Përzgjedhja e emrit të tij për këtë garë e gjeti krejt të pa përgatitur. Siç vetë e pranoi, ju desh që ti thoshte po kërkesës së partisë për të kaluar vitet e fundit para daljes në pension në vendin e tij të lindjes, vend që e kishte braktisur dhjetra vite më parë.
Njësoj si Grida Duma të cilën e thërriti partia në zgjedhjet e vitit 2015 për të kandiduar në Bashkinë e Durrësit edhe Sherefedin Shehut ju desh të nxitonte për të zhvendosur pashaportizimin nga Tirana ku jetonte e banonte, drejt Dibrës ku duhet të kandidonte.
Kjo është dhe shkelja e parë e Shehut për shkak se sipas Kodit Zgjedhor ai do duhet të ishte banor i Dibrës 6 muaj para datës së zgjedhjeve dhe jo më vonë.
Për shkak se Shehu nuk ishte banor i Dibrës dhe u regjistrua në momentet e fundit pas shpalljes si kandidat, lista përfundimtare e zgjedhësve, e printuar dhe publikuar nuk e përmban emrin e tij.
Po të kërkosh në webin www.votoj.com, rezulton se Sherefedin Shehu ka kodin shifror 377-1848-01-002. Adresa e qendrës së votimit është Shkolla “26 Nëntori”, Njësia Bashkiake nr.5.
Aktualisht, Shehu është duke ndjekur rrugën gjyqësore për të tentuar përfshirjen e tij në listën e votuesve përmes vendimit të gjykatës. Neni 57 i Kodit Zgjedhor, pika 2, thotë se në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës së zgjedhësve, lista nuk ndryshon dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar.
Në rast se zgjedhësi paraqet kërkesë në gjykatë në kushtet e kësaj pike, kërkesa rrëzohet. Nuk dihet nëse do të ketë apo jo sukses Shehu në këtë përpjekje e cila e ka vënë në situatë qesharake. Njeriu që po kërkon votat e gjithë qytetarëve të Dibrës për tu ulur në karrigen e kryebashkiakut rrezikon kështu që të mos votojë dot as veten e tij.










