• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, December 30, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Viktor Zhusti i rikthehet fotos me Adriatik Lapajn: Më thanë ‘i pafytyrë, pa dinjitet dhe Sorosian’! Përgjigje për..

( Ese me rastin e Krishtlindjes )

by Os De
30/12/2025 15:09
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Aktori i njohur Viktor Zhusti i është rikthyer sërish përplasjes që pati me Adriatik Lapaj për publikimin e një fotoje, që sipas artistit i kishte kërkuar që të mos e publikonte. 

Në një reagim të radhës, Zhusti shprehet se e quajtën ‘të pafytyrë, pa dinjitet dhe Sorosian’. 

Reagimi i plotë: 

Pas një jave stuhie, kur               “Deti Facebook” u përzie me keq se ai “Adriatik” dhe cunami ngriti në sipërfaqe e nxorri në breg, vlera dhe zgjyrë, për aq kohë të  mbetura në errësirë,  tani që u vërtetua, nga të dy anët e llogoreve, sa të gatshëm e me gisht në këmbëz ishim (ca nga vigjilenca, ca nga rajallëku e ca për hakmarrje), TANI, që, më në fund, u mor vesh mirë:
– kush ka frikë dhe nga kush,
– kush është çdonjeri e me kë,
– kush është spiun dhe i kujt,
– kush turpëroi veten dhe para kujt,
– kush është patronazhist dhe i kujt,
– kush është mashtrues dhe përse,
– kush e ka fjalorin më të pasur dhe me se,
– kush meriton respekt dhe prej kujt,
– kush nxiu faqen dhe para kujt, TANI që yryshi, inati e verbëria,
me të cilën iu sulëm për ta shqyer njeri-tjetrin, disi ka rreshtur, të mbushemi me frymë dhe të pyesë gjithsecili veten:
“përse dhe kujt i shërbeu gjithë kjo” ?!
Dhe, duke “lëpirë plagët” (siç bëjnë egërsirat kur mbaron ose tërhiqen nga përleshja), duke u munduar, me sa mend kemi, na kanë mbetur a na kanë lënë (pavarësisht se nga ç’anë e llogores jemi reshtuar), të gjejmë:
“Ia vlejti ?! Kush fitoi dhe cfarë ?!”
        Ndamë, ç’kishim për të ndarë: mendimet, opinionet, përshtypjet, konsideratën, antipatitë, urrejtjen,vrerin, njollosjen, partitë… pa llogaritur që hidhërimi dhe armiqësia që le pas gjithë kjo, nuk është si “çudia më e madhe që zgjat vetem tri ditë”.
         Gjithë ky sulm i furrishëm dhe i papritur, më vërtetoi që askush nuk të ndjek e kontrollon më tepër se njerëzit të cilëve nuk u pëlqen ose u ke shkelur në kallo.
                            +
                    +            +
          Lexoj shumë komente e deklarata që, reagimi im qe pasojë e kërcënimit që më është bërë (?!) nga që reagimi erdhi dy ditë pas postimit të fotografisë. Në atë postim vura dhe një foto të mesazhit që i dërgova bashkëluftetarit të tij të afërm, dhjetë minuta pas takimit, pra, qënkam kërcënuar para se të shihnin foton !!!
Nuk janë të paktë ata që, me të drejtë, pyesin përse nuk reagova menjëherë pas postimit, por prita dy ditë dhe, kjo për faktin se nuk i bëra të njohura mesazhet e shumta (mund t’ia ve në dispozicion kujtdo), mesazhe tepër lutëse që fotua të hiqej ose të ndryshohej diçitura: “erdhi na takoi… na dha energji pozitive… ju pres në protestën e të shtunës…”
