Një ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, Hajredin Meçe, tregonte kohë më parë se si në janarin e vitit 1944 i shpëtoi jetën një partizaneje që kishte rënë në një gropë dhe po vdiste nga të ftohtët.
Më vonë mori vesh se ajo partizane quhej Vito Kondi…
Vito Kapo, e cila tashmë është 97 vjeç, e ka konfirmuar këtë histori, ndërsa ka dhënë një intervistë për gazetën Dita.
“Është plotësisht e vërtetë. Ai partizan, Hajredin Meçja më ka shpëtuar jetën duke më rrahur.
Po vdisja pasi isha thuajse e ngrirë. Ai më këputi ca dacka (shuplaka) që më sollën në vete…”, tregon ajo.
Ish-partizania 97 vjeçare Vito Kapo nuk e gëlltit dot gjestin e nderimeve zyrare për Mit’hat Frashërin.
“Mit’hati jo vetëm ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar, por edhe kryekolaboracionisti i asaj lufte. Ai nuk e meritonte atë nderim.
Rehabilitimi i Mit’hatit nuk është thjesht vetëvrasje për Edi Ramën. Është vetëvrasje për Partinë Socialiste”, thotë Vito Kapo.
Mandej, ajo shton se tek rehabilitimi i tij e kanë zanafillën të gjitha qëndrimet kundër luftës antifashiste nacionalçlirimtare gjatë këtij viti.