Dy ditë më parë, emisioni “Me zemër të hapur” në “News24” transmetoi një video të veçantë. Një familje kishte kapur “mat” me të dashurin nusen e djalit të tyre dhe kishte xhiruar skenën e çiftit në krevat. Në videon disaminutëshe kunata i thotë gruas “i pafsh hajrin, por fëmijët lëri rehat”. Familja Nacaj nga Kopliku (bashkëshorti është në SHBA) e bëri publik rastin në TV, duke kërkuar që dy fëmijët të mos i mbajë më e ëma që u kap me të dashurin, por familja e të atit.
Gruaja “protagoniste” e videos ka rrëfyer sot në “Gazetën Shqiptare” versionin e saj të së vërtetës.
Sipas L.N., jeta private është e saja dhe s’mund të ndërhyjë njeri. Por, për fëmijët ajo thotë se i ka rritur me sakrifica dhe pretendon se familja e bashkëshortit e ka dhunuar sistematikisht. Në intervistën për “Gazetën Shqiptare”, gruaja thotë se për këtë video i janë kërkuar burrit të saj në SHBA 800 mijë lekë nga dhëndri i shtëpisë
Zonja L., dy ditë më parë në emisionin “Me zemër të hapur” u transmetua një video e juaja, dhe sipas akuzave të familjarëve të bashkëshortit tuaj, ju ndodheshit nën shoqërinë e një mashkulli. Cili është reagimi juaj për këtë?
Është diçka tepër e rëndë. Por fakti është se ata mua më kanë dhunuar.
Kush ju ka dhunuar?
Më ka dhunuar ai, ish-vjehrri im, i cili ka dalë në emision, dhëndri, kunatat dhe burri kryesisht. Ai ka 4 vjet në Amerikë dhe nuk ka ditur asgjë se ku ka grua dhe fëmijë. Mua më la në dorë të dy pleqve. Të një pijaneci dhe në dorë të dhëndrit e të kunatave. Gabimi më i madh që është bërë është që është futur videoja aty, pa qenë prezente unë vetë dhe pa më telefonuar mua. Ka 7 muaj që unë jam nëpër gjykata e në prokurori.
Doni të thoni se ju nuk ju kanë marrë në telefon për t’ju marrë një reagim para se të publikohej kjo video?
Jo, nuk më ka marrë absolutisht askush në telefon, deri në momentin që na kanë thënë se kanë dalë në video filani dhe filania. Unë nuk kam ditur hiç një herë se çfarë është bërë apo se si është bërë.
Si u ndjetë në momentin që morët vesh diçka të tillë?
Jam ndjerë shumë keq. Jam shumë e acaruar. Unë kam edhe 6 vëllezër dhe jemi shumë të acaruar sa askush nuk e ka idenë, sepse ata kanë bërë një krim. Ai zotëria atje ka marrë nusen tjetër dhe mua më ka lënë në rrugë, dhe është çuar e ka futur video aty për ta shitur me lekë. Ajo video është shitur me lekë. Ato video e ato gjëra e di unë se ku do t’i çoj. Ata që më bënë mua këtë gjë duhej të më kishin kontaktuar mua një herë dhe jo t’i fusnin në transmetim e t’i shihnin gjithë shqiptarët. Atë video e ka parë e gjithë bota. Ne kena sy e kena sedër.
Sipas vjehrrit tuaj, duke qenë se ju vetë e quani si të tillë, skena seksuale që ju keni kryer me dashnorin tuaj ka ndodhur në dhomën e gjumit. Çfarë argumenti keni për këtë gjë?
Ligji dhe jeta private është e imja. Prej 4 vitesh të mos dinë se ku është një grua dhe se ku e se si janë fëmijët që i kam lind e i kam rrit unë. Ai ka një pijanec rrugësh që e kanë orientuar vetëm dhëndri dhe kunatat e mia për të ardhur aty (në emision). Dhe janë shitur me lekë. Tash, se çfarë bëj vetë… unë diku do përplasem kur të mos më dalë kush zot. Unë kam shkuar te familja ime dhe tash jetoj te këta. I falënderoj shumë, sepse këta më kanë përkrahur.