Nëse bashkëpuntorët, do t’ia raportonin shefit të gjitha këto, do ishte evituar edhe  zhurma dhe kryqëzata.
          S’jam indiferent dhe as i shenjtë që, kur më godasin, të them “Fali Zot se nuk dinë ç’bëjnë” Jo ! JO ! E njoh dhe e kontrolloj fytyrën time, madje dhe atë “zonë gri” të ndërgjegjes dhe nëse (në disa raste) dua dhe fal, fal jo se s’dinë ç’bëjnë, por i keqardhur, nga që e kuptoj përse e bëjnë !
Duke mos u pajtuar me një thënie të mençur që për të tilla raste këshillon: “mos u nevrikos me ata që flasin keq për ty, thjeshtë mëshiroi. Janë njerëz të plagosur, të pasigurt, të dobët dhe,  përpiqen të gjejnë tek tjetri gjithcka negative që kanë brenda vetes. Kujtojnë se duke përçmuar tjetrin,do fitojnë vlerën që u mungon”, vendosa të reagoj, madje dhe më ashpër e hidhur nga ç’më njohin, jo nga motua “derri do plumb”, por nga që ndjeva se heshtja dhe tërheqja u dha shumë zemër luftëtarëve, të bindur që heshjen dhe mirësinë mund të përdoren si shkallë për të të hipur mbi shpinë.
          Reagimi i militantëve qe i ashpër dhe i papërmbajtshëm: sforco, britma, çjerrje, linçime, përdhosje, s’u la asgjë pa nëpërkëmbur e përlyer, u kalua çdo masë, u harrua cdo vlerë, “u flak, siç thotë Marksi, bashkë me ujin e pistë dhe foshnja” e  s’mbeti asgjë për t’u shijuar.
Që të përbuzësh një vlerë (e ke çmuar dikur) duhet të njohësh, të vlerësosh, të kesh konsideratë e të nderosh, së pari, veten. Paturpësia, nuk mund dhe as duhet të konsiderohet guxim e kurajo, nga që zbulon formim të mangët, karakter të dobët, madje, në kohën e sotme dhe të  EKSPOZON. Dikur, “atë”               (të marrin, hajdutin, mashtruesin, perversin, xhahilin…) e njihte vetëm familja, mundet lagjja e, shumë-shumë fshati, kurse tani, përmes Facebook-ut, nami merr berihanë…
                             +
                      +                  +
Nga komentet e disave, kuptova që paskam prerë degën mbi të cilën qëndroja, pasi nuk është vetëm njeri që deklaron: “kisha respekt për ty, po pas kësaj e hoqa respektin” !
Respektuesi im i vjetër dhe tani “armik” i ri ! Respekti nuk është prizë për të karrikuar telefonin.
Ti (keq me vjen), s’ke pasur kurrë respekt për mua, pasi (më fal), nuk e kupton atë si koncept e kategori. E ke dëgjuar, e përsërit.
Pse kishe respekt per mua e di ? Po pse e hoqe e di ?
Se unë (miqësisht ta them), edhe pse e kishe edhe pse e hoqe, nuk ndjehem i keqardhur. Nuk më vjen keq që të humba, trishtohem që të kisha. Do më ngrohte e dhimbte respekti yt, nëse do kuptoja që ti, respekton, së pari, veten tende.
Nuk mund ti pengoj njerëzit të mendojnë ç’të duan, aq më tepër kur ky është i vetmi ngushëllim për ta, por s’mund ta le pa theksuar atë që me ka mësuar jeta dhe ndonjë libër: “njeriu është i bukur, kur është i bukur nga brenda, gjithë të tjerat, konsumohen, prishen, thyhen, grisen, plaken… dhe, bukuria për të cilën e kam fjalën (besoj kuptohemi), ashtu si karakteri, respekti, dinjiteti, as nuk fitohen dhe as mund të humbasin nga një foto..
                              +
