Menjëherë pas mbarimit të luftës kishte një optimizëm të madh për të ardhmen e Kosovës. U çliruam nga okupatori dhe kishim mbështetjen e fuqive demokratike të botës. Ndihmat vinin nga çdo anë. U ndjente një shpresë dhe gëzim kolektiv i pa parë ndër gjeneratat tona, e krahasuar nga aspekti historik ndoshta vetëm me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Nga Shpend Elezi
Në fakt ishte një përmbushje e atij gëzimi historik të cunguar të vitit 1912. Gëzimi ishte tepër i arsyeshëm, sepse pa marrë parasysh të drejtat tona, vuajtjet, poshtërimet dhe vrasjet, ne si popull ishim të pa përgatitur për të luftuar të vetëm për çlirimin tonë dhe vetëm kur politika gjenocide e Millosheviqit u ndërkombëtarizua filloj mobilizimi i botës demokratike për një përgjigje adekuate ndaj Serbisë. Shpresa ishte që të çlirohemi nga dhuna por ëndrra ishte të çlirohemi nga Serbia. Në ato vite ne pranonim edhe protektorat ndërkombëtar edhe kompromise tjera.
Një konglomerat faktorësh ishte në favorin tonë, ishin vitet pas gjenocidit të tmerrshëm në Ruand dhe mos reagimi adekuat ndërkombëtar, blloku komunist u rrëzua dhe doli një Rusi mjaftë e dobësuar që nuk kishte peshën dhe ndikimin diplomatik dhe ushtarak të mëparshëm, çka ishte gjithashtu e rëndësishme, Rusin dhe Serbin i ndanin gjeografikisht shtetet që nuk ishin më aleat të paktit të Varshavës. Mandej, jo pak ndihmoj edhe vrazhdësia dhe jo shkathtësia diplomatike e Millosheviqit. Një faktor tjetër për mua i rëndësishëm, ishte edhe profili dhe botëkuptimet politike të udhëheqësve të shteteve perëndimore, po e mare si shembull Ollbrajtin dhe historinë e saj me kampet e përqëndrimit. Gjithë këto faktor mundësuan përshpejtimin e çlirimit tonë, tërheqjen e plotë të forcave serbe dhe në fund shpalljen e pavarësisë. Shikuar nga priza historike, dobësia e Shqipërisë në atë kohë dhe nga aspekti gjeopolitik, pavarësia jonë e plotë ka pas shumë pak gjasa të ndodhe por ja që ndodhi dhe më në fund edhe ne kishim një fat historik që na buzëqeshi.
Nacionalizmi dhe lufta zakonisht kompaktëson një shoqëri, e bënë më kohezive dhe zvogëlon jo barazinë sidomos atë ekonomike. Pas luftës se dytë botërore vendet perëndimore përjetuan një rritje ekonomike të pa parë ndonjëherë në historinë ekonomike të botës. Këto shtete zhvilluan programet e tyre zhvillimore dhe fillimisht edhe me ndihmën e SHBA, përmes planit Marshall, por më shumë me programet e veta arritën zhvillim ekonomik që mundësuan një mirëqenie sociale më të lartë në botë. Bruto Produkti Vendor (BPV) ishte për shumë vite mbi 5% e kishte vende dhe vite që ishte mbi 8%. Këto shifra u tejkaluan më vonë vetëm nga vendet e Azisë Lindore pasi gjetën një treg të madh në Perëndim. Rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të lartë pa rritje të popullatës në ekonomin industriale është e vështirë e ndoshta e pamundur të realizohet. Vendet evropiane dhe SHBA përjetuan rritje të popullatës pas luftës.