Do të hapni gjyq për këtë gjë që ju është bërë?
Bashkëshorti, ose më saktë këta 5 persona janë prej 7 muajsh në prokurori.
Për çfarë konkretisht?
Për këtë çështje. Kam fotot, kam mesazhet që dhëndri i ka nis burrit tim atje që i ka lyp lekë.
Lekë për çfarë? Mos doni të thoni që i janë kërkuar para pasi është bërë kjo video?
Po, i ka kërkuar lekë. Dhëndri i ka thënë ‘do të më japësh 800 mijë lekë’. Kam mesazhet që i kam gjetur në skajp
Kur thoni ‘dhëndri’, për kë e keni fjalën?
Dhëndri është burri i kunatës. Dhëndri i shtëpisë. Ai i ka kërkuar lekë burrit tim kur është hapur kjo punë.
Lekët janë kërkuar për mospublikimin e videos?
Po. Ai i ka thënë ‘ose më ço 800 mijë lekë, ose unë ty do të të fus në gjak’. Burri im kishte shkruar me të motrën dhe i ka thënë se më ka lyp L. lekë. L. është burri i motrës së burrit tim. Këtë e kanë bërë vjehrri, dhëndri dhe gruaja e tij. E kanë bërë veç për lekë. Fëmijët m’i kanë terrorizuar. Unë i kërkova ndihmë shtetit dhe e falënderoj shumë, sepse i kam telefonuar në atë moment dhe i kam thënë “Dua ndihmë”. Kam dy fëmijë të mitur që i kam rritur në pikën e hallit. Ka 4 vjet rrugësh, me një pijanec… Nuk e di as unë se si ta çmoj, sepse mua më kanë prishur jetën ata njerëz (qan).
Bashkëshorti juaj doli në një lidhje telefonike ku tha se ka qenë në dijeni të këtij fakti dhe se ka qenë ai personi që ka kërkuar të bëhej kjo video…
Atë e kanë kapur për hunde. Unë kam mesazhet. Është hapur gjyqi që të më marrin mua fëmijët e mi dhe me ia lënë atij pijanecit atje. Që me m’i marrë mua dhe me i lënë me njerkën atje.
Ju po thoni njerkën. Mendoni se bashkëshorti juaj ka një lidhje jashtë- martesore?
Jo mendoj, por unë kam fakte. Kam kaq vite nuse atje dhe më kanë thënë, por unë nuk e kam besuar. Më ka marrë në telefon, më ka sharë familjen e më ka ofenduar. I kam thënë ‘çfarë ke?’
Femrën tjetër, e ka në Amerikë?
Po, kam edhe foton. Të tërë familjarët i thonë “hajd për hajër” e “u plakshit bashkë”. Ai që ka lënë një grua e dy fëmijë në Shqipëri, që ka shkuar andej për një jetë më të mirë, për dy fëmijë të mitur! Për një grua, të keqe a të mirë, vetë e kanë lidh e vetë e kanë zgjidh. Pra ta çosh në rrugë të keqe familjen e ke kollaj.
Si ka qenë marrëdhënia juaj gjatë këtyre 4 viteve që burri juaj ka qenë jashtë shtetit?
Marrëdhënia ime… sa herë që më merrte në telefon më kërcënonte, më shante mua, familjarët. Unë tu iu lut, ne malësorët themi tu ju lut si Krishti se çfarë ke. Ai normal që dy gra nuk mund t’i mbajë, se njërës do ia japi rrugën e keqe. Ai ka dasht me mbajt atë dhe mua të më japë rrugën e keqe. Këta janë një lloj kriminelësh. Jam e mishit dhe e gjakut edhe unë. Duhet të jepet një e drejtë. Jo të jepet e drejta e lekut.
Çfarë moshe keni?
Jam 32 vjeçe. Unë jetën time e kam të lidhur veç me dy fëmijët. Unë do vdes dhe këta dy fëmijë nuk do t’i lë në rrugë.
