Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar gjatë një konference për mediat se ditën e shtunë, më 31 tetor, do të zhvillohet një protestë kombëtare në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se forca politike që ai drejton është e përcaktuar qartë në mbrojtjen dhe mbështetjen e protestave studentore.
“Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë.”
Lideri i opozitës dënoi gjithashtu veprimet e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si terror dhe dhunë antikushtetuese.
“Dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet në shkelje të gjitha ligjeve po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore. Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar. Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen.” — Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike.