Kjo, së bashku me programet zhvillimore, politika ekonomike adekuate, korrupsion të ulet, sundimin e ligjit dhe shteti funksional mundësuan zhvillimin e hovshëm të tyre. Deri në 2008 (Kriza e dytë e madhe ekonomike) një nga 5 shtetet në botë kane pas rritje ekonomike më të madhe se 7%. Afrika është kontinenti i fundit me radhë që po përjeton rritje ekonomike të përshpejtuar edhe pas 2008. Në shumë shtete afrikane BPV është më e madhe se 7%, ndërsa mesatarja për tërë kontinentin është 3.7% për vitin 2017, përafërsisht sa Kosova. Ngadalësimi i rritjes së BPV së përgjithshme në vendet e zhvilluara nuk do jetë më masë e vlerësimit ekonomik por do jetë BVP për banorë, sepse është e rëndësishme që prodhimi vjetor për krye banori të mos ulet në kushte kur prodhimi i përgjithshëm nuk mund të rritët kur ka mungesë të rritjes së fuqisë punëtore. Ekonomia digjitale me robotik dhe inteligjencë artificiale të avancuar mund të ketë dinamik tjetër por nuk jemi ende aty.
Po çka ndodhi me Kosovën në këto 20 vjet. Rritja ekonomike e jonë ka qenë tepër e pamjaftueshme, mezi është arritur BPV deri në përafërsisht 4%, ndër vite ka qenë edhe shumë më i ulët. Sipas vlerësimit të ekonomistëve kjo rritje duhet të vazhdoj për 30-40 vjet që të përafrohemi me vendet e zhvilluara me kusht që të mos ndërrojnë raportet e tanishme. Por edhe kjo ka pak të ngjarë sepse ekonomia, me investime të reja teknologjike, shumë më e zhvilluar në këto vende krijon përparësi komparative në shumë fusha në krahasim me vendin tonë. Mandej, numri i madh i rinise dhe i të papunëve si fuqi punëtore e lire shumë shpejt po shuhet. Kjo ka qenë një ndër përparësitë më të mëdha që kemi pasur në tërheqjen e investimeve direkte të huaja.
Ne kemi pasur çdo mundësi të përjetojmë rritje ekonomike shumë më të madhe. Kemi pasur fuqi punëtore të bollshme, rritja e popullatës akoma është më e madhja në kontinent, afërsia gjeografike, popullata relativisht e shkolluar në krahasim me vendet Afrikane, remitencat ndër më të mëdha për krye banori në botë, ndihmat financiare jo të vogla ndërkombëtare si dhe infrastrukturë shumë më të zhvilluar se vendet Afrikane. Të dalë nga lufta me ekonomi tepër të dobët, ka qenë radha jonë që të bëjmë zhvillim të hovshëm ekonomik siç kanë bërë shumë shtete në botë. Dritarja e mundësive ekonomike nuk do mbetët e hapur gjithnjë.
Në ndërkohë, rinia jonë gjithnjë e më shumë po ik nga shteti, humbja e shpresës është e madhe dhe kjo për shumë arsye, indinjimi i madh me faktorët politik, shëndetësi me shërbime të pamjaftueshme dhe të dobëta, sektori i edukimit me kualitet të dobët, me papunësi akoma më të madhe në Evropë dhe ndër më të mëdha në botë si dhe me shkallë të korrupsionit ndër më të mëdhatë në Evropë. A është kjo Kosovë që e kemi paramenduar kur u çliruam. A është kjo Kosovë që ëndërruan qindra mijëra shqiptar ndër shekuj e që luftuan, u syrgjynosën, e humbën jetën për këtë Kosovë. Në vitin 2000, po të thoshte dikush se ne do zhvilloheshim më ngadalë se shumë vende Afrikane do e kishim shpallur të çmendur, por ja që po ndodh. Dhe kësaj radhe, për fajin tonë e jo për shkak të padrejtësive të ndonjë konference paqësore ndërkombëtare.
Mos rritja apo zvogëlimi i fuqisë punëtore akoma pa arritur një zhvillim adekuat ekonomik do jetë shkatërrimtare për të ardhmen tonë. Kjo është një kurth që gjithnjë e më shumë e shtrëngon qafën tonë të brishtë.