                                                                                          +          +
Në këtë vend, sado të fshihesh, nuk mbetet gjë pa dalë në mexhlis.                                        Shumë nga vigjilentët vigjëlues, duke lexuar “midis reshtave”, nuhatën që, qënkam kërcënuar nga “Ai” për bukën e gojës (besoj e kanë metaforikisht se pothuaj tani ha fare pak bukë) dhe ç’është më e ndyra, më paska futur po “Ai”, për të sabotuar protestën…(nuk u rreshqiti as ky fakt) e nga të gjitha këto, më qendisën një karakteristikë plot epitete pikante: i pafytyrë, pa dinjitet, pa karakter, i shitur, i futur, i infiltruar, madje dhe pa k…ëllqe !
Po dale, dale, se kjo s’është gjë ! Disa, nuk besoj (sinqerisht nuk besoj) se janë nga të mbeturit pa punë nga që “Shtëpia e Gjetheve” u bë muze, zbuluan se qënkam dhe “spiun i grekut” (“Ç’fakt do më shumë, ai dhe telefonin e mban në greqish !!!” ose “Na mytën grekt”).
Sapo lexova këto, mendoj të denoncoj Zanën që telefonin e ka në italisht dhe Zeqon e Gjonin, në anglisht, spiunime që mund të shërbejnë si master për “poliagjent” !
Dikush, i pangopur me damkën “SPIUN” me cilëson dhe “Sorosian”, po (lavdi Zotit), tani për tani e ka lënë me kaq. Me zemër të dridhur pres mos nxjerrë në dritë dhe faktet se, të them të drejtën, pushkatimi është melhem para Fejsbukimit, Instagramimit apo tik-tokimit…
Një tjetër (s’mbeti gjë pa dalë), zbuloi që u katandisa AKTOR në Shqipëri, nga që më zbuar nga Greqia (as më pak, as më shumë se një “Non-grata)!
Një tjetër i pamëshirshëm (s’u ngop nga thika që nguli, po dhe e përdredh) e thellon aktakuzën kur deklaron se jam futur në burg për 7 kg drogë (që është shpifje, se në të vërtetë ishin 12), ndërsa një tjetër, “i mirëinformuar”, denoncon që kam futur në burg dhe 7 veta të tjerë ( tjetër shifje kjo, se në “grupin e strukturuar kriminal”ishim vetëm 4) dhe (ah, kokë, kokë) të gjitha këto, vetëm nga pakujdesia për të ndërruar gjuhën e telefonit ! Megjithatë, me që iu hapën petët lakrorit, s’më mbetet tjetër veç të spiunoj dhe veten:
Po ! E vërtetë ! Jam spiun ! Telefoni që zbuluat, është e keqja më e vogël, unë dhe lexoj, shkruaj, përkthej e shikoj dhe teatër në Greqi. Vërtet “spiun”,    po “spiun i kompletuar” ama, ë !
Tani, që nisët të hapni varrin, lutem, mos përtoni, gërmoni ca më thellë, të mos dalë më e keqja që kam ose që ka zënë disa…
Thuhej që kollën dhe dashurinë nuk i fsheh dot, pas kësaj, u dashka shtuar: spiunllëkun.
                            +
                    +            +
Shumë nga militantët opinioniste, të angazhuar për të zgjidhur problemet thelbësore të Kombit dhe Demokracisë, me të drejtë që s’gjejne kohë që, vetëm një çast,
të kthejnë shikimin brenda vetes, se ndryshe, do kishin vënë mendjen para gjuhës, para se të linçonin dikë që e konsiderojnë
