Zjarri në malin e fshatit Vajkal ka marrë përmasa të mëdha gjatë orëve të pasdites. Me gjithë ndërhyrjen nga ajri dhe toka nuk u arrit që vatra e zjarrit të mbahet nën kontroll për shkak të erës së fortë dhe bimësisë thatë.
Vatra e zjarrit është zgjeruar drejt banesave të fshatit Vajkal dhe rrezikon të shkojë brenda një kohe të shkurtër. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, të shërbimit pyjor, të administratës së bashkisë Bulqizë dhe po punojnë për të parandaluar djegien e banesave.
Ndërkohë, këtë pasdite një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Sllatinë të Dibrës ku janë angazhuar për fikjen e tij dhjetra forca, por terreni i thepisur e bën operacionin e vështirë.
Luftë me flakët po bëhet edhe në Qaf Helmes afër Selishtës ku po punohet për izolimin e zjarrit me disa forca tokësore.