Pse ndodhi kjo? Përgjigjja e menjëhershme dhe proksimale do ishte se politikanët tanë janë të korruptuar, se nuk kanë qa kokën për zhvillim të vendit por vetëm për përfitim për vete dhe të afërmit e tyre, se janë të pa përgatitur të udhëheqin shtetin, se kanë kapur shtetin, etj., etj. Por përgjigjja burimore e ultimative është shumë më e komplikuar.
Në fakt këto janë pasoja të dukurive më të thella shoqërore dhe biologjike.
Ne e fituam shtetin e shumë pritur dhe të vonuar në kushte të caktuara historike dhe social- psikologjike. Pa pandehur, të mësuar me shekuj të luftojmë shtetin pushtues duhej të ndërtojmë vetë shtetin. Ne nuk kemi memorie historike të ndërtimit të shtetin tonë autokton. Kishin kaluar shumë shekuj kur kemi pasur principatat feudale që në fakt nuk kanë qenë shtete të mirëfillta por më shumë prona private të aristokracisë së atëhershme. Numri më i madh i elitës sonë intelektuale ndër shekuj u shkollua dhe ndihmoj ndërtimin dhe forcimin e perandorive dhe shteteve të huaja.
Mandej, gjatë dallgëve të mëdha historike shpesh jemi gjetur në anën e gabuar të historisë. Rasti më i fundit ka qenë kur në luftën e dytë botërore një pjesa e madhe e intelektualeve tanë u rreshtuan, ndihmuan apo ishin ambivalent ndaj pushtimit fashist. Në një mënyrë apo tjetër ndihmuan mbisundimin e lëvizjes komuniste dhe në këtë mënyrë gjasat për rezistencë të mirëfilltë të ndihmuar nga perëndimi mungoi dhe Kosova u nda përsëri nga Shqipëria dhe ajo vet mbeti në sundim diktatorial. Greqia shpëtoi për fije peri. Pas luftës së dytë botërore numër i madh i intelektualëve të paket që kishim në Kosovë u vranë, emigruan apo u internuan. Përsëri kishte ndërprerje të një traditë sa do të vogël intelektuale të ndërtimit të një shoqërie civilizuese.
Numri i intelektualëve apo në përgjithësi njerëzve të shkolluar filloji ngadalë të rritët dhe sidomos pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, ky proces u përshpejtua. Se sa i qenësishëm dhe i nevojshëm ky proces ka qenë për Kosovën mjafton të ceket se në vitin 1945, nën 5% e popullatës në Kosove dinte shkrim lexim, ndërsa në Angli në vitin 1700 gati 50%, ndërsa në Amsterdam 70%. Për më tepër, ne ishim në pjesën e Evropës ku me shekuj nuk shfrytëzuam shtypshkronjën e Gutenbergut, nuk përjetuam Rilindjen Evropiane dhe Revolucionin Industrial. Erdhën vitet e 80ta të demonstratave dhe mandej shpërbërja e Jugosllavisë dhe themelimi i LDK si lëvizje gjithë popullore. Ibrahim Rugova me intelektual tjerë u rreshtua në mënyrë të drejtë dhe të plotë me Perëndimin dhe e bëri të mundshme që Kosova të perceptohet si pjesë e mundshme e influencës perëndimore. Por duhej edhe një shtyrje. Ne nuk ishim as Indi e Gandit as ndonjë faktor tepër i rëndësishëm strategjik për SHBA që vetëm me protesta paqësore të zgjonim reaksion zingjiror deri në sulm të një shteti zyrtarisht sovran të Serbisë. Thënë troç, duhej luftë, duhej rezistencë e armatosur, duhej gjak i derdhur si provë se liria jonë është e çmuar deri në sakrificën sublime tonën.
