Në Shqipëri dy krizat e njëpasnjëshme, ajo e tërmtit të vitit 2019 dhe kriza e Pandemisë së Kovid 19, kanë vënë në vështirësi ekonominë e vendit, duke i lënë më pak hëspirë qeverisë shqiptare siç thonë ekspertët për të patur një konsolidim fiskal. Autoritetet zyrtare janë detyruar dy herë në dy vitet e fundit, dhe 5 herë që prej vitit 2010, të dalin në treg ndërkombëtar, për të kërkuar borxh, ajo që quhet ndryshe Eurobond. Nw fund të vitit që shkoi qeveria shqiptare përmes këtij instrumenti mori një borxh prej 650 milionë euro, dhe borxhi publik kapi shifrën e 80.02% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky borxh i jashtëm sipas ekspertëve i lë hapësirë bankave shqiptare të kreditojnë ekonominë.
“Qeveria shqiptare nuk bëhet konkuruese me biznesin për të marrë fonde, se fondet ato janë në ekonomi. Ka një nivel të caktuar fondesh, dhe nëse konkuron dhe qeveria për të marrë ato fonde hua edhe biznesi, do të thotë që qeveria konkuron brenda ekonomisë me vetë biznesin. Kjo është arsyeja pse i rekomandohet qeverisë që një pjesë e burimeve financiare ta marrë nga tregjet ndërkombëtare, pra nga burime të jashtme në mënyrë që të mos konkurojë biznesin vendas”-u shpreh për Zërin e Amerikës, Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare.
Ministria e financave dhe ekonomisw e ka rritur në vijimësi afatin e maturimit të Eurobondit, nga 5 vjet deri nw afatin 10 vjeçar, me tw cilin u mor Eurobondi i fundit, prej 650 milionw euro. Drejtues të opozitës e cilësojnë marrjen e borxhit tw radhws nw tregun ndwrkombwtar, dështim të politikave fiskale dhe të menaxhimit të dy krizave, tërmetit dhe pandemisë. Nënkryetarja e PD Jorida Tabaku thotë se huatë që po merr qeveria në tregun e jashtëm, nuk po injektohen në ekonomi.
“Shqetësimi për borxhin është se ai nuk është efiçent, që do të thotë të marrësh borxh për të bërë investime, për ta hedhur në ekonomi për të stimuluar biznesin, për arsimin bujqësinë turizmin, pra për sektorë që gjenerojnë rritje ekonomike dhe punësim. Po merret borxh për të mbuluar nevojat e muajit, për shpenzime operative. Ne nuk kemi informacione se si përdoret. Ajo që kuptojmë ne kur marrim Eurobondin e radhës, është që gjysma e tij shkon për të pagur të mëparshmin”- tha për Zërin e Amerikës, Jordia Tabaku, Nënkryetare e Partisë Demokratike.
Ministrja e financave dhe ekonomisë Delina Ibrahimaj i tha Zërit të Amerikës se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se eurobondi i fundit me afat 10 vjeçar, ështe pjesë e strategjisë së huamarrjes dhe menaxhimit të borxhit publik. Ai sipas saj krijon një relaksim të pagesave të borxhit dhe një planifikim më të mirë të tij.
“Unë i ftoj kritikët të ulemi dhe të bisedojmë. Gjithmonë është marrë borxh, si Eurobond ashtu dhe borxh i brendshëm për mbështetje buxhetore. Në rastin tonë në dy herët e fundit të daljes në Eurobond kanë patur prioritet shpenzimet për Kovidin, për shëndetësinë, kanë patur prioritet shpenzimet për tërmetin, infrastruktura. Pra merret borxh për mbështetje buxhetore. Ndërkohë i gjithë borxhi i marrë ndër vite ka të planifikuara ripagesat e borxhit, të cilat nuk janë të planifikuara të mbulohen me Eurobond apo me huamarrje. Logjika që të marrësh borxh për një çështje të caktuar sidomos kur flasim për emetim të bondeve nuk qëndron”- u shpreh për Zërin e Amerikës Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Ekspertët mendojnë se rregullat e daljes në tregjet ndërkombëtare për hua, lidhen me aftësinë paguese të vendit, dhe një raport të konsoliduar mes shpenzimeve dhe të ardhurave në buxhet. Ndaj ata i sugjerojnë kujdes qeverisë në këtë drejtim.