 “të llogores tjetër”. Jepi dinjitet dhe “armikut” që të vlerësosh fitoren tënde, se fakti që dikush, shpreh simpati për dicka e dikë, nuk duhet të shërbejë si argument për baltosje, se Demokracia,  presupozon lirinë e të shprehurit, jo sharjes e shpifjes, presupozon debat, jo kryqëzim e kacafytje, presupozon votim të lirë, jo nostalgji për rezultatet 99.99%
Ckërmitët dhëmbët, më quajtët frikacak, shërbëtor, të shitur, komunist… vetëm se arrita e nxorra nga goja (si s’mu tha gjuha) që “Shqipëria bëhet vetëm nga ata që po luftoni” !
E thashë ! E pranoj ! Më ndjeni ! Gabim ! Fatal ! MIOP !
Po, “miop europian, ama”, ë !
Diçka që vërtet më bëri të mendohem: disa nga ata  që më konsideruan “vegël qorre” e pushtetit, zbuluan arsyen dhe shpallën sheshit pse jam i tillë. “Nga frika mos më “presë nafakën e pensionit” ose tamam-tamam (dhe nuk ia futin kot), se mos tani, “në lulen e moshës”, lëpij ndonjë kockë në formë posti. Se, po të mos kishin këto dyshime, nuk do shkruanin dhe, jo vetëm njeri: “të kanë kërcënuar”, “s’je burrë”, “s’ke këllqe”…
U tmerrova nga kjo pasqyrë që m’u vu përpara ! Si dreqin u katandisa kështu dhe në këtë moshë ! Dhe, i thashë vetes:           Epo, kur do korrigjohesh, o njeri !   Mjerë ti, po mjerë dhe Ai !
Jo i Gjati, jo, i Madhi !
Jo i Pushtetëshmi,
i Gjithëpushtetëshmi !
Jo ky tek shkallët, Ai në Qiell, që,si s’lëshon një rrufe dhe të lahej, një herë e mirë, kjo… mesele.
                            +
                                                                                                  +          +
Burrat e vërtetë edhe mërziten, edhe dështojnë edhe qajnë dhe (herë-herë) i tregojnë dobësitë.
Edhe rrëzimi, thekson një i mençur, dhuratë është,  pasi kthehet në mësim, në përvojë,
veç, mos harrojmë, për asnjë çast të marrim me vete NJERIUN, pa harruar MIRESINË, brenda zemrës sonë.
Prandaj, duke ju falenderuar që bëni gjithçka për të mirë (“ai që të rreh, të do”), më lejoni, ju lutem, më lejoni të shprehem, të revoltohem, të kundershtoj, të jem ky që jam dhe ashtu siç jam:       njeriu që ka gabuar (dhe jo pak),
që është rrëzuar (dhe keq),
që është ngritur (çdoherë),
që nuk është dorëzuar (më së shumti),                                                 i shigjetuar (nga të papunët),         që ka falur (dhe shumë),
që është përkrahur e inkurajuar (nga që dicka modestisht ka ofruar).
Tani, nga ngjitja e 84 shkallëve, nga që është lartësi marramendëse, vërtet dukem prej të gjithëve, por dhe unë, më besoni, nuk jam aq keq nga sytë.
Më gjykoni dhe ju gjykoj.
Më dënoni e duke qënë se ju kuptoj, s’ju ve dhe faj.
Për të ngjitur 84 shkallë, kam ecur, nxituar, vrapuar, kam gabuar e rrëzuar, jam ngritur e ringritur, dhe përsëri vazhdoj të eci, pa bastun pa u mbështetur, pa frikë,   i pa kërcënuar, duke parë akoma përpara, drejt, larg, dhe çuditërisht, horizontin e shikoj pa mjegull e re të zeza…
Vazhdoj të eci, dhe të krijoj.         Nuk mund të kthehem prapa për të ndryshuar fillimin, por, nga ku jam, mundem dhe përpiqem të ndryshoj fundin.
                              +
                                                                                        +             +
 