E këtë e realizoj UÇK. Por, u lëshua rasti që ta kemi një lëvizje gjithëpërfshirëse të rezistencës së armatosur siç ishte rasti me Kroacinë e Tugjmanit. Kjo ndarje që ndodhi në popullin tonë na ka ndjekur dhe do të na ndjek për kohë të gjatë pas luftës. Pas çlirimit, një pjesë e mirë e kapitalit intelektual të Kosovës (aq sa kishte) nuk u angazhua në politik në mënyrë direkte. Nuk e morëm seriozisht faktin se zhvillimi i shtetit është i pamundur pa politik dhe pa parti politike të përgjegjshme. Në pushtet erdhën njerëz me kulturë të nderit dhe vlera ekzistenciale (Ingelhart) të shprehura.
Në fakt, në Kosovë, ne gati gjithë jemi me kulturë të nderit. Mbrojtja e familjes, të menduarit e shprehur me emocione, të gatshëm për ballafaqim fizik, mbrojtja e nderit nga cenimet verbale, paraprirje për hyrje në situata të rrezikshme dhe shfrytëzimi i rastit për përfitim të shpejtë dhe afatshkurtër janë karakteristika tipike për një shoqëri me kulturë nderi apo me vlera ekzistenciale për dallim nga shoqëritë me vlera vetë-ekspresioniste.
Kjo kulturë krijohet për kohë të gjatë dhe është karakteristike për shoqëri që kanë përjetuar dhe përjetojnë situata ku cenohet dhe/apo perceptohet cenimi i sigurisë se tyre ekzistenciale si dhe me gjendje varfërie. Kjo kulturë, në të vërtetë, mendohet se është mekanizëm mbrojtës për mbijetesë. Në kushte të vështira duhet të mbijetosh duke shfrytëzuar çdo rast që të epet për të rritur gjasën e mbijetesës. Në kushte të cenimit ekzistencial nuk ke luksin të filozofosh por të veprosh sepse nuk mbijeton. Kjo paraprije nuk ndryshon vetëm sjelljen fizike por edhe mënyrën e të menduarit dhe strukturën e vlerave dhe normave në një shoqëri. Një ndër karakteristikat psikologjike të njeriut me këto vlera është edhe krijimi i rrethi të ngushtë e lojal të njerëzve siç janë familja e ngushtë dhe e gjerë si dhe shoke të ngushtë me të cilët të ka përpjekur jeta. Pak ka besim për zgjerimin e rrethit të kooperimit me njerëz tjerë për veç në raste të veçanta dhe specifike. Në kushte të skamjes, edhe po deshe nuk mundesh të kujdesesh për rreth të gjerë, por duhet përqendruar tek vetja, familja dhe fisi për të rrit gjasën e mbijetesës. Kjo mendësi ka qenë forma e zakonshme (difolte) e gjithë popujve në botë që prej evoluimit të Homo Sapiens-it. Duhej mbijetuar klani e fisi. Kjo mendësi nuk krijohet me përpjekje të vetëdijshme, por në nënvetëdije, me emocione dhe instinkte bazike.
Kooperimi nuk ka qenë problem në mes të njerëzve me lidhje gjaku deri të formimi i fiseve por pas shfaqjes së agrikulturës dhe krijimit të rezervave të ushqimit, gjithnjë e më shumë njerëz kanë jetuar së bashku pa pasur lidhje gjaku dhe këtu është shfaqur nevoja e krijimit të mekanizmave të reja shoqërore dhe kulturore për të mundësuar kooperimin në mes të njerëzve të huaj. Nga aspekti shoqëror, janë ndarja e punëve në kasta udhëheqëse me detyrë kryesore të ofroj mbrojtje fizike dhe te kasta e prodhuesve e shërbyesve, ndërsa nga aspekti kulturor, janë religjionet që nga ato primitive deri te ato monoteiste. Religjionet kanë qenë dinamika tepër të fuqishme kulturore që mundësuan në masë të madhe pacifikimin dhe kooperimin brenda një shoqërie duke i dhënë kastës udhëheqëse të drejtën hyjnore për qeverisje. Në kohën e mesjetës evropiane, në masë të madhe rëndësia e fiseve u shua dhe u zëvendësua me feudalizëm ku aristokratët kishin një rol mbrojtës dhe mbikëqyrës ndaj fshatarëve. Por në shumë regjione të botës fiset mbetën dhe vazhdojnë të jenë akoma struktura shoqërore që përcaktojnë organizimin bazik të vlerave dhe normave të shoqërive.
