Pasi Komisioni Rregullator i KQZ-së miratoi rregullat mbi regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë Shqipërisë dhe mbi përgatitjen e listës së zgjedhësve jashtë vendit, duket se procesi ka hyrë në shina.
Vendimi bën të mundur që për herë të parë që mundësohet pjesëmarrja në zgjedhje e shtetasve shqiptarë, që jetojnë ose gjenden jashtë vendit ditën e votimeve.
Forcat kryesore politike në vend janë deklaruar pro votimit të shtetasve shqiptar që jetojnë, punojnë, apo ndodhen në udhëtim gjatë ditës së zgjedhjeve. Por duket qartazi se forcave politike u duhet të ecin në një terren të pashkelur, në një proces i cili nuk përmban vetëm elementët teknikë të garancive për fshehtësinë dhe mos manipulimin e votave, por edhe të tezave politike që do të artikulohen për të bindur diasporën për të votuar në favor të njërës apo të tjetrës forcë politike.
Partia Socialiste nga ana e saj, në kuadër të këtij objektivi, ka filluar edhe takimet me diasporën. Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, ka zhvilluar disa takime me diasporën si në Greqi, Itali dhe më 26 tetor në SHBA për të vijuar më pas me takimet në Gjermani, Angli dhe sërish në Greqi. Nga forcat e tjera politike ende nuk janë parë lëvizje në këtë drejtim.
Çfarë përmban vendimi?
Vendimi i Komisionit Rregullator të KQZ-së i mundëson çdo shtetasi shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet. Por, paraprakisht, ai duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.
Regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit ai duhet ta kryejë me vullnetin e vet, duke plotësuar kushtet ligjore si një votues nga jashtë territorit të Shqipërisë.
Në momentin që ai regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, thuhet në vendim, atëherë ai çregjistrohet nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda vendit.
Regjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit do të kryhet nga KQZ-ja. Për këtë zgjedhësi duhet të paraqesë një kërkesë individuale për tu përfshirë në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit pranë KQZ-së nga katër deri dy muaj para datës së zgjedhjeve.
Si bëhet kërkesa?
Për të bërë një kërkesë zgjedhësi duhet të hapë një llogari falas në Platformën Elektronike të Regjistrimit, e cila krijohet nga KQZ-ja, dhe që shkarkohet si në celular ashtu edhe në kompjuter.
Në këtë platformë zgjedhësi duhet të ngarkojë, numrin personal të identifikimit, ditëlindjen dhe vendlindjen, fotografi, e-mail dhe telefon. Ndërsa për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë ai duhet të ngarkojë në të një pasaportë të Shqipërisë, si dhe një dokument që vërteton qëndrimin e tij jashtë vendit, si dhe adresën dhe numrin e banesës, me shtetin, kodin postar, qytetin, rrugën.
Afatet e KQZ-së
KQZ miraton ose jo kërkesën brenda pesë ditësh dhe pas saktësimeve, personi shtohet në listën e zgjedhësve nga jashtë. Kjo listë publikohet dy muaj para datës zdhjeve dhe ajo pritet të përdoret me përditësime në çdo palë zgjedhje të ardhshme për Kuvendin.
Lista e zgjedhësve nga jashtë vendit përmban: emërtimin e zonës zgjedhore, llojin dhe datën e zgjedhjeve.
Garantimi i të drejtës kushtetuese
Kjo është hera e parë që shteti shqiptar u krijon mundësinë e votimit atyre shtetasve që jetojnë ose gjenden jashtë vendit datën e zgjedhjeve. KQZ ka deklaruar se premton transparencë dhe thjeshtësi të procesit, efektivitet, githëpërfshirje dhe mundësi të barabarta, si dhe fshehtësinë e votës, siguri dhe mbrojtjen e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit.
Garantimi i kësaj të drejte kushtetuese në praktikë, u bë i nevojshëm edhe prej faktit se një numër i konsiderueshëm qytetarësh, që gjenden në listat zgjedhore, janë në emigrim, jetojnë e studiojnë jashtë vendit, ndërsa në përmbyllje të proceseve zgjedhore ata formalisht rezultojnë sikur kanë refuzuar ose bojkotuar votimin.
Pikat kryesore të vendimit të t, ̈ ̈ ̈
- Vendim parashikon rregulla të përgjithshme të përcaktuara në Ligj sa i takon procesit të regjistrimit të zgjedhësve dhe institucionit kompetent për të administruar këtë proces, ku përcaktohet se regjistrimi i zgjedhësit në listën e zgjedhësve jashtë vendit bazohet në vullnetin e vetë zgjedhësit për ta ushtruar të drejtën e votës jashtë vendit. Regjistrimi në listën e zgjedhësve jashtë vendit passjell ç’regjistrimin e tij nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Parashikohen rregulla të posaçme që lidhen me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, afatet dhe dokumentacionin shoqërues që do të duhet të plotësojë zgjedhësi nga jashtë vendit. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit dhe regjistrimin e tyre bëhet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Kërkesa për regjistrim do të bëhet në mënyrë individuale nga zgjedhësi dhe kjo kërkesë i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas procedurave dhe afateve të parashikuara në këtë vendim.
- Kërkesat për regjistrim do të bëhen në platformën elektronike e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga KQZ. Platforma Elektronike të Regjistrimit, (referuar si “PER”) në të dy versionet mobile dhe desktop do të jetë pa pagesë për zgjedhësit me qëllim uljen e barrës së kostos tek zgjedhësi, si dhe për të rritur aksesueshmërinë për këdo në mënyrë që të mos jenë të varur nga teknologjia që gjithsecili disponon.
- Në vendim përcaktohet edhe mënyra e shqyrtimit të kërkesave të ardhura dhe përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, mënyra dhe afatet e komunikimit me RKGjC, si dhe modalitetet e rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste
- Gjithashtu, janë parashikuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen dhe kontrollin e procesit të regjistrimit për të siguruar transparencë dhe qasje të të gjithave palëve në çdo hap përgatitor apo të zbatimit të procesit, të tilla si vijon: e drejta e partive politike, organizatave joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja të akredituar në Shqipëri, si dhe të medias, të njihen me të gjitha elementët e PER, veçanërisht gjatë proceseve të testimit operacional, kontrollit apo auditimit të së saj, si dhe për të marrë pjesë në testime gjatë procesit të regjistrimit të kërkesave të zgjedhësve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Vendimi u mor edhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e organizatave të diasporës, organizatave të shoqërisë civile vendase të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, veprimtaria e të cilave ka në fokus zgjedhjet, si dhe medias.
/rtsh.al/a.meta/