Kur diskutohet për politikë (përjashtoj këtë rast), lexoj shpesh nëpër komente se “ky popull, kaq meriton”, “barbar”, “primitiv”, “ka qeverinë që meriton” etj, etj…
Kurrë nuk e kam parë këtë popull (mbase me lejoni të them “popullin tim”), si “turmë”, “kope”” a të tjera epitete meskinësh që duke “pështyrë” (me falni) me koken lart, nuk ka vonuar të ndjejnë diçka të lagësht të bjerë në fyfyrën e tyre.
Gjatë kohës si pedagog, kam punuar e interpretuar, disa herë me studentët:”Marshin e Barabait”:
        ” Lehni, laro, kaba…
“Dallkaukë, kopukë, turma pa tru”
Zemërkrund e gërdhu…
Hosana Baraba “
dhe, kurdoherë kam pasur parasysh dhe kam injektuar tek ta dhimbjen e Nekrasovit, që në një moment krize, shpërtheu duke e cilësuar popullin rus ( afërsisht e thënë):”Skllevër e bij skllevërish” U sulën shumë e nga cdo anë për ta lincuar, dhe qe Lenini që tha: “Nekrasovi është shpirti rus që në këto çaste, pikon gjak”, vargje dhe gjendje që më kujtolnë:          “O moj Shqypni, e mjera Shqypni…”
 AKTORI, është pjesë e shpirtit të popullit, pjella dhe formimi i tij, krijon e frymon mes tij e përmes tij. Atje ku të tjerët shohin “turma”, aktori sheh njerëz. Ata, që për dikë janë “kope”, për aktorin janë spektatorë, masë, që si elementi i tretë, e mban gjallë dhe i jep shpirt TEATRIT. Jeta në skenë e aktorit dhe vetë ARTI i SKENËS, ka më se 2500 vjet që zhvillohet e mbështetet në trekëndëshin:
DRAMATURG-TEATER-PUBLIK Nuk bëjnë dot pa njeri-tjetrin dhe, këndi i tretë, SPEKTATORI, është jetësori, frymëdhënësi dhe gjykatësi më i çmuar !
Arti, ashtu si ajri, është i të gjitheve dhe për të gjithë, pavarësisht se disa nuk e njohin, nuk duan ta njohin, ose e varfërojnë duke e banalizuar dhe militantizuar.
Krenohemi kur dëgjojmë tingujt solemnë të “Hymnit Kombëtar”, rritemi kur dëgjojmë “Për ty, Atdhe”, nuk përmbahemi nëpër festa e stadiume nga “Shqipëri, o Nëna ime…”, “O sa mir’ me ken’ Shqyptar”, bëjmë tatuazhe, veshim bluza e vemë plisa me SHQIPONJËN DYKRENARE, mbështillemi me flamur duke demonstruar nëpër rrugë, kryqëzojmë pëllëmbët për të krijuar “simbolin e dashur e të shenjtë” dhe, nga ana tjetër, nuk lemë rast që, për interesa meskine, Shqiponjën Dykrenare,
me koka anash, ta shtrëmbërojmë duke ia kthyer kokat përballë, që të hanë njera-tjetrën.
Si shpjegohet që, NE, kampionët e harmonisë dhe tolerancës fetare, jemi në kategorinë e fundit të intolerancës qytetare !!!
Ç’dreq kohe paska ardhur !
Nuk guxon të thuash me zë të plotë “jam musulman” se të shohin si “xhihadist” dhe sapo shqipton fjalën “socialist”, të shigjetojnë “komunist”…
                             +
                       +           +
Një ditë nuk ndoqa Facebook-un duke menduar se njerëzit janë qetësuar dhe në këto ditë festash janë përqëndruar në problemet familjare, po ç’ne ! Hapa telefonin dhe pashë që vazhdojnë “përmbytjet”, lincuesit e pangopur as janë tërhequr nga istikami. Prandaj, për të mos i dekurajuar, u them: vazhdoni, mos i pushoni komentet e sidomos sharjet,
(jo nga që u mësova dhe s’më djersin veshi) por nga që përpiqem (jo kurdoherë me sukses) të dëgjoj e respektoj cdo mendim e person “ndryshe”:
– i mencur apo gdhë,
– i së majtës, apo “demek” të majtës,
– i së djathtës, apo e djathtë  “i thënçin”,
– ata që më njohin dhe ata që s’më kanë parë kurrë,
– që u pëlqen ky “surrat” apo shtremberojnë buzët,
– “spiunëve” dhe “të flaktëve”,
– atyre që mendojnë para se të flasin dhe atyre që u flet gjuha para mendjes,
– atyre që e hanë turpin me bukë, si dhe atyre që s’kanë me oreks se u ngopën:
TANI, që dënimi me vdekje është hequr dhe me ngarkesën qe ka gjykata, nuk ia vlen të shtojmë “dosjen” tonë, prandaj, të qetësohemi, ta shikojmë në sy njeri-tjetrin dhe, nëse s’kemi kurajë ti zgjatim dorën, të rreshtim sharjet, poshtërimet, vetëm e vetëm nga që në Facebook ndjehemi të lirë, të fuqishëm, të fshehur si skutha dhe të pandshkueshëm, pasi të gjitha këto, skanojnë dhe zbulojnë sa të limituar jemi.
