Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që bën thirrje për hetim parlamentar të vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë, e cila ishte ankuar vazhdimisht pranë organeve të drejtësisë për dhunë në familje, si dhe për krijimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, grave dhe anëtarëve të tjerë të familjes.
Rezoluta u miratua në orët e vona të së hënës, me 67 vota pro, në një seancë të jashtëzakonshme të shënuar nga përplasjet mes opozitës dhe partisë në pushtet mbi përgjegjësinë për rastet e vrasjeve si pasojë e dhunës në familje në vend.
Shumica e deputetëve të opozitës kërkuan nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të japin dorëheqjen pas vrasjes së Zekajt, e cila është gruaja e tetë që vritet këtë vit në Kosovë.
Gërvalla tha se nuk do të japë dorëheqjen, duke argumentuar se Zekaj “nuk i është drejtuar Qeverisë dhe se ajo nuk mund të shkarkojë prokurorë apo gjyqtarë”.
Deputetët opozitarë braktisën sallën pas një debati prej disa orësh dhe vetëm 67 deputetë ishin të pranishëm kur u votua rezoluta.
Arlinda Zekaj, nga Vitomirica e Pejës, u vra të dielën në mbrëmje në shtëpinë e saj nga kunati, i cili ndodhet në arrati.
Tri ditë para se të vritej, Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente nga institucionet për shkak të, siç shprehej ajo, dështimeve në trajtimin e rasteve të saj, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.
Më 25 tetor, disa orë para vrasjes, ajo kishte raportuar sërish dhunë në familje. Pas këtij raportimi, ish-bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Atë mbrëmje, Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e saj në Vitomiricë, e shoqëruar nga policia, por rreth orës 21:00 dyshohet se u vra nga kunati i saj.











