Nga Ben Andoni
Ka momente historie, ku mendimi i një klase elite i shërben njerëzve të shtresave të ndryshme të vendit duke i kthjelluar qoftë si pararojë mendimi por edhe duke i kanalizuar në udhën e drejtë mes pështjellimeve. Në pak raste, këto janë bërë dhe në Shqipëri edhe me aksione direkte. Shkrimtari Ismail Kadare me tagrin e talentit, famës dhe respektit ndër shqiptarë u mundua ta bënte njëherë këtë direkt në zgjedhjet lokale për kryeqytetin. Pa i përmendur emrin kandidatit që iu drejtua, sepse ishte dhe mbetet tejet larg figurës së shkrimtarit, zyrtari jo vetëm nuk e mori parasysh, por më shumë se kaq e snoboi me një përgjigje patetike!! Rasti i Doktor Kondilit në fund të viteve ’90, ditët që Shqipëria po i drejtohej zgripit të Luftës Civile, ishte edhe më prekës. Mjeku i njohur duke sfiduar plumbat dhe i prekur në masë na bëri thirrje të gjithëve përmes Televizionit Publik të ndalnim. Kuptohet se asgjë nuk ndryshoi, por historia e arkivoi veprimin e tij si element civilizimi dhe mbi të gjitha kurajë intelektuale në një moment tejet të vështirë, ku njerëzit mezi arrinin të dilnin nga shtëpia.
Nuk është se po u kërkohet sot shumë intelektualëve që besohet se kanë tagër të bëjnë apele dhe të përballen përmes pohimeve dhe deklamimeve, veç artikujve me shqetësimet më të mëdha të vendit që botohen jo pak herë.
Ekonomia si e tërë, bujqësia, industria, arsimi, mjekësia, e shumë fusha të tjera e presin këtë mendim që t’i përballet si alternativë politikave të vendit tonë, parametrat e të cilës lënë shumë për të dëshiruar dhe pasojat duken tek ushqimi, prodhimi, varfëria, shërbimet sociale etj. E thënë më hidhur: Klasës tonë intelektuale nuk i ndihet ekzistenca, përveçse barrës financiare që është mbresëlënëse. Rasti i fundit me Drejtësinë është një e tillë. A mund të thotë vallë dikush prej tyre sesi do të jetë e ardhmja e qindra-mijëra dosjeve të stivosura pas 10, 20, 30 e më shumë viteve? Çfarë do prodhojmë ne si vend? Si do të mbrohemi? Si do t’i menaxhojmë ujërat tona? A do jetojmë gjithnjë vetëm me turizmin dhe ndërtimin? Akademia e Shkencave për emrin e madh që ka dhe atë rol që mëton të luajë është larg dhe duket se është thjesht një institucion, ku duhet të ruhen përfitimet dhe si të jenë aktivë, sidomos në kohë zgjedhjesh, bash atëherë kur patriarkët e shkencës konfirmojnë benefitet financiare dhe staturat e tyre.
Gati 100 vite më parë këtë problem e shqetësonte vazhdimisht Ismet Toto, i cili në artikullin “Vobekësia e intelektualëve tanë” e trajtoi në një esse, që mund ta lexosh me të njëjtën kërshëri sot. “Flegmatizma, ataraksia spiritualë dhe hedonisma në të cilën është e zhytur sot kjo klasa jonë intelektuale, përbën një nga plagët më të mëdha të shoqërisë sonë. Ata që mundohen ta justifikojnë këtë gjendje, mbrojnë veten. Tërë shpresa ka mbetur tek ajo pakicë, që përpiqet të dalë nga ky pellg degjeronjës dhe mbytës”. Ky është edhe shqetësimi sot për politikat e ndryshme të vendit tonë; mungesën e tyre ballë një proteste që po i afrohet të tre muajve dhe ende nuk nxjerr një kokë drejtuese, për andrallat e publikut dhe pasqyrat qeveritare para tyre; për modelin e zhvillimit të vendit; për të ardhmen e shqiptarisë…për mbijetesën tonë.
Dhe, sërish Toto,…”pikërisht ajo që shkëlqen së çaluari, ose më mirë, së bëri ‘hiç gjë’ ndër ne, është ajo pjesë, që ka një përgatitje kulturore dhe që presupozohet e është koshiente”. Toto do të ekzekutohej më 12 Korrik 1937. Fare i ri. Çfarë fitoi vallë, do të thoshte dikush nga intelektualët e sotëm. Vërtetë çfarë fitoi, kur shqetësimet e tij të një shekulli më parë, janë sërish të gjalla. Në të vërtetë, atë që pak e kuptojnë: Respektin se e tregoi veten intelektual dhe mbi të gjitha shqiptar, pa e bërë shqiponjën me gishta. (Javanews)