Jeta, sipas psikologeve, na krijon situata të vështira, jo kurdoherë për të na ndëshkuar por dhe të na japë mësim. Nëse dikush na ka plagosur, sjellë keq… nuk ka nevojë të presim drejtësi a ndjese… FALIM, jo domozdoshmërisht se tjetri e meriton, por sepse ne meritojmë të jemi të çliruar.
Lindëm pa asgjë, u përpoqëm të zotërojmë gjithcka dhe, në fund, largohemi pa asgjë. Ka rëndësi që, ndërmjet, ta zbutim e zbukurojmë shpirtin me më të mirën e mundëshme.
Kur me ARTIN tënd, përpiqesh të ndriçosh rrugën dhe shpirtin e dikujt, ndricohet dhe rruga e shpirti yt !
                             +                                                                                         +                 +
Nëse të gjitha sa shkrojta, do vazhdojë të konsiderohen hipokrizi a rezultat i kërcënimeve që më detyrojnë të veproj kështu, atëhere do t’ju lutem, shumë do t’ju lutem, përgjërimisht, riniseni betejën, i shtoni e shumefishoni sharjet, denoncimet, mallkimet, përdhosjet, vrerosjet, dufin, mllefin, damkosjet, munxosjet, e nëse akoma s’jeni ngopur:
kërkoni, krijoni,sajoni, huazoni, montoni, poshtëroni, i lejoni vetes çdo lloj leksiku e goditje (lart, poshtë e rrotull brezit), kusur mos lini, vetëm (u kam rixha) me qejf, me zell patronazhisti, entusiazëm, që të kemi krijimtari sa më pjellore, me rendiment e variacion !
Deri tani (ç’lumturi o Zot) duke ndjekur me ankth e padurim prurjet e Facebook-ut, shoh që po u afrohem 1500 Like, kalova 1000 komente dhe mbi 80 postime (nga të cilat 3/4 më katranosin), po, më besoni, nuk jam ngopur, as lodhur, as mërzitur. Kryesorja, në këto momente është që përroi i rrëmbyeshëm i Facebook-ut, të ketë sa më shumë prurje (le të jenë kucura, turbullirë e pisllëqe) nga këtë më vjen të brohoras (me besë e shpresë) “URRA” !
Gati-gati, po i arrij dhe po i kaloj disa nga ata që e mbajne veten për “yje” Facebooku.
Pika ! Pika ! ( jo pika-pika…)
Jam lodhur me muaj të tërë për një “Mbreti Lir” dhe “Hamleti” të një farë Shekspiri, apo “Babai” i një të ashtuquajturi Zeller, më gënjyen mendjen e më përkëdhelën sedrën ca çmime e kupa, ca dengla e fërci-vërci…
Kjo qënka “bursa” e suksesit !
Në vrullin dhe entusiazmin që më dhatë, guxova dhe vura bast me njerin prej këtyre “biçim STAR” të Facebook-ut, po që, për mua, veçanërisht tani, është thjeshtë nje “mburavec klasi”, pra siç po thosha, vura bast qe:
“DERI NË FUND TË VITIT, KUSH DO KETË Më SHUMË LIKE, KOMENTE DHE POSTIME
(të cfardolloji qofshin),
do FI-TO-JË, do Fi-TO-JË…NJË…
Durim, dhurata dhe emri i fituesit do shpallen në fillim të vitit 2026, sapo të nisin shirat dhe sharjet e para !
                              +
                       +             +
Festat e Mëdha të Fundvitit, sjellin, veç të tjerash trishtim, nga që kujtojme, jo vetëm kush na mungon, por dhe kush na tepëron. Megjithe këtë, janë të ndritëshme, për t’u gëzuar dhe të shenjta për të reflektuar. Në Festat e Mëdha apo Lojra Olimpike, grekët e lashtë e ndalonin luftën midis qytet-shteteve, madje dhe sot, në këto ditë, i lejojnë vetes fjalë mirkuptimi e gjeste miqësie.
Në këto ditë mendja ndricohet, shpirti qetësohet e toleron bujarisht. Atë që mund të të ketë plagosur, e sheh me sy të zbutur, pa barrën dhe etiketën e mekatarit, pa kompleksin e frikës a të fajit.
Të gjitha sa thashë, nuk i kam për ty që do thuash:
“Këtë ditë prite” !
I kam mirënjohje për ty që do thuash: “Faleminderit që e bëre” !
Është gjest NJEREZOR, pa menduar sedrën dhe pasojat, pasi për vendime të tilla, nuk pyetet, nuk llogaritet, nuk dyshohet, nuk kërkohet shpërblesë, por vetëm                                  M I R Ë S I  !
Krishtlindje, për fëmijët janë dhuratat, për ne, “fëmijët e rritur”dhuratë është ajo që mund të japësh nga vetja !
Uroj që, gjithkush, të ketë dicka për të dhënë ! !
Është kaq e nevojshe në acarin e këtij “dimëri social”…
                                       I juaji,                                                                                                                                                                                     Viktor Zhusti.