Burri juaj dhe vjehrri kërkuan që të marrin kujdestarinë e fëmijëve…
Fëmijët e mi kurrë! Fëmijët e mi nuk do shkojnë kurrë pa më pre mua në qafë. Se fëmijët e mi i kam rritur unë. Vjehrri im dhe të tjerët nuk më kanë prurë asnjë çokollatë për fëmijët e mi. Burrit mirë, me zemër në dorë ia kam lypur 200 dollarë veç me hëngër fëmija. Veçse u kam rënë në qafë vëllezërve të mi. Kam 4 vëllezër jashtë. Më kanë thënë pse nuk ua kam kallëzuar dhe pse kam ardhur deri në këtë grade.
Si e keni pasur marrëdhënien me familjarët e burrit tuaj?
Marrëdhënien me ta e kam pasur edhe në shpirt, sepse nuk dua t’i fyej sot që më ka ndodhur kjo disfatë me ta. Gjithçka kam pas i kam nda përgjysmë me ta, sepse mua familja ime më ka mbajt.
Keni pasur grindje ndonjëherë me ta?
Unë kam pasur grindje vetëm kur më kanë cenuar. Me ta kam bërë veç lojëra e qyfyre për të kaluar edhe stresin edhe të tëra. Të betohem, unë nuk kam pasur kurrë grindje as me ta dhe as me ndonjë njeri tjetër. Përveç këtij rastit.
Sa vite ke që je martuar dhe sa fëmijë ke?
Kam 9 vite martesë. Kam një vajzë 8 vjeçe dhe djalin 4 vjeç.
Pasi u publikua videoja, a keni komunikuar me bashkëshortin tuaj apo me familjarët e tij?
Jo, nuk kam komunikuar me ta, sepse kanë bërë një krim shumë të rëndë. Unë ia kam lënë vetë ligjit të shtetit. Vetë nuk do t’i telefonoj kurrë. Fëmijët e mi janë pranë meje. Baba i tyre është i tyre. Në qoftë se i bie në mend për fëmijët, le të bëjë për ta. Për tjetërkush nuk ka; s’ka as hallë, as gjysh, as gjyshe. I ka, qofshin shëndoshë, por mua më kanë bërë një jetë skandalesh.
Si e ka pritur familja juaj marrëdhënien tuaj jashtë- martesore? A ju ka mbështetur?
Unë iu jam ulur në gjunjë. Iu kam thënë ‘nëse nuk më mbështesni ju, unë do bëj vetëvrasje’.
Po personi tjetër që keni në krah, a ju ka mbështetur dhe a ju ka dalë garant tashmë?
Cili person, sepse nuk e kuptoj.
Në videon që u publikua, u pohua se ju kishit një lidhje jashtëmartesore. Personi që keni në krah…
Personi… çfarë është bërë është bërë. As s’kam lidhje më. As kena asnjë gjë familjarisht me të, hiç. Ai ka jetën e vet, ne kena jetën tonë. Pra, gjithçka është bërë, është bërë rreth burrit tim, se s’ka dit se ku kishte familjen e s’ka dit për asnjë lloj gjëje. Unë me vëllezërit e mi do mundohemi të rrisin këta dy fëmijë, sa të mundemi, sepse unë te kriminelët nuk i çoj më. Te një plak që e kap sëmundja dhe kam qenë unë që e kam çuar në 12 të natës në spital me lekët e mia.
Si mendon se do të jetë e ardhmja juaj tashmë?
E ardhmja ime do të jetë duke iu kushtuar vetëm dy fëmijëve të mi.
A do të hapni gjyq pas kësaj që ju ndodhi?
Nuk ka çështje tjetër më për mua. Çështja është vetëm gjykata e prokuroria që kemi shkuar. Çfarë të vendosi gjykata, kam të drejtë me vepru, por fëmijët e mi, pa më prerë mua në qafë nuk ka se kush të m’i marrë.
Gjyqi, është hapur nga ju apo nga pala tjetër?
Është hapur nga pala tjetër që kanë çuar edhe videot. Mundësisht ju lutem, m’i fshini videot, i fshini gjërat ju.
Konkretisht, për çfarë jua hapën gjyqin?
