Hajdarit. Haxhia ka thënë përpara trupit gjykues se ka pasur një plan nga Berisha edhe për vrasjen e tij.
Raporti i SHISH për vrasjen e Azem Hajdarit:
Vrasësit Fatmir Haklaj, Jaho Salih Mulosmani dhe Feriz Kërnaja
“Nga disa burime të besueshme informative, të pavarura prej njëri-tjetrit, dyshohet se, autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari janë: Fatmir Muhamerr Haklaj, Jaho Salih Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, që të tre nga rrethi i Tropojës”, thuhet në raportin e SHISH.
Origjina e konfliktit, mitingu i PD në Tropojë
Origjina e konfliktit mes këtij grupi dhe Azem Hajdarit zë fill me tentativën për vrasje që realizoi deputeti i PS, Gafurr Mazreku ndaj Azem Hajdarit në datën 18 shtator 1997. PD-ja pas kësaj ngjarje kërkoi të realizonte një miting proteste në Tropojë. Shefi i komisariatit të policisë në atë periudhë Fatmir Haklaj, nuk ju dha leje dhe për pasojë krijoi konflikt me të quajturin Fatmir Hoxha, i cili është nga fshati Luzhë i Tropojës, në atë kohë ka qenë oficer i Policisë Kufitare në Shkodër, aktualisht qëndron i mbyllur në shtëpi për motive hasmërie.
Kalvari i vrasjeve në Tropojë në 1998
Në datën 5 janar 1998 në Qafë-Luzhë, Tropojë, vritet shkëlqim Haklaj, i vëllai i Fatmir Haklës, së bashku me kunatin e këtij të fundit të quajtur Kujtim Demiri. Kjo vrasje u dyshua se ishte bërë nga Haki Hoxha dhe Abdyl Matoshi, nga fshati Luzhë, ish-oficer i Policisë në Burrel, të dy të shtyrë nga Azem Hajdari. Me datën 6 janar 1998 në fshatin Cernicë të Tropojës, vriten Avdyl Matoshi, Gjin Kolçubaj nga Bukova e Tropojës dhe Naim Dizdari, i cili kish grua motrën e Abdyl Matoshit. Në këtë vrasje, Fatmir Haklaj nuk ka marrë pjesë vetë.
Azem Hajdari doli nga selia e PD pas telenatës
Sipas informacioneve tona, ditën e ngjarjes, pra me 12 shkurt 1998, rreth orës 21:00, Azem Hajdari është ftuar me telefon për të biseduar rreth këtij problemi në vendin e kryerjes së krimit. Azemi ka dalë nga zyrat i shoqëruar prej dy badigardëve të tij, Besim Çerja dhe Zenel Neza. Vrasja e tij është bërë nga një “Benz” me targa të Vlorës, por jo me atë numër targe që jep ish-presidenti Sali Berisha.
Kjo makinë i është marrë Myftar Çulajt, pronar i një lokali tek “Menca e kinezëve”, me emrin “Tarzani”, nga grupi i mësipërm Myftarin, pas kryerjes së krimit e kanë marrë në telefon dhe në shkëmbim të makinës i kanë kërkuar që të shkojë në Tropojë për të marrë 30 milionë lekë.
Myftari i trembur, ka ikur në Itali bashkë me vëllain e tij. Në vrasjen e Azem Hajdarit ka marrë pjesë edhe një person nga Nikla e Krujës, i njohur si vrasës profesionist dhe po atë datë, rreth orës 24:00, është çuar i plagosur në spitalin e Tiranës ku dhe ka vdekur. Në xhep i është xhetur një pasaportë e firmosur nga Fatmir Meta, ish-shef i komisariatit Tropojë. Ky person dyshohet të jetë plagosur rëndë në momentin e përplasjes mes dy grupeve nga Azem Hajdari ose është vrarë nga grupi i Jaho Mulosmanit, për të humbur gjurmët e krimit. Ekzekutorët e vrasjes së Azem Hajdarit kanë udhëtuar për tërë natën në drejtim të Tropojës, ku kanë mbërritur rreth orës 05:00 të datës 13 shtator 1998.
Vëllai i Izet Haxhisë
Momenti i vetëm kur emri i Izet Haxhisë përmendet në dokument është gjatë verifikimeve mëngjesin e ditës pas vrasjes nëse personat e dyshuar ndodheshin apo jo në Tropojë, mes tyre edhe Ismet Haxhia, vëllai i Izetit. “Në vendngjarje është ndodhur makine e Ismet Haxhisë – Shef i Qarkullimit Rrugor në Tropojë, vëllai i Izet Haxhisë. Kjo makinë është “Tipo” me targa “Policia 203”. Ismet Haxhia kishte ardhur në Tiranë 2-3 ditë para ngjarjes dhe është larguar prej saj ditën e mërkurë pra, katër ditë pas vrasjes. Ismet Haxhia ka vëlla edhe Isamedin Haxhiaj.
Haklaj dhe Hajdari, trafik armësh në Kosovë
Isamedini dhe Halil Haklaj, vëllai i Fatmir Haklajt, zhvillonin së bashku trafik armësh nga Gramshi në Tropojë me objekt Kosovën. Për këtë qëllim ishin lidhur në Gramsh me Rudi Bardhoshin, subjekti i ynë në gjurmim për trafik armësh. Me këtë ofertë ishin përzier edhe Azem Hajdari e Ahmet Kraniqi, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës.
Rrugën e tretë të ngarkesës me armë nga Gramshi për në Tropojë arrestohet nga policia e Gramshit Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhiaj. Me ta ndalohet dhe më pas lirohet edhe pritësi i tyre nga Gramshi, Rudi Bardhoshi, i cili sipas informacioneve tona ka biseduar në telefon me Azem Hajdarin ose Shaban Meminë dhe ka dhënë informacion për trafikun e armëve.
Ky fakt është marrë vesh nga Halili e Isamedini, të cilët janë liruar nga burgu në datën 4 shtator 1998 dhe ka acaruar më tej situatën midis tyre. Grupi i vrasësve të Azem Hajdarit dyshohet se është edhe autori i vjedhjes së fundit të Bankës së Tropojës, ku janë vjedhur rreth 600 milionë lekë, të cilat i mbajnë në shtëpi si dhe autorë të grabitjes së makinave të OSBEE-së, Kryqit të Kuq, me të cilat shëtisin lirisht në Tropojë. Theksojmë se, ky grup në vazhdimësi ka shfaqur dëshirën për të vrarë edhe ish-presidentin Sali Berisha, gjë për të cilën ky i fundit ka dijeni.
ma.me/javanews.al