Me fillimin e revolucionit industrial dhe rritjes së produktivitetit dhe pasurisë, fillimisht, Evropa filloj të dalë nga bota maltusiane dhe ndarjet e punëve ndryshuan në mënyrë shumë të shpejtë dhe drastike. Filloj epoka e sekularizimit dhe ndërtimit të komb-shteteve me përgjegjësi të zgjeruar dhe sundimit më të madh të ligjit, filloj të bie rëndësia e religjionit dhe të rritët besimi në shtet. Sot, ku mbi gjysma e popullatave në shumë vende të Evropës perëndimore nuk besojnë në religjione tradicionale, shteti dhe kooperimi i brendshëm përmbush kushtet dhe nevojat e shumicës së popullatave të tyre për një mirëqenie të lartë. Ky besim në shtet nuk u krijua shpejt e lehtë, kanë qenë shekuj të tërë të mbushura me luftë e vuajtje por sot ky besim është i ingranuar thellë në kulturën e tyre. Ka rëndësi të madhe, që shumica e tyre e perceptojnë shtetin e tyre si garantuesin më të madh të mirëqenës së tyre, nuk është fisi apo rrethi i ngushtë i shokëve por gjithë shoqëria sepse ky bashkim krijon mundësi për një nivel shumë më të lartë të përparimit të shoqërive të tyre. Kjo nuk ka qenë e lehtë të arrihet, dhe në fakt pak janë shtete që kanë këtë besim të lartë të krijuar në kombet e tyre. Perceptimi i rrethit se kush jemi Ne dhe kush Ata (të huaj, kundërshtaret) është zgjeruar nga familja te komb-shtetet.
Pse është kaq e vështirë të krijohet ky besim? Perceptimi se kush jemi Ne dhe Ata ka një bazë të fuqishme evolutive dhe është pjesë përbërëse e natyrës se njeriut. Ky perceptim ndihmoj bashkësitë e ndryshme njerëzore për mbijetesë që nga krijimi i njeriut modern, por përderisa ka qenë i rëndësishëm në periudhat e ndryshme historike ku bashkësitë kanë qenë zakonisht familjare, në jetën e sotme në shtete, është burim i shumë fenomeneve negative.
Klasifikimi i njerëzve në Ne dhe Ata ka rrënjë të thellë biologjike. Me miliona vite humanoidët dhe humanët kanë luftuar në mes grupeve. Vetëm grupet më të fuqishme dhe mirë të organizuara, lojale me njëri tjetrin, të gatshëm për sakrificë maksimale, kanë mundur të mbijetojnë duke eliminuar edhe fizikisht kundërshtarët. Ne jemi gjithë pasardhës të këtyre dinamikave shoqërore.