Next Post
U tha se kishte dijeni për abuzimin seksual të të miturës në Përmet, rikthehet në detyrë pas disa muajve shefi i krimeve

U tha se kishte dijeni për abuzimin seksual të të miturës në Përmet, rikthehet në detyrë pas disa muajve shefi i krimeve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për vullnetarizëm, ja çfarë përfshin

VENDIMI/ Qeveria jep pensione speciale për artistë e sportistë të njohur (EMRAT)

December 30, 2025
“I bëre shqiptarët frikacakë”, plas debati në studio mes Qafokut dhe Lapajt: Dështuat në zgjedhje, nuk ia dolët

“I bëre shqiptarët frikacakë”, plas debati në studio mes Qafokut dhe Lapajt: Dështuat në zgjedhje, nuk ia dolët

December 30, 2025
LVV do ta “zvogëlojë ndikimin e Listës Serbe” në institucionet e reja

LVV do ta “zvogëlojë ndikimin e Listës Serbe” në institucionet e reja

December 30, 2025
CIA ka kryer sulm me dron ndaj një objekti portual në bregun e Venezuelës

CIA ka kryer sulm me dron ndaj një objekti portual në bregun e Venezuelës

December 30, 2025
VIDEO-“U gjet i djegur plotësisht”/ Detajet nga policia: Ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërron jetë 66-vjeçari

VIDEO-“U gjet i djegur plotësisht”/ Detajet nga policia: Ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërron jetë 66-vjeçari

December 30, 2025
Berisha bëhet gati për “Foltoren”, Lapaj i “liron” vendin/ Zhvendos protestën disa metra më tutje

“Vitin e Ri do e hamë këtu në shesh si Krishtlindjet”, Lapaj: Do ketë reagim popullor kundër regjimit të Ramës

December 30, 2025
Përse duhet ta marrim seriozisht ngritjen e një Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e ri

Viti i përplasjes së drejtësisë me pushtetin

December 30, 2025
Trump, një nuse që do te nusërojë për herë të dytë

Masat urgjente per prishjen e syrit te keq

December 30, 2025
Vrasja e Renis Dobrës, detaje nga dosja hetimore: Shenja laku në qafë, tiroidja e dëmtuar i shkaktoi vdekjen…Zbardhet dëshmia e kushëririt

Vrasja e Renis Dobrës, detaje nga dosja hetimore: Shenja laku në qafë, tiroidja e dëmtuar i shkaktoi vdekjen…Zbardhet dëshmia e kushëririt

December 30, 2025
Ngjarje e rëndë në Elbasan/ Një person gjendet pothuajse i djegur në katin e parë të një pallati (EMRI)

Ngjarje e rëndë në Elbasan/ Një person gjendet pothuajse i djegur në katin e parë të një pallati (EMRI)

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com