“Jemi zhvendosur nga një vend në tjetrin dhe tani nuk kemi më ku të shkojmë,” thotë Umm Mohammed al-Shawish.
Ajo po përpiqet me dëshpërim të gjejë një vend ku të jetojë, pasi Izraeli zhvendosi blloqet e verdha prej betoni që shënojnë zonën nën kontrollin e tij në Rripin e Gazës.
Familjet që jetonin në lagjen al-Tuffah, në veri të Gazës, u zgjuan të hënën dhe panë se blloqet ishin zhvendosur më në perëndim, drejt mesit të rrugës Salah al-Din, një nga rrugët kryesore që lidh veriun me jugun e Gazës.
Pranë tyre ishte ngritur një digë prej dheu rreth 3 metra e lartë, mbi të cilën valëvitej një flamur izraelit.
Shtëpia e familjes al-Shawish ishte shkatërruar gjatë luftës. Të dielën ata u detyruan të largoheshin përsëri pasi ushtria izraelite i paralajmëroi për një sulm ndaj një ndërtese aty pranë. Strehimi i tyre i vetëm ishte një tendë, e cila u shkatërrua nga sulmi.
“Do të vdesim këtu,” tha Mohammed al-Shawish. “Vdekja është më e mirë se poshtërimi. Askush nuk po na ndihmon.”
Marrëveshja e armëpushimit
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Hamasit tetorin e kaluar, Izraeli pranoi të tërhiqte forcat e tij në një vijë të caktuar ndarëse, të quajtur Vija e Verdhë (Yellow Line).
Marrëveshja parashikonte që Izraeli të mbante përkohësisht nën kontroll zonën pas kësaj vije, që përbënte rreth 53% të territorit të Gazës.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi së fundmi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kontrollojnë më shumë se 60% të Gazës. Në maj ai tha publikisht se synimi i tij ishte të arrinte kontrollin mbi 70% të territorit.
Hamasi akuzon Izraelin se ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit duke e zhvendosur Vijën e Verdhë më në perëndim. Një zyrtar i lartë izraelit i hodhi poshtë këto akuza, duke deklaruar se vendosja e forcave dhe vijat e sigurisë janë masa operative për mbrojtjen e qytetarëve izraelitë dhe për të penguar Hamasin të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake.

Ndërtimi i barrierave
Fillimisht ushtria izraelite e shënoi Vijën e Verdhë me blloqe betoni, por më pas disa prej tyre u zhvendosën më thellë në Gaza.
Që nga armëpushimi, Izraeli ka ndërtuar një rrjet barrierash që shtrihet në mbi 42 kilometra dhe mbulon rreth 85% të Vijës së Verdhë. Seksioni më i gjatë arrin 13.8 kilometra.
Ekspertët i thanë BBC-së se këto punime tregojnë se Izraeli mund të jetë duke u përgatitur për një prani afatgjatë në Gaza. Në disa zona, barrierat prej dheu e zhvendosin kufirin de facto më thellë në territorin palestinez, duke zgjeruar zonën ku civilëve u ndalohet të hyjnë.
Zhvendosje të tjera
Edhe në muajt e fundit janë raportuar raste të tjera zhvendosjeje.
Më 18 korrik, dhjetëra familje u larguan me nxitim nga zona Zeitoun, në lindje të qytetit të Gazës, pasi ushtria izraelite urdhëroi evakuimin. Banorët thanë se menduan se kjo ishte shenjë se Vija e Verdhë po zhvendosej sërish.
Ata raportuan të shtëna nga automjetet ushtarake izraelite, dronë dhe bombardime me artileri.
“Lufta nuk ka mbaruar. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Çdo ditë ka sulme, zhvendosje dhe dëbime,” tha Ismail Kashko.
Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), rreth 30 familje humbën tendat e tyre në Zeitoun dhe u ndihmuan me furnizime bazë.
Ndërtime ushtarake dhe shkatërrime
Banorët në lindje të Deir al-Balah thanë se ushtria izraelite u dha dy ditë kohë për t’u larguar përpara se toka të rrafshohej.
Pamjet satelitore tregojnë gjurmë tankesh, ndërtesa të shkatërruara dhe ullishte të rrënuara përtej Vijës së Verdhë.
Në jug, pranë al-Mawasi, palestinezët raportojnë lëvizje të përditshme tankesh, të shtëna dhe ndërtimin e argjinaturave të larta prej rëre.
Pamjet satelitore dhe videot e verifikuara tregojnë gjithashtu rrugë të dëmtuara, ndërtesa të shembura dhe dhjetëra baza e poste të reja ushtarake përgjatë Vijës së Verdhë.
Që nga armëpushimi janë ngritur 14 pozicione të reja ushtarake, ndërsa shtatë të tjera ekzistuese janë zgjeruar ose asfaltuar.
Qëndrimi i ushtrisë izraelite
IDF deklaroi se po shënon qartë në terren Vijën e Verdhë për të “reduktuar përplasjet” dhe mohon pretendimet se kjo vijë është zhvendosur.
Sipas ushtrisë, masat mbrojtëse përfshijnë zona sigurie, barriera fizike, mjete inteligjence, teknologji dhe aktivitete operative të trupave.
Për arsye sigurie, ushtria tha se nuk do të japë detaje mbi vendndodhjen ose shtrirjen e barrierave.
Vlerësimet e ekspertëve
Gjenerali në pension Assaf Orion, studiues në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (INSS), tha se ndërtimi i barrierave dhe bazave tregon se ushtria po përgatitet për një qëndrim të gjatë përgjatë Vijës së Verdhë, pasi sipas tij nuk është bërë përparim në çarmatimin e Hamasit.
Ndërsa eksperti i sigurisë Andreas Krieg nga King’s College London tha se gjetjet e BBC-së sugjerojnë se Izraeli po e shndërron Vijën e Verdhë nga një kufi i përkohshëm i armëpushimit në një kufi de facto brenda Gazës.
Situata humanitare
Banorët e Gazës thonë se zhvendosja e vazhdueshme e Vijës së Verdhë po i detyron më shumë se dy milionë njerëz të jetojnë në një hapësirë gjithnjë e më të vogël, në kushte shumë të vështira humanitare.
“Vija e Verdhë po lëviz çdo ditë,” tha Abu Kamel Hamami, një palestinez i zhvendosur në qytetin e Gazës.
“Po lëvizim vazhdimisht nga një rrugë në tjetrën. Kudo ka mbipopullim, tenda dhe kampe të të zhvendosurve.”