Kërkimi dhe identifikimi efikas i shenjave dalluese në mes njerëzve ka qenë përparësi për mbijetesë. Një eksperiment me fëmijë të shkollës fillore në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar është shumë i njohur. Fëmijët, shokë të klasave, janë ndarë në dy grupe për të luajtur lojëra të ndryshme dhe i kanë dhënë fanella me ngjyrë të ndryshme, i kanë lënë pa mbikëqyrje dhe nuk është ndërhy fare, fëmijët kanë mbërri deri në fazën e kacafytjeve fizike në mes grupeve me fanella të ndryshme. Ka mjaftuar dallimi në ngjyrë të fanellës që të identifikohet kush është mik e kush armik edhe pse ishin shoke klase. Këso lloj eksperimentesh dhe observimesh ka me qindra në literaturë por këto fenomene ndarëse edhe i vërejmë në jetën e përditshme, si p.sh. qytetar e katundar, luftëtar e zoragji, i bardhe e i zi, i partisë sime dhe hiqat etj. Kjo ndarje bënë ndryshim të jashtëzakonshëm në mënyrën e të menduarit. Për pjesëtarët e grupit tonë në kemi mendim favorizues, besim të madh në njeri tjetrin, kur bëjnë gabime mundohemi të i minimizojmë dhe arsyetojmë apo fare të i neglizhojmë ndërsa për Ata kemi paragjykime të pabazuara në fakte, nuk i besojmë, dobësitë e tyre i stërmadhojmë dhe veprimet e mira apo të drejta të tyre i neglizhojmë.
Çfarë ndërlidhje kjo natyrë njerëzore ka me besimin në shtet? Në çoftë se shumica e pjesëtarëve të një shoqërie identifikojnë shtetin dhe kombin si masë apo kufij dallues më të rëndësishëm në ndarjen mes Neve dhe Atyre atëherë edhe paraprirja për veprimet që i bëjmë janë më shumë në funksion të mirëqenies së kombit por në qoftë se rrethi apo shenja identifikuese për ndarje në mes Neve dhe Atyre për një shoqëri është rrethi i ngushtë i familjareve, fisit dhe miqve, atëherë veprimet e tyre kanë predispozitë të favorizojnë më shumë këtë rreth. Ky grup i fundit në politike do ketë gjasë më shumë të bëjë veprime që karakterizohen me nepotizëm, kronizëm dhe korrupsion. Por ky grup do karakterizohet edhe me veprime të ditëpërditshme jetësore si p.sh. mosmirëmbajtja adekuatë e pasurisë shoqërore, hajni në pasurinë shtetërore por edhe privatë te të tjerët, mos rruajtja e ambientit, etj. Natyrisht, çdo komb për të rritur gjasat për përparim duhet të ketë më shumë njerëz që identifikojnë shtetin si nocion sublim bashkimi dhe kooperimi. Si duket një numër i madh i qytetarëve në Evropën perëndimore kanë këtë ndjejnë identifikimi dhe besimi në shtet. Por shumica e pjesëtarëve të popujve në botë nuk e kanë këtë identifikim dhe besim në shtet. Siç duket edhe tek ne është e njëjta gjendje.
A ka shpresë për ndryshim? Njeriu ka një ndjenjë shumë të zhvilluar për drejtësi dhe padrejtësi, edhe kjo është natyrë e njeriut, thellë e ingranuar në gjenet tona. Këtë më së mire e kanë dëshmuar eksperimente të shumta shumë të njohura në fushën e ekonomisë dhe psikologjisë, si ato me lojërat e ashtuquajtura të diktatorit dhe të ultimatumit. Robert Axelrod me bashkëpunëtor dëshmoji, te eksperimenti që quhet dilema e të burgosurve, se mënyra më e mirë për kooperim në mes njerëzve që kanë interaksione të vazhdueshme është strategjia -ma bënë, ta bëjë- (Tit for Tat). Që do thotë, e shpjeguar thjeshtë, në qoftë se më ke tradhtuar apo mashtruar njëherë, herën tjetër do ta kthej me të njëjtën masë. Asnjë strategji tjetër nga të shumtë që konkurruan nuk dhanë rezultate më të mira në funksion të kooperimit afatgjatë. Si pasojë, është në natyrën e njeriut të mos besoj në njeriun apo institucionin që nuk është i drejtë dhe ferr, dhe kur në kushte të mosfunksionimit adekuat të shtetit dhe kur nuk mund të krijohet besim adekuat, fillon qarku vicioz i degradimit të mëtutjeshëm. Si pasojë, në qoftë se shteti nuk përmbush nevojat për drejtësi të paanshme dhe nuk ka qasje ferr ndaj qytetarëve besimi në shtet nuk mund të krijohet. Mjafton edhe vetëm percepcioni, pa fakte konkrete, që dikush ka mashtruar e nuk është dënuar që besimi ndaj institucioneve të shkrihet shumë shpejtë dhe të dominoj drejtësia me sjelljet difolte të traditës më të hershme. Pra, krijimi i shtetit funksional është parësor për zhvillim shoqëror të rëndësishëm.