“Më emetimet e rradhës qeveria shqiptare duhet të jetë më e kujdesshme në konsolidimin fiskal. Pra duhet t’i japë më tepër prioritet marrëdhënies mes të ardhurave që mbledh përmes adminutsratës tatimore dhe shpenzimeve buxhetore. Kjo është evidentuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare si FMN dhe BB, të cilat gjithmonë në raportet e tyre i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që të konsolidojë pjesën e balancës mes të ardhurave dhe shpezimeve buxhetore”- u shpreh Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare.
Autoritetet zyrtare janë optimist, në lidhje me të ardhurat në burxhet duke u bazuar në politikat fiskale dhe sistemin e ri të fiskalizimit. Për vitin 2022 ato kanë parashikuar një rritje me7.6% krahasuar më vitin paraardhës.Por përfaqësues të opozitës flasin për një qasje të gabuar të qeverisë edhe në politikat e saj për të ulur borxhin publik, i cili sot është 80.02% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Në afro 9 vite borxhi publik është gati dyfishuar, nga 6 miliard në 11 miliard euro. Po i afrohemi nivelit kritik prej 100%, të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që qeveria kishte premtuar në programin e saj në shtator se do shkonte në rreth 60%, pra do shkonim në tendencë ulje. Qeveria s’ka listë prioritetesh se ku do fokusohet, sepse jemi në një vit të vështirë financiar”- Jordia Tabaku, Nënkryetare e Partisë Demokratike.
Autoritetet e pranojnë se niveli i borxhit është i lartë, krahasuar me vitet e kaluara, por thonë se në vitin 2021 rritja ekonomike ishte 6.7% nga
4.4 që ishte parashikuar në fillim të vitit 2021, dhe se parashikimi për vitin 2022 është 4.2%, pra në të njëjtat nivele si para Pandemisë së Kovid 19. Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisw kjo tregon se borxhi ka ndikuar në rritje ekonomike.
“ Është e vertetë që niveli i norxhit është i lartë, por është e rendësishme që ai është shoqëruar me rritje ekonomike, dhe është përkthyer në rritje ekonomike. Në të gjithë eurozonën borxhi u rrit duke shkuar deri në 98%, me 14 pikë përqindje. Shqipëria është ekonomi e vogël nuk mund të kaharasohet, por ne nuk patëm vetëm pandeminë ne patëm dhe tërmetin i cili sigurisht që kishte nevojë për financim nga buxheti. Duhet kuptuar që borxhi shkoi për investime. Patjetër shkoi dhe për të mbuluar shpenzime të lidhura me shëndetësinë dhe kovidin, dhe përballimin në përgjithësi e krizës shëndetësore. Blerja e vaksinave dhe vaksinimi i popullatës bëri që të mos kishim mbyllje gjatë vitit të kaluar. Kjo bëri që ekonomia të vazhdojë të prodhojë dhe është përkthyer në rritje ekonomike. Të gjithë sektorët e ekonomsë janë rritur”- tha Delina Ibrahimaj, Ministre e financave dhe ekonomisë
E megjithatë sfidat për autoritetet shqiptare mbeten të shumta, që nga rritja e çmimit të energjisë, çekuilibrimi i tregjeve ndërkombëtare dhe i ekonomive në botë për shkak të krizës së Kovid 19, si dhe paqartësitë që lidhen me vijimin e Pandemisë. Të gjitha këto sipas ekspertëve i vendosin një pikëpyetje synimeve të qeverisë për të ulur borxhin publik dhe rritur të ardhurat në buxhet./voa