Kjo u bë për të marrë fëmijët e mi. Ka çuar lekë, e kanë kapur për hunde burrin tim. Më kuptoni shpirtërisht. Duan me më marrë fëmijët dhe me m’i çu në Amerikë të rrinë me njerkë. Me nejt fëmijët e mi me njerkë, kurrë! Kurrë pa vdekur unë! Kur të vdes unë, të bëjnë çfarë të duan. Kurrë, sepse ai nuk ka dit me mbajt familje. Familja ka ndejt në dorë të pleqve, në dorë të dhëndrit, në dorë të kunatit, në dorë të atij e në dorë të këtij. Kjo është e vërteta. Unë jam gati të flas për çdo gjë, sepse ma kanë prishur jetën. Jam 32 vjeçe dhe ua kam kushtuar jetën vetëm dy fëmijëve të mitur. Është bërë një krim shumë i madh me më nxjerrë atë video mua.
Mendoni se do të bëni vetëgjyqësi?
Unë ia kam lënë në dorë shtetit që ta zgjidhë me këta kriminelë. Sepse jeta është e imja, trupi është i imi. Fëmijët nuk i kam dhunuar, nuk i kam rrahur asnjëherë, i kam rritur si pëllumba. Ju betohem që i kam rritur si pëllumba. Me të ngrënë e për t’i shkolluar e për të tëra.
Ju thatë se ju kanë dhunuar burri, vjehrri dhe familjarët e tjerë të tij….
Po, unë nga të tërë jam e dhunuar.
Pse nuk i keni denoncuar?
I kam denoncuar kur u hap kjo çështje. Kam shkuar për të marrë fëmijët e mi dhe ata nuk më kanë lënë.
Duke qenë se dy fëmijët i keni të mitur, a ke biseduar me ta nëse e kërkojnë të atin?
E kërkojnë të atin kur unë ua përmend vetë. Unë kam pasur edhe psikologen kur kanë marrë fëmijët në pyetje dhe i kanë pyetur a i ka marrë malli për babin apo kanë qejf të flasin me të, ata kanë thënë “po”. Kur i kanë pyetur nëse i ka marrë malli shumë a pak, kanë thënë “pak”.
Gjatë këtyre 4 viteve që burri juaj ka qenë në Amerikë, sa i shpeshtë ka qenë komunikimi juaj me të?
Komunikonim një herë në 10 ditë ose në 2 javë. Të betohem. Ka pasur veç disa raste që merrte përditë ose në 3 a 4 ditë. Bëhesha e çmendur vetë e i shkruaja, ai më thoshte “ju e keni kollaj, por ne jemi në punë”.
A e keni pyetur ndonjëherë pse ju merrte kaq rrallë?
Po, e kam pyetur sa herë. “Çfarë ke? – i thosha. – A ke shkuar për një jetë më të mirë, për fëmijët e për gruan kur e di se s’kemi shpi, as tokë e asgjë, për çfarë ke shkuar atje?” Më thoshte ‘jo këtej, po andej, nuk dua të jetoj’. Dhe unë që i bërtisja se ‘çfarë halli të kesh, do e bëjmë sakrificë’. Kam qarë sa herë, ju betohem.
Si janë të ardhurat tuaja familjare? Ju, punoni?
Të ardhurat tona janë shumë të mira. Kemi bujqësi, bagëti, kemi shtëpi. Kam 4 vëllezër jashtë, dhe ata më kanë mbajtur që kur jam martuar e deri më sot. Unë jam vajzë e vetme, motra e 6 vëllezërve. Të betohem që unë nuk mund t’jua shpreh të gjitha hallet që kam kaluar në derën e atyre. Veç Zoti mos ia dhëntë kujt ato që kam heq unë! Një 32-vjeçare që të rrijë në mëshirë të fatit e të rrisë dy fëmijë të vegjël është një krim i madh (qan).
Unë e kam marrë atë vetë me dashuri dhe më bëjë këtë gjë, të më nxjerrë video… Unë jam shumë e fortë, sepse kam edhe një familje shumë të mrekullueshme, por më vjen inat që ata më përulën kështu. Unë burrin e kisha marrë me dashuri dhe familja ime nuk ka dashur të ma japë. Por me ta shkatërrova jetën time. GSH
MA.ME