Por, si të krijohet ky shtet? Shumë shtete evropiane nën regjime pak a shumë autokratike kanë kaluar në sfida të ndryshme historike dhe krijimi i shteteve të tyre demokratike është bërë pasi që kanë pas një zhvillim ekonomik, edukim të vazhdueshëm dhe ndryshim të vlerave dhe normave shoqërore, dhe vetëm me krijimin e masës kritike të klasës së mesme dhe kërkesave të këtyre masave është bërë kalimi në demokraci liberale të qëndrueshme. Por, para këtij kalimi, këto shtete kanë krijuar traditë të qëndrueshme të funksionimit të institucioneve dhe të sundimit me ligj. Në shumicën e vendeve në botë ku është vendosur demokracia pa ndryshime të nevojshme shoqërore kanë përfunduar në shtete të dobëta apo të dështuara.
Në një shoqëri me vlera ekzistenciale predominante dhe pa kulturë shtetërore (që nënkupton rrethin e ndarjes në Ne se paku deri në shtet) ka një gjasë më të madhe që në partitë politike më shpesh të hyjnë njerëz me rrethe të ngushta, për pasoj, shtetin e kanë instrument shfrytëzimi për përfitim vetanak dhe grupor e jo përparim gjithëkombëtar.
Këto parti, duke menduar në mënyrë të ngjashme me shumë votues, kanë gjasa më shumë që turbo popullizmi i tyre të rezultojë më me shumë vota sepse e kuptojnë më mirë numrin e madh të votuesve me nevojën se çka dëshirojnë të dëgjojnë, cilat janë vlerat dhe kërkesat e tyre. Në qoftë se do ketë ndonjë lider i ndonjë partie që do ketë me të vërtet kulturë shtetërore, e ka më vështirë të marri vota të nevojshme për fitore. Në mënyrë hipotetike, ta paramendojmë që kancelaria Merkel vije në Kosovë dhe formon parti dhe thotë se do ta kemi jetën e vështirë edhe për shumë vite e slogani i fushatës zgjedhore të jetë: Djers dhe punë për Kosovën tonë kreshnike. Populli i zhytur në mjerim nuk dëshiron ta dëgjoj këtë, dëshiron shpresë, dëshiron ëndrra të këndshme. Nuk e ka mundësin, për shkaqe reale, të ketë njohuri të nevojshme për ekonomin dhe politiken, prandaj shpesh nuk e kupton arsyen e vërtet pse vuan e të tjerët kanë jetë më të mire. E në fund ia jep votën partisë më populliste që e shkakton këtë mjerim, por ama, ajo parti së paku i jep ëndrra të ëmbla. Populli do mashtrohet njëherë, e disa herë, por, në mungesë të alternativave edhe shumë herë. Ndërsa, gjithnjë në mënyrë hipotetike, lideri i partisë me kulturë shtetërore, pas humbjes, ndalet e mendon se ku nuk e kanë kuptuar, si nuk po e kuptojnë se çfarë plane zhvillimore të shkëlqyera ka bërë, si nuk po e kuptojnë se po zhvatën, se korrupsioni po i gërryen. Në fakt, është e kundërta, ky lider nuk kupton, nuk e ka marrë parasysh vendin dhe kuvendin, nuk ka marrë parasysh historinë, nuk ka mare parasysh natyrën e njeriut dhe nuk ka mare parasysh vlerat dhe normat lokale të popullit.