Armando Broja ia ka dalë në futbollin profesionist, ashtu siç i kishte premtuar që në fëmijëri shokut të tij, Adam Azim. Futbollisti shqiptar dhe boksieri britanik, kanë qenë shokë klase në fillore dhe kanë treguar këtë miqësi të veçantë në një intervistë për “Sky Sports”, para ndeshjes së boksierit për titullin europian në peshat super të lehta.
Ata kanë pranuar se kanë shkaktuar vazhdimisht telashe në atë periudhë, kur ishin të dy të vegjël.
“Ishte si të kishe orarin e punës, e bënim me radhë. Një herë unë dhe një herë ai”, tha Azim duke qeshur.
Ndërkohë, Broja tregoi se si kishin premtuar që të vegjël se njëri do të bëhej futbollist e tjetri boksier.
“Edhe babai im më thoshte që Armando ka aftësi të jashtëzakonshme”, tha Adam, i cili bashkë me sulmuesin shqiptar treguan më pas edhe se sa kishin sakrifikuar në jetën e tyre për të arritur në nivelet më të larta./m.j